Libri i dytë i Samuelit 16:1-23
16 Sapo Davidi e kaloi paksa majën e malit,+ i doli përpara Ziba,+ shërbëtori i Mefiboshetit.+ Ai kishte dy gomarë me samarë të ngarkuar me 200 bukë, 100 kuleç stafidhesh, 100 kuleç prej frutash vere* dhe një qyp të madh me verë.+
2 Atëherë mbreti e pyeti Zibën: «Pse i ke sjellë gjithë këto?» Ziba iu përgjigj: «Gomarët i solla që të hipin familja e mbretit, buka dhe frutat e verës janë që të hanë të rinjtë, kurse vera është për ata që do të rraskapiten në shkretëtirë.»+
3 Mbreti e pyeti: «Po ku është djali* i zotërisë tënd?»+ Atëherë Ziba i tha mbretit: «Ai ka qëndruar në Jerusalem, sepse tha: ‘Sot shtëpia e Izraelit do të ma kthejë mua sundimin mbretëror të babait tim.’»+
4 Mbreti ia ktheu Zibës: «Shiko, çdo gjë që i përket Mefiboshetit, tani është jotja.»+ Ziba i tha: «Përkulem para teje. Gëzofsha gjithnjë miratimin tënd, o zotëria im, o mbret!»+
5 Kur mbreti David arriti në Bahurim, një burrë nga ata të shtëpisë së Saulit, që quhej Shimei,+ djali i Geraut, po vinte drejt tij duke mallkuar me zë të lartë.+
6 Ai i hidhte gurë Davidit e gjithë shërbëtorëve të tij, si edhe tërë popullit dhe burrave të fuqishëm që ishin në të djathtë e në të majtë të mbretit David.
7 Ndërsa mallkonte, Shimei thoshte: «Ik, ik, ti o fajtor gjaku! O njeri i pavlerë!
8 Jehovai e ka sjellë mbi ty tërë fajin e gjakut për shtëpinë e Saulit, në vend të të cilit ke mbretëruar, ja pse Jehovai po ia jep mbretërinë Absalomit, djalit tënd. Tani të ka zënë ty e keqja, sepse je fajtor gjaku!»+
9 Atëherë Abishai, djali i Zerujasë,+ i tha mbretit: «Pse ta mallkojë ky qen i ngordhur+ zotërinë tim, mbretin?+ Lërmë, të lutem, të shkoj e t’ia këput kokën.»+
10 Por mbreti i tha: «Ç’ju duhet juve, o djem të Zerujasë?+ Lëreni të më mallkojë,+ sepse Jehovai i ka thënë:+ ‘Mallkoje Davidin!’ E pra, kush mund t’i thotë: ‘Pse bën kështu?’»
11 Pastaj Davidi i tha Abishait dhe gjithë shërbëtorëve të tij: «Nëse djali im, gjaku im,* po kërkon të ma marrë jetën,+ ç’mund të pres nga një beniaminit!+ Lëreni, le të më mallkojë, sepse kështu i ka thënë Jehovai!
12 Ndoshta Jehovai do ta shohë mundimin tim+ dhe, në vend të mallkimeve të sotme, Jehovai do të më shpërblejë me mirësi.»+
13 Pastaj Davidi dhe njerëzit e tij vazhduan më tej rrugën, kurse Shimei ecte përgjatë malit, përbri Davidit, dhe e mallkonte me zë të lartë,+ i hidhte gurë e shumë pluhur.
14 Më në fund, mbreti dhe gjithë populli që ishte me të, mbërritën të rraskapitur në destinacion, dhe atje u çlodhën.
15 Ndërkohë Absalomi dhe gjithë njerëzit e Izraelit mbërritën në Jerusalem; me të ishte edhe Ahithofeli.+
16 Kur vajti tek Absalomi, arkiti,+ Hushai,+ miku* i Davidit, i tha Absalomit: «Rroftë mbreti!+ Rroftë mbreti!»
17 Absalomi ia ktheu Hushait: «Ku shkoi dashuria jote besnike ndaj mikut tënd?! Pse nuk shkove me mikun tënd?»
18 Hushai iu përgjigj Absalomit: «Jo, s’mund ta bëja një gjë të tillë! Unë jam në anën e atij që ka zgjedhur Jehovai, ky popull dhe tërë njerëzit e tjerë të Izraelit. Me të do të qëndroj.
19 Kujt duhet t’i shërbej, pra? A nuk duhet t’i shërbej djalit të tij? Ashtu si i shërbeva babait tënd, në të njëjtën mënyrë do të të shërbej edhe ty.»+
20 Atëherë Absalomi e pyeti Ahithofelin: «Çfarë më këshillon?*+ Ç’të bëjmë?»
21 Ahithofeli iu përgjigj Absalomit: «Ki marrëdhënie me konkubinat e babait tënd,+ që ai i la të kujdeseshin për shtëpinë.*+ Atëherë tërë Izraeli do ta marrë vesh se je bërë i neveritshëm për babanë tënd, dhe ata që të mbështetin, do të marrin zemër.»
22 Kështu ata ngritën një tendë mbi tarracë+ për Absalomin, dhe Absalomi pati marrëdhënie me konkubinat e të atit+ para syve të të gjithë Izraelit.+
23 Në atë kohë, këshilla që jepte Ahithofeli+ konsiderohej sikur të ishte fjala* e Perëndisë së vërtetë. Kështu vlerësohej çdo këshillë e Ahithofelit, si nga Davidi, ashtu edhe nga Absalomi.