Libri i dytë i Samuelit 17:1-29
17 Atëherë Ahithofeli i tha Absalomit: «Më lër, të lutem, të zgjedh 12.000 burra dhe të ngrihem e ta ndjek Davidin sonte.
2 Do t’i sulem kur të jetë i sfilitur e i pafuqishëm,+ dhe atë do ta zërë paniku. Gjithë njerëzit që janë me të, do t’ia mbathin dhe unë do të vras vetëm mbretin.+
3 Pastaj do ta sjell prapë te ti gjithë popullin. E nëse do të kthehet i gjithë populli, varet nga fundi që do të ketë njeriu që ti po ndjek. Atëherë mbarë populli do të bjerë në paqe.»
4 Ky sugjerim iu duk me vend Absalomit dhe tërë pleqve të Izraelit.
5 Megjithatë Absalomi tha: «Ju lutem, thirreni edhe arkitin, Hushain,+ e të dëgjojmë çfarë ka për të thënë ai.»
6 Kështu Hushai hyri tek Absalomi. Atëherë Absalomi i tha: «Kjo është këshilla e Ahithofelit. A të veprojmë sipas këshillës së tij? Nëse jo, na trego çfarë të bëjmë.»
7 Hushai ia ktheu Absalomit: «Këshilla që ka dhënë këtë radhë Ahithofeli nuk është e mirë.»+
8 Pastaj Hushai vazhdoi: «Ti e di mirë se babai yt dhe njerëzit e tij janë të fuqishëm+ e të dëshpëruar,* si një arushë që ka humbur këlyshët e saj në fushë.+ Për më tepër, babai yt është luftëtar+ dhe s’ka për ta kaluar natën me popullin.
9 Në këtë moment ai do të jetë fshehur në ndonjë shpellë* a në ndonjë vend tjetër,+ dhe nëse ai sulmon i pari, ata që do ta marrin vesh këtë do të thonë: ‘Njerëzit që ndjekin Absalomin janë mposhtur!’
10 Edhe më trimit me zemër luani+ do t’i bëhej gjaku ujë, sepse tërë Izraeli e di mirë se babai yt është burrë i fuqishëm+ dhe se luftëtarët e tij janë të guximshëm.
11 Ja ç’të këshilloj: të mblidhet pranë teje mbarë Izraeli, nga Dani në Ber-Shebë,+ aq i shumtë sa kokrrizat e rërës buzë detit,+ e ti duhet t’u prish në luftë.
12 Do të dalim kundër tij kudo që të jetë dhe do t’i biem, ashtu si vesa bie mbi tokë. Asnjë prej tyre s’do të mbijetojë, as ai dhe as ndonjë nga njerëzit që janë me të.
13 Nëse fshihet në ndonjë qytet, të shkojmë me gjithë Izraelin dhe ta shkatërrojmë atë qytet e ta tërheqim zvarrë me litarë në luginë, derisa të mos i mbetet as edhe një guralec.»
14 Atëherë Absalomi dhe tërë burrat e Izraelit thanë: «Këshilla e arkitit Hushá është më e mirë+ se këshilla e Ahithofelit!» Se Jehovai kishte vendosur* që ta bënte të kotë këshillën e menduar mirë të Ahithofelit,+ me qëllim që Jehovai të sillte të keqen mbi Absalomin.+
15 Më vonë Hushai u tha priftërinjve Sadok e Abiatar+ çfarë i kishte këshilluar Ahithofeli Absalomit e pleqve të Izraelit, dhe çfarë i kishte këshilluar ai vetë.
16 Ai u tha: «Tani dërgojini menjëherë fjalë Davidit dhe paralajmërojeni: ‘Sonte mos qëndroni pranë vaut* të shkretëtirës, por kaloni se s’bën matanë lumit, përndryshe do të shfaroset mbreti dhe tërë njerëzit që janë me të.’»+
17 Tani, Jonatani+ dhe Ahimazi+ qëndronin në En-Rogel,+ jashtë qytetit të Jerusalemit, me qëllim që të mos i shihte askush. Kështu një shërbëtore vajti e u tregoi gjithçka, dhe ata nxituan që t’i raportonin mbretit David.
18 Megjithatë një i ri i pa dhe i tregoi Absalomit. Kështu, që të dy ikën me të shpejtë dhe vajtën në shtëpinë e një burri në Bahurim+ që kishte një pus në oborr. Ata u futën atje,
19 dhe gruaja e atij burri vuri një copë mbi grykën e pusit dhe e mbuloi me grurë të shtypur; askush nuk mori vesh për këtë gjë.
20 Shërbëtorët e Absalomit erdhën në këtë shtëpi dhe e pyetën gruan: «Ku janë Ahimazi dhe Jonatani?» Ajo iu përgjigj: «Kaluan këtej për te lumi.»+ Atëherë ata i kërkuan, por nuk i gjetën, prandaj u kthyen në Jerusalem.
21 Pasi shërbëtorët e Absalomit ikën, dy burrat dolën nga pusi dhe shkuan e i raportuan mbretit David. Ata thanë: «Shpejt, kaloni lumin, sepse Ahithofeli ka këshilluar kundër jush . . .»+
22 Menjëherë Davidi dhe gjithë njerëzit që ishin me të, filluan të kalonin Jordanin. Në agim nuk mbeti as edhe një pa e kaluar Jordanin.
23 Kur pa se nuk ishte vepruar sipas këshillës së tij, Ahithofeli i vuri samarin gomarit dhe shkoi në shtëpi në qytetin e vet.+ Pasi u la amanetet njerëzve të shtëpisë,+ vari veten.+ Kështu ai vdiq dhe e varrosën te varret e paraardhësve të tij.
24 Ndërkohë Davidi vajti në Mahanaim,+ kurse Absalomi kaloi Jordanin bashkë me gjithë burrat e Izraelit.
25 Në vend të Joabit,+ Absalomi vuri Amasën+ në krye të ushtrisë. Amasa ishte djali i një burri që quhej Ithra, izraeliti, i cili ishte lidhur me* Abigailën,+ vajzën e Nahashit, motrën e Zerujasë, nënës së Joabit.
26 Izraeli dhe Absalomi e ngritën kampin në vendin e Galadit.+
27 Sapo Davidi mbërriti në Mahanaim, Shobi, djali i Nahashit nga Rabahu+ i amonitëve, Makiri,+ djali i Amielit nga Lo-Debari, dhe Barzilai,+ një galadit nga Rogelimi,
28 sollën shtretër, legenë, enë balte, grurë, elb, miell, drithë të pjekur, bathë, thjerrëza, drithë të tharë,
29 mjaltë, gjalpë, dhen dhe djathë.* Ata ia çuan të gjitha këto Davidit dhe njerëzve që ishin me të që t’i hanin,+ sepse thanë: «Populli në shkretëtirë është i uritur, i lodhur e i etur.»+