Libri i dytë i Samuelit 19:1-43

  • Davidi mban zi për Absalomin (1-4)

  • Joabi qorton Davidin (5-8a)

  • Davidi kthehet në Jerusalem (8b-15)

  • Shimei kërkon falje (16-23)

  • Mefibosheti del i pafajshëm (24-30)

  • Barzilai nderohet (31-40)

  • Mosmarrëveshje mes fiseve (41-43)

19  Më vonë Joabin e njoftuan: «Mbreti po qan dhe po mban zi për Absalomin.»+  Kështu, fitorja* e asaj dite u kthye në zi për gjithë ushtarët, sepse ata dëgjuan se mbreti ishte bërë helm për të birin.  Atë ditë ushtarët u kthyen pa u ndier në qytet,+ ashtu si kthehen të turpëruar ata që ia kanë mbathur nga beteja.  Mbreti ndërkohë kishte mbuluar fytyrën dhe thërriste me zë të lartë: «Djali im Absalom! Absalom, djali im, djali im!»+  Atëherë Joabi hyri në shtëpinë e mbretit dhe i tha: «Sot ti ke mbuluar me turp tërë shërbëtorët e tu, që sot të shpëtuan jetën ty, djemve të tu,+ vajzave të tua,+ grave dhe konkubinave të tua.+  Ti do ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan, sepse sot ke treguar qartë se krerët dhe shërbëtorët e tu s’janë asgjë për ty. Jam i sigurt se sikur vetëm Absalomi të ishte gjallë sot dhe ne të tjerët të kishim vdekur, për ty s’do të kishte asnjë problem.  Çohu tani, dil dhe jepu zemër* shërbëtorëve të tu, sepse të betohem për Jehovain se po nuk dole, askush s’ka për të qëndruar më në anën tënde sonte. Kjo do të jetë për ty më keq se gjithë të këqijat që të kanë rënë që nga rinia e deri tani.»  Atëherë mbreti u çua, u ul te porta e qytetit dhe mbarë popullin e njoftuan: «Mbreti është ulur te porta.» Atëherë tërë populli shkoi para mbretit. Kurse ata të Izraelit ia kishin mbathur secili në shtëpinë e vet.+  Në të gjitha fiset e Izraelit, mbarë populli diskutonte dhe thoshte: «Mbreti na shpëtoi nga armiqtë tanë+ dhe na çliroi nga filistinët; por tani ia ka mbathur nga vendi për shkak të Absalomit.+ 10  Absalomi, që e mirosëm* për të qenë mbret mbi ne,+ ka vdekur në betejë.+ Pse nuk po bëni asgjë për ta kthyer mbretin?» 11  Mbreti David u çoi fjalë priftërinjve Sadok+ dhe Abiatar:+ «Thuajuni pleqve të Judës:+ ‘Pse të mos jeni ju të parët që ta ktheni mbretin në shtëpinë e vet? Këtu ku po banoj më ka ardhur lajmi se gjithë Izraeli dëshiron të më kthejë sërish. 12  Ju jeni vëllezërit e mi, jeni gjaku im.* Pse të jeni ju të fundit për ta kthyer mbretin?!’ 13  I thoni Amasës:+ ‘A nuk je ti gjaku im? Perëndia më ndëshkoftë ashpër, po s’të bëra që sot e tutje kreun e ushtrisë sime në vend të Joabit!’»+ 14  Kështu ai fitoi* zemrën e tërë burrave të Judës pa përjashtim, dhe ata i dërguan fjalë mbretit: «Kthehu ti dhe gjithë shërbëtorët e tu.» 15  Mbreti mori rrugën që të kthehej dhe arriti në Jordan. Populli i Judës vajti në Gilgal+ të takonte mbretin dhe ta shoqëronte matanë Jordanit. 16  Atëherë Shimei,+ biri i Geraut, beniaminiti nga Bahurimi, nxitoi dhe zbriti bashkë me burrat e Judës që të takonte mbretin David. 17  Me të ishin 1.000 burra nga Beniamini. Edhe Ziba,+ shërbëtori i shtëpisë së Saulit, bashkë me 15 djemtë e tij dhe 20 shërbëtorë nxituan që të shkonin në Jordan përpara mbretit. 18  Ziba* kaloi vaun* për të çuar matanë familjen e mbretit dhe për të bërë çdo gjë që dëshironte mbreti. Por, kur mbreti gati po kalonte Jordanin, Shimei, biri i Geraut, u përkul para tij 19  dhe i tha: «Të mos e mbaj llogari fajin tim, zotëria im dhe të mos e kujtojë të keqen që bëri shërbëtori yt+ ditën kur zotëria im, mbreti, doli nga Jerusalemi. Mbreti të mos mërzitet me shërbëtorin e tij, 20  sepse unë e di fare mirë se kam mëkatuar, prandaj sot zbrita i pari nga gjithë shtëpia e Jozefit për të takuar zotërinë tim, mbretin.» 21  Menjëherë Abishai,+ djali i Zerujasë,+ tha: «A nuk duhet të vritet Shimei ngaqë mallkoi të mirosurin e Jehovait?»+ 22  Por Davidi u përgjigj: «Ç’ju duhet juve, o djem të Zerujasë,+ që dilni kundër dëshirës sime sot? Asnjë s’ka për t’u vrarë sot në Izrael! Vërtet mendon se nuk e di që sot jam përsëri mbret i Izraelit?!» 23  Atëherë mbreti i tha Shimeit: «Ti nuk do të vdesësh.» Pastaj mbreti iu betua për këtë.+ 24  Edhe Mefibosheti,+ nipi i Saulit, zbriti që të takonte mbretin. Ai nuk ishte kujdesur për këmbët, nuk i kishte prerë mustaqet dhe nuk i kishte larë rrobat që nga dita kur mbreti iku e deri ditën kur u kthye në paqe. 25  Kur erdhi në* Jerusalem për të takuar mbretin, mbreti e pyeti: «Pse nuk erdhe me mua, Mefiboshet?» 26  Ai iu përgjigj: «Ma punoi shërbëtori im,+ o zotëria im mbret. Meqë jam sakat,+ unë thashë: ‘Më bëni gati gomarin, që të shkoj edhe unë me mbretin.’ 27  Por ai shpifi para zotërisë tim, mbretit,+ kundër shërbëtorit tënd. Megjithatë ti, o zotëria im mbret, je si një engjëll i Perëndisë së vërtetë, prandaj bëj si të të duket më mirë. 28  E gjithë shtëpia e babait tim meritonte ta dënoje me vdekje, o zotëria im mbret, e megjithatë mua, shërbëtorin tënd, më vure mes atyre që hanë në tryezën tënde.+ E me ç’të drejtë mund t’i kërkoj diçka më shumë mbretit?» 29  Megjithatë mbreti i tha: «Mos fol më për këtë punë. Kam vendosur që ti dhe Ziba ta ndani arën me njëri-tjetrin.»+ 30  Menjëherë Mefibosheti i tha mbretit: «Tani që zotëria im, mbreti, ka ardhur në paqe në shtëpinë e vet, le ta marrë ai të tërën.» 31  Edhe galaditi Barzilá+ zbriti nga Rogelimi për në Jordan që ta shoqëronte mbretin deri në Jordan. 32  Barzilai ishte shumë i moshuar, 80 vjeç. E meqë ishte shumë i pasur, ai e furnizoi me ushqim mbretin ndërkohë që qëndronte në Mahanaim.+ 33  Kështu mbreti i tha Barzilait: «Hajde matanë me mua dhe unë do të të siguroj ushqim në Jerusalem.»+ 34  Por Barzilai i tha mbretit: «Po edhe sa ditë jetë më kanë mbetur që të ngjitem me mbretin në Jerusalem? 35  Sot jam 80 vjeç.+ A mund ta dalloj të mirën nga e keqja? A mund ta shijoj atë që ha e pi? A mund ta dëgjoj ende zërin e këngëtarëve e të këngëtareve?+ Pse të të bëhem barrë edhe unë, shërbëtori yt, o zotëria im mbret? 36  Nuk ka nevojë të më shpërblesh, o mbret. Për mua është nder edhe vetëm që të të shoqëroj deri në Jordan. 37  Të lutem, lëre shërbëtorin tënd të kthehet dhe lërmë të vdes në qytetin tim, pranë varrit të babait dhe të nënës sime.+ Ja ku është shërbëtori yt, Kimhami.+ Le të vijë ai me zotërinë tim, mbretin, dhe ti mund të bësh për Kimhamin si të të dojë zemra.» 38  Atëherë mbreti tha: «Kimhami do të vijë me mua dhe do të bëj për të çfarë të të dojë zemra ty. Çfarëdo që të më kërkosh, do ta bëj për ty.» 39  Pastaj gjithë populli nisi të kalonte Jordanin. Pak para se të kalonte matanë, mbreti e puthi dhe e bekoi Barzilain;+ e kështu Barzilai u kthye në shtëpi. 40  Kur mbreti kaloi matanë në Gilgal,+ me të kaloi edhe Kimhami. Gjithë populli i Judës dhe gjysma e popullit të Izraelit e shoqëruan mbretin teksa kalonte lumin.+ 41  Pastaj pjesa tjetër e burrave të Izraelit vajtën te mbreti dhe e pyetën: «Pse vëllezërit tanë, burrat e Judës, të morën vjedhurazi ty, o mbret, dhe të çuan matanë Jordanit bashkë me familjen tënde dhe me gjithë njerëzit e tu?»+ 42  Gjithë burrat e Judës iu përgjigjën burrave të Izraelit: «Ngaqë mbreti është i afërmi ynë.+ Pse jeni zemëruar për këtë? Mos kemi ngrënë gjë me shpenzimet e mbretit, apo mos na është dhënë ndonjë dhuratë?» 43  Por burrat e Izraelit u thanë burrave të Judës: «Ne jemi dhjetë fise, prandaj na takon neve ta mbështetim Davidin më shumë se juve. Pse na keni trajtuar me përçmim? A nuk duhej të ishim ne të parët që ta kthenim përsëri mbretin?» Por burrave të Judës u peshoi më shumë fjala se burrave të Izraelit.

Shënimet

Ose «shpëtimi».
Fjalë për fjalë «foli zemrës».
Fjalë për fjalë «kocka dhe mishi im».
Fjalë për fjalë «ai ktheu».
Një mundësi tjetër «Ata».
Një mundësi tjetër «nga».