Libri i dytë i Samuelit 4:1-12
4 Kur dëgjoi se Abneri kishte vdekur në Hebron,+ birit të Saulit, Ish-Boshethit,+ iu prenë krahët* dhe gjithë izraelitët u tronditën.
2 Tani, biri i Saulit kishte dy njerëz që ishin në krye të bandave plaçkitëse; njëri quhej Banah, kurse tjetri Rekab. Këta ishin djemtë e berotitit Rimon, nga fisi i Beniaminit. (Edhe Beroti+ llogaritej si pjesë e Beniaminit.
3 Berotitët ia mbathën në Gitaim+ dhe jetojnë atje si të huaj deri sot e kësaj dite.)
4 Tani, Jonatani,+ biri i Saulit, kishte një djalë të gjymtuar nga këmbët.*+ Ai ishte pesë vjeç kur erdhi lajmi nga Jezreli+ për Saulin dhe Jonatanin. Atë ditë, kujdestarja e vet e mori në krahë dhe ia mbathi, por, teksa ajo po vraponte në panik, djali i ra dhe mbeti i gjymtuar. Ai quhej Mefiboshet.+
5 Kështu, pra, djemtë e berotitit Rimon, Rekabi dhe Banahu, shkuan në shtëpinë e Ish-Boshethit në pisk të vapës, ndërsa ky po merrte një sy gjumë në drekë.
6 Ata hynë në shtëpi sikur do të merrnin grurë, por e goditën Ish-Boshethin në bark dhe ia mbathën.
7 Kur Rekabi dhe vëllai i tij, Banahu,+ kishin hyrë në shtëpi, Ish-Boshethi ishte në shtrat në dhomën e vet. Pasi e vranë, ata i prenë kokën e ia morën me vete dhe gjatë gjithë natës ecën për në Arabah.
8 Kokën e Ish-Boshethit+ ia çuan Davidit në Hebron, dhe i thanë mbretit: «Ja ku e ke kokën e Ish-Boshethit, birit të Saulit, armikut+ që kërkonte të ta merrte jetën.+ Sot Jehovai mori hak për zotërinë tim, mbretin, kundër Saulit dhe pasardhësve të tij.»
9 Megjithatë Davidi iu përgjigj Rekabit dhe Banahut, vëllait të tij, djemve të berotitit Rimon: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, ai që më shpëtoi* nga të gjitha vuajtjet,+
10 e kapa dhe e vrava+ në Ziklag atë burrë që më lajmëroi se Sauli kishte vdekur+ dhe që kujtonte se po më sillte lajm të mirë. Ky ishte shpërblimi që mori nga unë!
11 Aq më shumë do t’ua bëj këtë njerëzve të ligj që kanë vrarë një njeri të drejtë në shtëpinë e tij, në shtratin e vet! A nuk duhet ta kërkoj gjakun e tij nga duart tuaja?!+ A nuk duhet t’ju fshij nga faqja e dheut?!»
12 Pastaj Davidi u dha urdhër burrave që t’i vrisnin.+ Ata u prenë duar e këmbë dhe i varën+ pranë rezervuarit të Hebronit. Kurse kokën e Ish-Boshethit e morën dhe e varrosën te varri i Abnerit në Hebron.
Shënimet
^ Ose «s’i mbeti fije guximi».
^ Ose «të çalë».
^ Ose «më shpengoi». Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».