Libri i dytë i Samuelit 7:1-29
7 Kur banonte në shtëpinë e vet*+ dhe Jehovai i kishte dhënë prehje nga të gjithë armiqtë përreth,
2 mbreti i tha profetit Natan:+ «Ja, unë banoj në një shtëpi me dru cedri,+ ndërkohë që Arka e Perëndisë së vërtetë qëndron mes pëlhurave të tendës.»+
3 Natani i tha mbretit: «Shko e bëj çfarë ke në zemër, se Jehovai është me ty.»+
4 Po atë natë, Jehovai i drejtoi këtë fjalë Natanit:
5 «Shko e thuaji shërbëtorit tim, Davidit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Nuk do të ma ndërtosh ti shtëpinë ku do të banoj.+
6 Unë nuk kam banuar në një shtëpi që nga dita kur nxora nga Egjipti popullin e Izraelit e deri më sot,+ por kam lëvizur* nga një vend në tjetrin ndërsa banoja në tendë e në tabernakull.+
7 Gjatë gjithë kohës që lëviza me izraelitët,* a i thashë vallë ndonjërit prej prijësve të fiseve të Izraelit që i caktova të kullotnin popullin tim, Izraelin: “Pse nuk më ndërtuat një shtëpi me dru cedri?’”
8 Tani thuaji këtë shërbëtorit tim, Davidit: “Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Unë të mora nga kullotat, ndërsa shkoje pas kopesë,+ që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit.+
9 Unë do të jem me ty kudo që të shkosh+ e do të shfaros tërë armiqtë e tu para teje.+ Unë do ta bëj emrin tënd të madh,+ si emrin e të mëdhenjve që janë mbi faqen e dheut.
10 Do t’i caktoj një vend popullit tim, Izraelit, e do ta vendos që të banojë atje, dhe askush nuk do ta shqetësojë më; njerëzit e ligj nuk do ta shtypin sërish si bënë në të kaluarën,+
11 që prej ditës që caktova gjykatës+ për popullin tim, Izraelin. Unë do të të jap prehje nga tërë armiqtë e tu.+
Gjithashtu, Jehovai të ka thënë se Jehovai do të të bëjë një shtëpi.*+
12 Kur ditët e tua të mbarojnë+ dhe të prehesh me paraardhësit e tu, atëherë unë do të nxjerr pas teje një pasardhës,* birin tënd,* dhe do ta bëj të patundur mbretërinë e tij.+
13 Pikërisht ai do të ndërtojë një shtëpi për emrin tim+ dhe unë do ta bëj të patundur fronin e mbretërisë së tij përgjithmonë.+
14 Unë do të bëhem ati i tij dhe ai do të bëhet biri im.+ Kur ai të gabojë, unë do ta korrigjoj me shkopin e disiplinës dhe do ta ndëshkoj me të goditura, siç bëjnë njerëzit.*+
15 Nuk do ta largoj nga ai dashurinë time besnike, siç e largova prej Saulit,+ të cilin e hoqa para syve të tu.
16 Shtëpia dhe mbretëria jote kanë për të qenë të sigurta përgjithmonë. Froni yt do të jetë i patundur përjetë.’”»+
17 Natani i tregoi Davidit gjithë këto fjalë dhe tërë këtë vegim.*+
18 Atëherë mbreti David hyri, u ul para Jehovait dhe tha: «Kush jam unë, o Zotëri Sovran Jehova?! E ç’është shtëpia ime që më ke sjellë deri këtu?!+
19 Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, o Zotëri Sovran Jehova, ti flet për shtëpinë e shërbëtorit tënd deri në një të ardhme të largët; dhe ky ligj* është për gjithë njerëzimin, o Zotëri Sovran Jehova.
20 Ç’mund të të them më tepër unë, kur ti e njeh kaq mirë shërbëtorin tënd,+ o Zotëri Sovran Jehova?
21 Për hir të fjalës sate dhe sipas asaj që ke në zemër,* ti ke bërë gjithë këto gjëra madhështore dhe ia ke treguar shërbëtorit tënd.+
22 Ja pse ti je vërtet i madh,+ o Zotëri Sovran Jehova. Nuk ka tjetër si ti+ dhe nuk ka Perëndi përveç teje;+ gjithçka që kemi dëgjuar me veshët tanë e vërteton këtë.
23 Cili komb tjetër në tokë është si populli yt, Izraeli?+ O Perëndi, ti shkove dhe e shpengove* si popullin tënd,+ dhe i bëre një emër vetes+ duke kryer për të gjëra madhështore e që të mahnitin.+ Ti i dëbove kombet dhe perënditë e tyre për hir të popullit tënd, të cilin ti vetë e shpengove nga Egjipti.
24 Ti e bëre Izraelin popullin tënd përgjithnjë.+ Ti, o Jehova, je bërë Perëndia i tyre.+
25 Tani, o Perëndi Jehova, mbaje përgjithmonë premtimin që bëre për shërbëtorin tënd e shtëpinë e tij, dhe bëj ashtu siç premtove.+
26 Emri yt u lartësoftë përjetë,+ që njerëzit të thonë: ‘Jehovai i ushtrive është Perëndia i Izraelit!’ Qoftë e patundur para teje shtëpia e shërbëtorit tënd David!+
27 Se ti, o Jehova i ushtrive, Perëndia i Izraelit, ia tregove këtë shërbëtorit tënd me fjalët: ‘Unë do të të ndërtoj një shtëpi.’*+ Ja pse shërbëtori yt mori guximin* që të të drejtohet me këtë lutje.
28 Ti, pra, o Zotëri Sovran Jehova, je Perëndia i vërtetë. Fjalët e tua janë të vërteta+ dhe ti ia premtove këto gjëra të mira shërbëtorit tënd.
29 Prandaj qoftë dëshira jote ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd dhe qëndroftë kjo shtëpi përgjithmonë para teje,+ ashtu si ti, o Zotëri Sovran Jehova, ke premtuar! Qoftë shtëpia e shërbëtorit tënd përherë e bekuar nga ti!»+
Shënimet
^ Ose «pallatin mbretëror».
^ Fjalë për fjalë «kam ecur».
^ Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit».
^ Ose «dinasti».
^ Fjalë për fjalë «farë». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «një që do të dalë nga brendësia jote».
^ Një mundësi tjetër «bijtë e Adamit».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «udhëzim».
^ Ose «dhe në përputhje me vullnetin tënd».
^ Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
^ Ose «dinasti».
^ Fjalë për fjalë «ka gjetur zemrën».