Libri i dytë i Samuelit 9:1-13
-
Davidi tregon dashuri besnike për Mefiboshetin (1-13)
9 Atëherë Davidi tha: «A ka mbetur ende ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të tregoj dashuri besnike për hir të Jonatanit?»+
2 Tani, në shtëpinë e Saulit ishte një shërbëtor që quhej Ziba.+ Atë e thirrën të paraqitej para Davidit dhe mbreti e pyeti: «Ti je Ziba?» Ai iu përgjigj: «Jam shërbëtori yt.»
3 Mbreti vazhdoi: «A ka mbetur ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të tregoj dashurinë besnike të Perëndisë?» Ziba i tha mbretit: «Është ende një djalë i Jonatanit që është i gjymtuar* nga këmbët.»+
4 Mbreti e pyeti: «Ku është?» Ziba iu përgjigj: «Është në shtëpinë e Makirit,+ birit të Amielit, në Lo-Debar.»
5 Menjëherë mbreti David dërgoi njerëz që ta merrnin nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lo-Debar.
6 Sapo hyri te Davidi, Mefibosheti, djali i Jonatanit, që ishte i biri i Saulit, u përkul menjëherë me fytyrë përtokë. Atëherë Davidi i tha: «Mefiboshet!», e ai ia ktheu: «Ja ku është shërbëtori yt.»
7 Davidi vazhdoi: «Mos ki frikë, sepse unë do të të tregoj patjetër dashuri besnike+ për hir të Jonatanit, babait tënd. Do të të kthej gjithë tokat e gjyshit tënd, Saulit, dhe ti do të hash bukë gjithnjë në tryezën time.»+
8 Me të dëgjuar këtë, Mefibosheti ra përmbys dhe tha: «E ç’është shërbëtori yt që të kthesh sytë* nga një qen i ngordhur+ si unë?»
9 Mbreti thirri Zibën, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: «Gjithçka që i përkiste Saulit dhe shtëpisë së tij unë ia jap nipit të zotërisë tënd.+
10 Ti, djemtë dhe shërbëtorët e tu do ta kultivoni tokën për të dhe do të mblidhni prodhimin, që t’i siguroni ushqim familjes së nipit të zotërisë tënd. Kurse Mefibosheti, nipi i zotërisë tënd, do të hajë gjithnjë në tryezën time.»+
Ziba kishte 15 djem dhe 20 shërbëtorë.+
11 Atëherë Ziba i tha mbretit: «Shërbëtori yt do të veprojë siç urdhëron zotëria im, mbreti.» Kështu Mefibosheti hante në tryezën e Davidit* si të ishte një nga bijtë e mbretit.
12 Mefibosheti kishte edhe një djalë të vogël që quhej Mikai.+ Të gjithë ata që banonin në shtëpinë e Zibës, u bënë shërbëtorë të Mefiboshetit.
13 Ndërkohë Mefibosheti banonte në Jerusalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit;+ ai ishte i gjymtuar nga të dyja këmbët.+