Letra e dytë drejtuar Timoteut 1:1-18
1 Pavli, apostull i Krishtit Jezu falë vullnetit të Perëndisë, në përputhje me premtimin e jetës që vjen përmes Krishtit Jezu,+
2 drejtuar Timoteut, një biri të dashur:+
Mirësia e pamerituar,* mëshira dhe paqja nga Perëndia, Ati, si edhe nga Krishti Jezu, Zotëria ynë, qofshin me ty!
3 I jam mirënjohës Perëndisë, të cilit po i bëj shërbim të shenjtë si paraardhësit e mi dhe me ndërgjegje të pastër, ndërsa të kujtoj pa pushim në përgjërimet e mia natë e ditë.
4 Sa herë kujtoj lotët e tu, më pushton malli që të të shoh e të më mbushet zemra me gëzim,
5 sepse sjell ndër mend besimin tënd pa hipokrizi,+ që në fillim e kishte gjyshja jote Loida dhe nëna jote Eunika, e që jam i sigurt se e ke edhe ti.
6 Për këtë arsye të kujtoj ta mbash të ndezur si zjarr dhuratën e Perëndisë, e cila t’u dha kur vura duart mbi ty,*+
7 sepse Perëndia nuk na dha frymën e frikacakëve,+ por të fuqisë,+ të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë.
8 Prandaj, të mos të vijë turp as nga dëshmia për Zotërinë tonë,+ as nga unë, i burgosur për hir të tij, por ji gati të vuash edhe ti+ për lajmin e mirë, duke u mbështetur te fuqia e Perëndisë.+
9 Ai na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë,+ jo falë veprave tona, por falë qëllimit dhe mirësisë së tij të pamerituar.+ Kjo mirësi na u dha shumë kohë më parë nëpërmjet Krishtit Jezu,
10 por tani është bërë qartësisht e dukshme nëpërmjet shfaqjes së Shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu,+ i cili ka shfuqizuar vdekjen+ dhe na ka treguar nëpërmjet lajmit të mirë+ si të kemi jetë+ e një trup që nuk shkatërrohet.+
11 E për këtë lajm unë u emërova predikues, apostull dhe mësues.+
12 Pikërisht për këtë arsye po i vuaj këto gjëra,+ por nuk më vjen turp,+ sepse e njoh Perëndinë* të cilit i kam besuar dhe jam i sigurt se ai është në gjendje ta ruajë atë që i kam lënë nën kujdes deri në ditën e caktuar.+
13 Vazhdo t’i përmbahesh modelit* të fjalëve të dobishme*+ që dëgjove nga unë, ndërsa tregon atë besim e dashuri që vjen kur je në unitet me Krishtin Jezu.
14 Këtë gjë të shkëlqyer që të është besuar, ruaje nëpërmjet frymës së shenjtë që është te ne.+
15 Ti e di se të gjithë njerëzit në provincën e Azisë+ më kanë kthyer krahët, ndër ta edhe Figeli e Hermogeni.
16 Zotëria u dhëntë mëshirë atyre të shtëpisë së Onesiforit,+ sepse ai më ka sjellë shpeshherë freskim dhe nuk i ka ardhur turp për vargonjtë e mi.
17 Përkundrazi, kur ishte në Romë, më kërkoi me ngulm dhe më gjeti.
18 Zotëria Jehova* i dhëntë mëshirë ditën e caktuar! E ti e di fare mirë sa shumë më shërbeu kur isha në Efes.
Shënimet
^ Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
^ Fjalë për fjalë «Atë».
^ Ose «standardit».
^ Fjalë për fjalë «të shëndosha».
^ Shih Shtojcën A5.