Efesianëve 1:1-23

  • Përshëndetje (1, 2)

  • Bekime nga Perëndia (3-7)

  • Mbledhja e të gjitha gjërave në Krishtin (8-14)

    • «Një administrim» në kohët e caktuara (10)

    • Vulosja me frymën e shenjtë si kapar (13, 14)

  • Pavli falënderon Perëndinë për besimin e efesianëve dhe lutet për ta (15-23)

1  Pavli, apostull i Krishtit Jezu falë vullnetit të Perëndisë, drejtuar të shenjtëve* në Efes,+ besnikëve që janë në unitet me Krishtin Jezu:  Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju!  Lëvduar qoftë Perëndia, Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, sepse na ka dhënë çdo bekim në vendet qiellore nëpërmjet frymës së shenjtë, ngaqë jemi në unitet me Krishtin.+  Ai na zgjodhi të jemi në unitet me të* përpara se të themelohej bota, me qëllim që të jemi të shenjtë e të patëmetë+ përpara Tij në dashuri.  Në të vërtetë, ai paravendosi+ të na birësonte+ nëpërmjet Jezu Krishtit, sipas pëlqimit dhe vullnetit të vet,+  që të lëvdohet për mirësinë e tij të pamerituar e të lavdishme,+ të cilën na e dha përzemërsisht me anë të Birit të vet të dashur.+  Falë Birit të tij jemi çliruar, nëpërmjet shpërblesës që pagoi me gjakun e vet,+ po, na janë falur shkeljet,*+ sipas pasurisë së madhe të mirësisë së pamerituar të Perëndisë.  Ai na e dha këtë mirësi të pamerituar pa kursim, si edhe plot me mençuri dhe aftësi për të kuptuar,*  duke na zbuluar sekretin e shenjtë+ të vullnetit të tij. E në përputhje me vullnetin* dhe qëllimin e tij, 10  ai vendosi një administrim* që, kur të përmbusheshin kohët e caktuara, të mblidhte së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë.+ Po, në Krishtin, 11  me të cilin jemi në unitet dhe u caktuam si trashëgimtarë,+​—përderisa u paravendosëm sipas qëllimit të Perëndisë, i cili plotëson çdo gjë që vendos në bazë të vullnetit të vet—​ 12  me qëllim që Perëndia të lëvdohej e të merrte lavdi përmes nesh, të parët që shpresuam te Krishti. 13  Por edhe ju shpresuat në të pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, lajmin e mirë për shpëtimin tuaj. E pasi besuat, ju u vulosët+ nëpërmjet tij me frymën e shenjtë të premtuar, 14  që është kapari* i trashëgimisë sonë,+ me qëllim që zotërimi i Perëndisë+ të çlirohej nëpërmjet një shpërblese,+ në lavdi dhe lëvdim të Tij. 15  Ja pse, edhe unë, meqë kam dëgjuar për besimin që keni te Zotëria Jezu dhe dashurinë që tregoni për gjithë të shenjtët, 16  e falënderoj pareshtur Perëndinë për ju. Vazhdoj t’ju përmend në lutjet e mia, 17  që Perëndia i Zotërisë tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë mençuri dhe aftësi për të kuptuar gjërat që zbulon* ndërsa fitoni njohuri të saktë për të.+ 18  Ai ju ka hapur sytë e zemrës që të dini se për cilën shpresë ju thirri, se ç’pasuri të lavdishme ruan si trashëgimi për të shenjtët+ 19  dhe sa e jashtëzakonshme është forca e tij e madhe, e cila vepron te ne besimtarët.+ Kjo forcë e madhe u pa në veprim 20  kur ngriti Krishtin nga të vdekurit dhe e uli në të djathtën e vet+ në vendet qiellore, 21  shumë më lart se çdo qeveri, autoritet, pushtet, sundim dhe çdo emër që përmendet,+ jo vetëm në këtë sistem,* por edhe në atë që do të vijë. 22  Gjithashtu, Ai nënshtroi çdo gjë nën këmbët e tij+ dhe e bëri atë krye mbi gjithçka në kongregacion,*+ 23  që është trupi i tij,+ plotësia e atij që bën të plotë çdo gjë në gjithçka.

Shënimet

Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.
Domethënë, me Krishtin.
Ose «fajet».
Ose «gjykim të shëndoshë».
Ose «pëlqimin».
Ose «të administronte gjërat».
Ose «parapagesa (paradhënia); garancia (pengu)».
Fjalë për fjalë «frymën e mençurisë dhe të zbulesës».
Ose «në këtë kohë; në këtë rend». Shih Fjalorthin.