Efesianëve 6:1-24
6 Fëmijë, bindjuni prindërve+ në unitet me Zotërinë,* sepse kjo është e drejtë.
2 «Ndero babanë dhe nënën tënde»+ është urdhërimi i parë me premtimin:
3 «Që të kesh sukses* dhe të jetosh gjatë në tokë.»
4 Dhe ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj,+ por vazhdoni t’i rritni me disiplinën*+ dhe me këshillat* e Jehovait.*+
5 Ju skllevër, jini të bindur ndaj zotërinjve tuaj në tokë*+ me frikë e dridhma, me zemër të çiltër, si ndaj Krishtit,
6 e jo vetëm në sy të të tjerëve,* sa për t’u pëlqyer njerëzve,+ por si skllevër të Krishtit që bëjnë me gjithë shpirt* vullnetin e Perëndisë.+
7 Shërbejuni zotërinjve tuaj me gatishmëri, si për Jehovain*+ e jo si për njerëzit,
8 sepse e dini që Jehovai* do t’ia shpërblejë secilit çfarëdo të mire që do të bëjë,+ skllav a i lirë qoftë.
9 Edhe ju, zotërinj, trajtojini në të njëjtën mënyrë, pa i kërcënuar, sepse e dini se Zotëria i tyre dhe juaji është në qiej,+ dhe ai nuk është i anshëm.
10 Së fundi, vazhdoni të merrni forcë+ nga Zotëria dhe nga fuqia e tij e madhe.
11 Vishni armaturën e plotë+ që jep Perëndia, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur përballë intrigave* të Djallit,
12 sepse ne nuk kemi një betejë*+ me krijesat prej mishi e gjaku, por me qeveritë, me autoritetet, me sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga qiellore+ lart në qiej.
13 Prandaj merrni armaturën e plotë që jep Perëndia,+ që të jeni në gjendje t’u bëni ballë në ditë të ligë dhe, pasi të jeni bërë plotësisht gati, të qëndroni të patundur.
14 Qëndroni, pra, të patundur, me brezin e së vërtetës të ngjeshur në mes,+ të veshur me parzmoren e drejtësisë,+
15 me këmbët të mbathura, gati për të shpallur lajmin e mirë të paqes.+
16 Përveç tyre, merrni mburojën e madhe të besimit,+ me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat* e zjarrta të të Ligut.+
17 Merrni edhe helmetën* e shpëtimit+ dhe shpatën e frymës, domethënë, fjalën e Perëndisë.+
18 Ndërkaq, vazhdoni të luteni në çdo rast nën drejtimin e frymës së shenjtë+ me çdo lloj lutjeje+ e përgjërimi. Me këtë në mendje, rrini zgjuar që të përgjëroheni pareshtur për gjithë të shenjtët.
19 Lutuni edhe për mua, që të më vijnë fjalët e duhura kur ta hap gojën për ta bërë të njohur pa frikë sekretin e shenjtë të lajmit të mirë,+
20 për të cilin po veproj si ambasador+ nën vargonj, dhe që të flas për të me guxim, siç duhet të flas.
21 Tani, që edhe ju të dini si jam e si po ia kaloj, Tikiku,+ një vëlla i dashur dhe shërbëtor besnik në Zotërinë, do t’ju tregojë gjithçka.+
22 Pikërisht për këtë qëllim po e dërgoj te ju, që të dini si jemi dhe t’ju ngushëllojë zemrat.
23 Vëllezërit paçin paqe dhe dashuri plot besim nga Perëndia Atë dhe nga Zotëria Jezu Krisht!
24 Mirësia e pamerituar e Perëndisë qoftë me të gjithë ata që e duan Zotërinë tonë Jezu Krisht me dashuri të pashtershme!
Shënimet
^ Ose «në përputhje me vullnetin e Zotërisë».
^ Ose «Që të të vejë mbarë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «mësimet; drejtimin». Fjalë për fjalë «t’u vini mendjen».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Fjalë për fjalë «sipas mishit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «sa për sy e faqe».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «kurtheve».
^ Fjalë për fjalë «përleshje».
^ Ose «heshtat; shtizat».
^ Ose «përkrenaren».