Gjykatësit 15:1-20

  • Samsoni hakmerret kundër filistinëve (1-20)

15  Pas njëfarë kohe, gjatë ditëve të korrjes së grurit, Samsoni shkoi të vizitonte të shoqen dhe i çoi një kec. Ai i tha babait të saj: «Dua të shkoj te gruaja ime në dhomën e gjumit.»* Por ai nuk e la të hynte  dhe i tha: «Unë isha i sigurt se ti e urreje,+ kështu ia dhashë njërit prej shoqëruesve të tu+ kur ishe dhëndër. Motra e saj më e vogël është më e bukur, prandaj, të lutem, merr atë në vend të saj.»  Por Samsoni tha: «Këtë herë filistinët nuk mund të më quajnë fajtor, nëse u bëj ndonjë të keqe.»  Kështu Samsoni shkoi e zuri 300 dhelpra. Pastaj mori pishtarë, i lidhi dhelprat dy e nga dy nga bishtat dhe midis dy bishtave vuri nga një pishtar.  Pastaj i ndezi pishtarët dhe i lëshoi dhelprat nëpër fushat e filistinëve që ishin me drithë të pakorrur. I vuri zjarrin çdo gjëje, nga duajt deri te drithi i pakorrur, si edhe vreshtave dhe ullishteve.  Atëherë filistinët pyetën: «Kush e bëri këtë?» U thanë: «Samsoni, dhëndri i timnitit, sepse ky ia mori gruan e ia dha njërit prej shoqëruesve të tij.»+ Prandaj filistinët vajtën e i vunë flakën asaj dhe të atit.+  Atëherë Samsoni u tha: «Meqë vepruat kështu, s’do të pushoj derisa të hakmerrem kundër jush.»+  Pastaj bëri kërdinë dhe i vrau njëri pas tjetrit.* Më pas zbriti e qëndroi në një shpellë* në shkrepin e Etamit.  Më vonë, filistinët erdhën, ngritën kampin në Judë dhe shkuan gjithandej nëpër Lehi.+ 10  Atëherë burrat e Judës thanë: «Pse keni dalë kundër nesh?» Ata iu përgjigjën: «Për të kapur rob* Samsonin e për t’ia bërë si na e bëri ai neve.» 11  Kështu 3.000 burra nga Juda zbritën në shpellën e shkrepit të Etamit e i thanë Samsonit: «Nuk e di ti që filistinët sundojnë mbi ne?+ Pse na e bëre këtë?» Ai u tha: «Si ma bënë ata, ashtu ua bëra edhe unë.» 12  Por ata i thanë: «Ne kemi ardhur të të kapim rob* e të të dorëzojmë te filistinët.» Atëherë Samsoni u tha: «M’u betoni se nuk do të vini dorë mbi mua.» 13  Ata i thanë: «Jo, ne vetëm do të të lidhim e do të të dorëzojmë tek ata. Nuk do të të vrasim.» Kështu e lidhën me dy litarë të rinj dhe e nxorën nga shkrepi. 14  Kur arriti në Lehi, filistinët lëshuan britma fitoreje sapo e panë. Atëherë fryma e Jehovait i dha fuqi Samsonit+ dhe litarët që kishte në krahë u bënë si fije liri të zhuritura nga zjarri, u shkrinë dhe i ranë nga duart.+ 15  Ai gjeti nofullën e një gomari të ngordhur nga pak kohë, zgjati dorën, e mbërtheu dhe vrau me të 1.000 burra.+ 16  Pastaj Samsoni tha: «Me një nofull gomari i bëra ata një pirg e dy pirgje! Me një nofull gomari vrava 1.000 burra!»+ 17  Pasi tha këto fjalë, ai e flaku tej nofullën dhe e quajti atë vend Ramat-Lehi.*+ 18  Pastaj e mori shumë etja dhe iu lut Jehovait: «Ti e solle këtë shpëtim të madh me dorën e shërbëtorit tënd. Por tani, a duhet të vdes nga etja dhe të bie në duart e të parrethprerëve?» 19  Atëherë Perëndia hapi një zgavër në Lehi, dhe prej saj doli ujë.+ Kur piu ujë, iu kthyen fuqitë* dhe e mori veten. Prandaj e quajti atë vend En-Hakore* që gjendet edhe sot e kësaj dite në Lehi. 20  Ai ishte gjykatës në Izrael për 20 vjet në kohën e filistinëve.+

Shënimet

Ose «dhomën e brendshme».
Ose «dhe bëri pirgje me këmbët e me kofshët e tyre».
Ose «të çarë».
Ose «Për të lidhur».
Ose «të të lidhim».
Do të thotë «kodra e nofullës».
Fjalë për fjalë «iu kthye fryma».
Do të thotë «burimi i atij që thërret».