Gjykatësit 16:1-31

  • Samsoni në Gazë (1-3)

  • Samsoni dhe Delila (4-22)

  • Samsoni hakmerret dhe vdes (23-31)

16  Njëherë Samsoni vajti në Gazë. Atje pa një prostitutë dhe shkoi tek ajo.  Atëherë gazitëve u thanë: «Samsoni ka ardhur këtu.» Kështu ata e rrethuan dhe i zunë pritë gjithë natën te porta e qytetit. Tërë natën qëndruan pa bërë zhurmë dhe thoshin me vete: «Kur të zbardhë dita, do ta vrasim.»  Mirëpo Samsoni qëndroi shtrirë deri në mesnatë. Pastaj u ngrit, kapi fort dyert e portës së qytetit dhe dy mbajtëset anësore e i shkuli bashkë me shulin. I ngarkoi mbi supe dhe i çoi në majë të malit që gjendet përballë Hebronit.  Pas kësaj, ai ra në dashuri me një grua nga lugina e Sorekut,* që quhej Delila.+  Prandaj sundimtarët filistinë shkuan tek ajo dhe i thanë: «Punoji ndonjë rreng*+ e zbulo se nga i vjen kjo fuqi kaq e madhe, si mund ta bëjmë zap, ta lidhim dhe ta mposhtim. Për këtë do të të japim secili nga 1.100 monedha argjendi.»  Më vonë, Delila i tha Samsonit: «Të lutem, tregomë se nga vjen fuqia jote e madhe dhe ç’mund të përdoret për të të lidhur dhe për të të mposhtur.»  Samsoni iu përgjigj: «Nëse më lidhin me shtatë fije harqesh* të njoma e të pathara, unë do të bëhem i dobët si një njeri i zakonshëm.»  Kështu sundimtarët filistinë i çuan asaj shtatë fije harqesh të njoma e të pathara, dhe ajo e lidhi me to.  Ata zunë pritë në dhomën e brendshme, dhe ajo i thirri: «Samson, po të vërsulen filistinët!» Atëherë ai i këputi fijet e harqeve aq kollaj sa këputet fija e lirit kur prek zjarrin.+ Kështu sekreti i fuqisë së tij nuk u zbulua. 10  Më pas Delila i tha Samsonit: «Ti më mashtrove* e më the gënjeshtra. Tregomë, pra të lutem, çfarë mund të përdoret për të të lidhur.» 11  Ai ia ktheu: «Nëse më lidhin me litarë të rinj, që nuk janë përdorur për punë, unë do të bëhem i dobët si një njeri i zakonshëm.» 12  Kështu, Delila mori litarë të rinj, e lidhi me ta dhe i thirri: «Samson, po të vërsulen filistinët!» (Ndërkohë njerëzit që ishin vënë në pritë, rrinin në dhomën e brendshme.) Atëherë ai i këputi litarët që kishte në krahë si të ishin fije peri.+ 13  Pas kësaj Delila i tha Samsonit: «Deri tani më ke mashtruar e më ke thënë gënjeshtra.+ Tregomë çfarë mund të përdoret për të të lidhur.» Atëherë ai i tha: «Mjafton t’i endësh shtatë gërshetat e kokës sime me fillin e tezgjahut.»* 14  Kështu ajo ia kapi me krehërin e tezgjahut e i thirri: «Samson, po të vërsulen filistinët!» Ai u zgjua nga gjumi dhe e shkuli krehërin bashkë me fillin e tezgjahut. 15  Atëherë ajo i tha: «Si mund të më thuash ‘Të dua’,+ kur zemra jote nuk më beson? Tri herë me radhë më mashtrove e nuk më tregove burimin e fuqisë sate të madhe.»+ 16  Ngaqë nuk e linte rehat ditë pas dite dhe ia plasi shpirtin, ai u lodh aq sa donte të vdiste.+ 17  Kështu në fund ia hapi zemrën dhe i tha: «Mbi kokën time nuk ka kaluar kurrë brisku, sepse jam nazire i Perëndisë që nga lindja.*+ Nëse kjo do të ndodhte, fuqia ime do të ikte e do të bëhesha i dobët e si gjithë të tjerët.» 18  Kur pa se ai ia hapi zemrën, Delila thirri menjëherë sundimtarët filistinë+ e u tha: «Ejani këtë herë, sepse ai ma hapi zemrën.» Kështu ata vajtën tek ajo me paratë me vete. 19  Delila e vuri të flinte mbi gjunjët e saj e pastaj thirri një burrë që ia preu shtatë gërshetat me brisk. Pas kësaj, ajo e kishte në dorë, sepse atij po i ikte fuqia. 20  Atëherë ajo i thirri: «Samson, po të vërsulen filistinët!» Ai u zgjua nga gjumi dhe tha: «Do t’ia dal që të çlirohem si herët e tjera.»+ Por ai nuk e dinte se Jehovai e kishte braktisur. 21  Kështu, filistinët e kapën dhe ia nxorën sytë. Pastaj e çuan në Gazë, e lidhën me dy vargonj bakri dhe e vunë të bluante grurë në burg. 22  Por flokët nisën t’i rriteshin përsëri pasi ia kishin prerë me brisk.+ 23  Atëherë sundimtarët filistinë u mblodhën t’i bënin një flijim të madh Dagonit,+ perëndisë së tyre, e të festonin sepse thoshin: «Perëndia ynë na e dha në dorë Samsonin, armikun tonë!» 24  Kur e pa atë,* populli i thuri lavde perëndisë së vet dhe tha: «Perëndia ynë na e dha në dorë armikun tonë, atë që na e shkretoi vendin+ dhe që vrau shumë prej nesh.»+ 25  Plot hare në zemër, ata thanë: «Thërrisni Samsonin që të na argëtojë ca.» Kështu e nxorën Samsonin nga burgu që t’i zbaviste dhe e vunë të qëndronte mes shtyllave. 26  Atëherë Samsoni i tha djalit që e kishte kapur për dore: «Lërmë të prek shtyllat mbi të cilat mbahet shtëpia, që të mbështetem pas tyre.» 27  (Shtëpia ishte plot me burra e gra dhe të gjithë sundimtarët filistinë ishin aty. Në tarracë kishte rreth 3.000 burra e gra që shikonin, teksa argëtoheshin me Samsonin.) 28  Pastaj Samsoni+ i thirri Jehovait: «O Zotëri Sovran Jehova, të lutem, kujtohu për mua! Të lutem, o Perëndi, më jep forcë+ vetëm këtë herë e lërmë të hakmerrem kundër filistinëve qoftë edhe për njërin nga dy sytë e mi!»+ 29  Atëherë, duke mbledhur forcat, Samsoni mbështeti krahët te dy shtyllat e mesit, mbi të cilat mbahej shtëpia, duke vënë te njëra dorën e djathtë e te tjetra të majtën. 30  Samsoni thirri: «Le të vdes edhe unë* bashkë me filistinët!» Më pas shtyu me sa fuqi kishte dhe shtëpia ra mbi sundimtarët e mbi tërë njerëzit që ishin atje.+ Kështu ai vrau më shumë veta kur vdiq, sesa kur ishte gjallë.+ 31  Më vonë vëllezërit e tij dhe tërë familja e të atit zbritën që ta merrnin. E çuan për ta varrosur midis Zorahut+ dhe Eshtaolit, në varrin e të atit, Manoahut.+ Samsoni kishte qenë gjykatës në Izrael për 20 vjet.+

Shënimet

Ose «vadi i Sorekut». Shih Fjalorthin.
Ose «Mbushja mendjen».
Ose «tejza».
Ose «u talle me mua».
Fjalë për fjalë «nga barku i nënës».
Ka të ngjarë t’i referohet idhullit.
Ose «shpirti im».