Gjykatësit 19:1-30
-
Krimi seksual i beniaminitëve në Gibeah (1-30)
19 Ato ditë, kur në Izrael nuk kishte mbret,+ një levit, që atëherë banonte në një vend të thellë të rajonit malor të Efraimit,+ mori për grua një konkubinë nga Betlehemi+ i Judës.
2 Por konkubina nuk i qëndroi besnike dhe e la e u kthye në shtëpinë e të atit në Betlehem të Judës, ku qëndroi katër muaj.
3 Pastaj i shoqi shkoi tek ajo që t’i mbushte mendjen të kthehej në shtëpi; me vete kishte edhe shërbëtorin dhe dy gomarë. Kështu ajo e futi në shtëpinë e të atit dhe sa e pa, babai i vajzës u gëzua që e takoi.
4 I vjehrri e bindi që të qëndronte me të për tri ditë; hanin e pinin dhe ai e kalonte natën aty.
5 Ditën e katërt, kur u çuan herët në mëngjes që të iknin, i ati i vajzës i tha dhëndrit: «Ha pak bukë që të marrësh fuqi, e pastaj shko.»
6 Kështu, të dy u ulën dhe hëngrën e pinë bashkë. Më pas, i ati i vajzës i tha: «Të lutem, rri edhe sonte e kënaqu.»*
7 Kur burri u ngrit të ikte, i vjehrri iu lut aq shumë sa ai qëndroi edhe atë natë.
8 Ditën e pestë u çua herët në mëngjes që të nisej, mirëpo i ati i vajzës i tha: «Të lutem, ha pak bukë që të marrësh fuqi.» Ata e morën me nge derisa u bë vonë dhe të dy vazhduan të hanin.
9 Kur u ngrit të ikte bashkë me konkubinën dhe me shërbëtorin e tij, i vjehrri, i ati i vajzës, i tha: «Ja, është pothuajse mbrëmje. Rri, të lutem, edhe sonte se po afron nata. Rri sonte këtu e kënaqu. Pastaj nesër, çohu herët për rrugë e shko në shtëpi.»*
10 Por ai nuk donte të rrinte edhe një natë, kështu u ngrit e udhëtoi deri në Jebus, domethënë në Jerusalem.+ Me vete kishte edhe dy gomarët me samar, konkubinën dhe shërbëtorin e tij.
11 Kur ishin pranë Jebusit, ishte buzëmbrëmje dhe shërbëtori i tha zotërisë: «A të ndalojmë e ta kalojmë natën këtu, në qytetin e jebusitëve?»
12 Por zotëria iu përgjigj: «S’është mirë të ndalojmë në një qytet me të huaj, që nuk janë izraelitë. Më mirë shkojmë deri në Gibeah.»+
13 Pastaj shtoi: «Provojmë të shkojmë ose në Gibeah, ose në Ramah;+ natën do ta kalojmë në një nga këto vende.»
14 Prandaj vazhduan rrugën dhe, kur dielli nisi të perëndonte, ata ishin afër Gibeahut, që është pronë e Beniaminit.
15 Kështu ndaluan në Gibeah dhe hynë që të kalonin natën. Sapo hynë, u ulën në sheshin e qytetit, por askush nuk po i merrte në shtëpi për të kaluar natën.+
16 Në fund një burrë i moshuar u kthye atë mbrëmje nga puna në arë. Ai ishte nga rajoni malor i Efraimit+ dhe kishte ca kohë që banonte në Gibeah, kurse vendasit ishin beniaminitë.+
17 Kur ngriti sytë dhe pa udhëtarin në sheshin e qytetit, burri i moshuar e pyeti: «Nga vjen e ku po shkon?»
18 Ai iu përgjigj: «Vijmë nga Betlehemi i Judës e po shkojmë në një vend të thellë të rajonit malor të Efraimit, prej nga jam. Vajta në Betlehem të Judës+ dhe tani po shkoj në shtëpinë e Jehovait,* mirëpo askush nuk po më mirëpret.
19 Kemi mjaft lëmishte e tagji për gomarët tanë+ dhe bukë+ e verë për mua, për konkubinën e për shërbëtorin tonë. Nuk na mungon asgjë.»
20 Por burri i moshuar tha: «Paqja qoftë me ty! Unë do të kujdesem për çdo gjë që ke nevojë. Veç mos e kalo natën këtu në sheshin e qytetit.»
21 Kështu i çoi në shtëpinë e vet dhe u hodhi për të ngrënë* gomarëve. Pastaj lanë këmbët dhe hëngrën e pinë.
22 Ndërsa po kënaqeshin, disa burra të ndyrë nga qyteti rrethuan shtëpinë dhe i binin fort derës. Ata i thoshin me ngulm burrit të moshuar, të zotit të shtëpisë: «Nxirre jashtë atë burrin që erdhi në shtëpinë tënde, që të kryejmë marrëdhënie me të.»+
23 Kur dëgjoi këtë, i zoti i shtëpisë doli dhe u tha: «Jo, vëllezërit e mi, mos e bëni këtë ligësi. Ju lutem, ky njeri është mysafir në shtëpinë time. Mos e bëni këtë veprim poshtërues.
24 Ja tek e keni vajzën time virgjëreshë dhe konkubinën e këtij njeriu. Lërmëni që t’jua sjell e ju mund t’i poshtëroni e të bëni ç’të doni me to.+ Por mos ia bëni këtë veprim të turpshëm këtij njeriu.»
25 Por ata nuk deshën ta dëgjonin, prandaj leviti mori konkubinën+ e vet dhe ua nxori jashtë. Ata e përdhunuan dhe abuzuan me të gjithë natën deri në mëngjes. Pastaj, kur po zbardhej, e përzunë.
26 Herët në mëngjes, gruaja erdhi te shtëpia e burrit ku ishte zotëria i saj, dhe te hyrja u rrëzua e mbeti shtrirë derisa u zbardh.
27 Kur zotëria i saj u çua në mëngjes dhe hapi dyert e shtëpisë që të dilte e të vazhdonte rrugën, e pa konkubinën të shtrirë në hyrje të shtëpisë me duart sipër pragut.
28 Ai i tha: «Çohu, eja të shkojmë.» Por ajo nuk u përgjigj. Atëherë leviti e vuri në gomar dhe u nis për në shtëpinë e vet.
29 Kur arriti në shtëpi, mori një hanxhar, kapi konkubinën, e ndau sipas gjymtyrëve në 12 copa, dhe shpërndau nga një copë në çdo fis të Izraelit.
30 Të gjithë ata që e panë këtë, thanë: «Një gjë e tillë s’ka ndodhur e s’është parë kurrë që nga dita kur izraelitët dolën nga Egjipti e deri më sot. Shqyrtojeni këtë çështje me kujdes, konsultohuni*+ e na thoni çfarë të bëjmë.»