Gjykatësit 6:1-40

  • Midiani shtyp Izraelin (1-10)

  • Një engjëll siguron gjykatësin Gideon se do të ketë mbështetje (11-24)

  • Gideoni shemb altarin e Baalit (25-32)

  • Fryma e Perëndisë vepron mbi Gideonin (33-35)

  • Prova e bashkës (36-40)

6  Megjithatë izraelitët bënë përsëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait,+ prandaj Jehovai i dha në duart e Midianit për shtatë vjet.+  Dora e Midianit sundonte mbi Izraelin+ dhe për shkak të Midianit, izraelitët bënë për vete vende të fshehta* në male, në shpella e në vende ku ishte e vështirë të shkoje.+  Nëse Izraeli mbillte farë, Midiani, Amaleku+ dhe popujt e Lindjes+ e sulmonin.  Ata ngrinin kampin për të luftuar kundër tyre, u prishnin prodhimet e tokës deri në Gazë dhe nuk linin asnjë ushqim për Izraelin, as dhen, as gjedhë e as gomarë,+  sepse ngjiteshin me bagëtinë e me tendat e tyre të shumta si karkalecat,+ dhe me devetë që s’kishin të numëruar+ dhe vinin për të rrënuar vendin.  Kështu Izraeli u varfërua shumë për shkak të Midianit. Atëherë izraelitët i thirrën për ndihmë Jehovait.+  Kur i thirrën për ndihmë Jehovait për shkak të Midianit,+  Jehovai u dërgoi izraelitëve një profet, i cili u tha: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: “Unë ju nxora nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë,+  ju shpëtova nga dora e Egjiptit e nga tërë shtypësit, i dëbova para syve tuaj dhe jua dhashë vendin e tyre.+ 10  Dhe ju thashë: ‘Unë jam Jehovai, Perëndia juaj.+ Mos adhuroni perënditë e amoritëve, në vendin e të cilëve po banoni.’+ Por ju nuk m’u bindët.”»*+ 11  Më pas, engjëlli i Jehovait erdhi+ dhe u ul poshtë pemës së madhe që ishte në Ofrah e që i përkiste Joashit, një abiezeriti.+ Ndërkohë i biri, Gideoni,+ po rrihte grurin në shtypësen e rrushit, që ta fshihte nga midianitët. 12  Engjëlli i Jehovait iu shfaq dhe i tha: «Jehovai është me ty,+ o luftëtar i fuqishëm!» 13  Me të dëgjuar këtë, Gideoni i tha: «Të më falësh, imzot, por nëse Jehovai është me ne, pse na ka rënë gjithë kjo e keqe?+ Ku janë tërë veprat e tij të mrekullueshme që na tregonin etërit tanë,+ kur thoshin: ‘A nuk na nxori Jehovai nga Egjipti?!’+ Tani Jehovai na ka braktisur+ e na ka lënë në duart e Midianit.» 14  Jehovai u kthye drejt tij dhe tha: «Me tërë fuqinë që ke, nisu ta shpëtosh Izraelin nga duart e Midianit.+ A nuk jam unë që po të dërgoj?!» 15  Gideoni iu përgjigj: «Të më falësh, o Jehova. Si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja* ime është më e vogla në Manase dhe unë jam më i parëndësishmi në shtëpinë e babait tim.» 16  Por Jehovai i tha: «Ti do ta mundësh Midianin si të ishte një njeri i vetëm, sepse unë do të jem me ty.»+ 17  Atëherë Gideoni i tha: «Nëse gëzoj pëlqimin tënd, më trego një shenjë se je vërtet ti që po më flet. 18  Të lutem, mos u largo që këtu derisa të kthehem me dhuratën time e ta vendos përpara teje.»+ Ai iu përgjigj: «Do të rri këtu derisa të kthehesh.» 19  Prandaj Gideoni vajti e përgatiti një kec dhe bëri bukë pa maja me një efë* miell.+ Mishin e vuri në shportë, kurse lëngun në tenxhere; pastaj ia çoi atij poshtë pemës së madhe dhe ia vuri përpara. 20  Mirëpo engjëlli i Perëndisë së vërtetë i tha: «Merre mishin dhe bukën pa maja, vendosi mbi atë shkëmbin e madh atje dhe derdh lëngun mbi to.» E ai bëri kështu. 21  Pastaj engjëlli i Jehovait shtriu shkopin që kishte në dorë dhe me majën e tij preku mishin dhe bukën pa maja. Në çast nga shkëmbi u ndez një zjarr që përpiu mishin e bukën pa maja.+ Atëherë engjëlli i Jehovait iu zhduk nga sytë. 22  Kështu Gideoni e kuptoi se ai kishte qenë engjëlli i Jehovait.+ Menjëherë Gideoni tha: «Medet, o Zotëri Sovran Jehova! E paskam parë sy më sy engjëllin e Jehovait!»+ 23  Por Jehovai i tha: «Paqja qoftë me ty! Mos ki frikë!+ Nuk do të vdesësh.» 24  Prandaj Gideoni i ndërtoi Jehovait një altar atje, i cili quhet Jehova-Shalom*+ deri sot e kësaj dite. Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e abiezeritëve. 25  Atë natë Jehovai i tha: «Merr demin e ri të babait tënd, atë të dytin që është shtatëvjeçar, shemb altarin e Baalit që ka babai yt dhe prit shtyllën e shenjtë* që është pranë tij.+ 26  Ndërto në majë të kësaj fortese një altar për Jehovain, Perëndinë tënd, duke i vënë gurët në radhë, pastaj merr demin e dytë dhe flijoje si blatim të djegur mbi copat e drurit të shtyllës së shenjtë që preve.» 27  Kështu, Gideoni mori dhjetë burra nga shërbëtorët e tij dhe veproi siç i tha Jehovai. Por kishte shumë frikë nga ata të shtëpisë së të atit dhe nga burrat e qytetit, prandaj e bëri këtë gjë natën, në vend që ta bënte ditën. 28  Të nesërmen, kur burrat e qytetit u çuan herët në mëngjes, panë që altari i Baalit ishte rrëzuar, shtylla e shenjtë pranë tij ishte prerë dhe mbi altarin tjetër ishte flijuar demi i dytë. 29  Ata pyetnin njëri-tjetrit: «Kush ta ketë bërë këtë?» Pasi hetuan, thanë: «E ka bërë Gideoni, biri i Joashit.» 30  Prandaj burrat e qytetit i thanë Joashit: «Nxirre jashtë djalin që ta vrasim, sepse rrëzoi altarin e Baalit dhe preu shtyllën e shenjtë që ishte pranë tij.» 31  Atëherë Joashi+ u tha të gjithë atyre që iu vunë kundër: «Mos duhet ta mbroni ju Baalin?! Ju duhet ta shpëtoni?! Kush mbron atë, duhet të vritet këtë mëngjes.+ Nëse ai është një perëndi, të mbrohet vetë,+ meqë ia kanë rrëzuar altarin.» 32  Prandaj atë ditë ai e quajti Gideonin Jerubaal* dhe tha: «Baali le të mbrohet vetë, sepse ia kanë rrëzuar altarin.» 33  Tërë Midiani,+ Amaleku+ dhe popujt e Lindjes bashkuan forcat,+ kaluan matanë* në luginën* e Jezrelit dhe ngritën kampin. 34  Atëherë fryma e Jehovait zbriti mbi* Gideonin,+ që i ra bririt,+ dhe abiezeritët+ shkuan që ta mbështetnin. 35  Ai dërgoi lajmëtarë edhe nëpër tërë Manaseun, dhe manasitët shkuan që ta mbështetnin. Veç kësaj, Gideoni dërgoi lajmëtarë edhe nëpër Asher, Zabulon dhe Neftal, të cilët u ngjitën për ta takuar. 36  Pastaj Gideoni i tha Perëndisë së vërtetë: «Për të parë nëse do ta shpëtosh Izraelin nëpërmjet meje, si premtove,+ 37  unë do të vë një bashkë leshi* në lëmë.* Nëse do të ketë vesë vetëm mbi bashkën, por tërë vendi përreth saj do të mbetet i thatë, atëherë do të jem i sigurt se ti do ta shpëtosh Izraelin nëpërmjet meje, si premtove.» 38  Dhe kështu ndodhi. Kur u ngrit herët të nesërmen, ai shtrydhi bashkën e leshit dhe nxori prej saj aq ujë sa u mbush një tas i madh. 39  Megjithatë Gideoni i tha Perëndisë së vërtetë: «Mos u ndeztë zemërimi yt kundër meje, por më lër të flas edhe një herë. Lërmë, të lutem, edhe një herë tjetër të bëj një provë me bashkën e leshit. Të lutem, le të mbetet e thatë vetëm bashka, kurse mbi tërë vendin përreth të ketë vesë.» 40  Dhe Perëndia bëri ashtu atë natë: vetëm bashka ishte e thatë, kurse mbi tërë vendin përreth kishte vesë.

Shënimet

Një mundësi tjetër «depo të nëndheshme».
Fjalë për fjalë «nuk e dëgjuat zërin tim».
Fjalë për fjalë «mijëshja».
Rreth 22 l. Shih Shtojcën B14.
Do të thotë «Jehovai është paqe».
Do të thotë «Le të bëjë Baali një mbrojtje ligjore (të argumentojë)».
Ose «kaluan lumin».
Ose «ultësirën».
Fjalë për fjalë «e veshi».
Ose «postiqe».