Letra drejtuar kolosianëve 2:1-23

  • Krishti, sekreti i shenjtë i Perëndisë (1-5)

  • Ruhuni nga mashtruesit (6-15)

  • «Realiteti i përket Krishtit» (16-23)

2  Vërtet, dua të kuptoni ç’betejë të madhe po bëj për ju, për ata në Laodice+ dhe për gjithë të tjerët që nuk më kanë parë personalisht.*  Gjithë këtë e bëj që t’u ngushëllohen zemrat,+ që të jenë të lidhur në mënyrë të harmonishme me dashuri,+ që të kenë gjithë pasuritë që vijnë kur kuptohet qartë e me siguri të plotë e vërteta dhe që të fitojnë njohurinë e saktë për sekretin e shenjtë të Perëndisë, domethënë, Krishtin.+  Tek ai janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë.+  Këtë po e them që askush të mos ju mashtrojë me argumente gjoja bindëse.  E ndonëse nuk jam mes jush fizikisht, jam me zemër,* dhe gëzoj kur shoh sa të rregullt jeni+ dhe sa i patundur është besimi juaj te Krishti.+  Prandaj, ashtu siç e pranuat Krishtin Jezu, Zotërinë, vazhdoni të ecni në unitet me të,  të rrënjosur e të ndërtuar në themelin që është Krishti,+ të palëkundur në besim,+ sikurse u mësuat, dhe falënderoni pareshtur Perëndinë.+  Ruhuni se mos ndokush ju robëron* nëpërmjet filozofisë e mashtrimeve boshe,+ sipas traditës njerëzore, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit,  sepse tek ai shfaqen plotësisht* të gjitha cilësitë e Perëndisë.+ 10  Kështu edhe juve nuk ju mungon asgjë* falë tij, i cili është kreu i çdo qeverie dhe autoriteti.+ 11  Në unitet me të, edhe ju u rrethpretë me një rrethprerje që s’bëhet nga duart e njeriut, por me rrethprerjen e Krishtit,+ po, duke e zhveshur trupin nga dëshirat mëkatare.*+ 12  Në fakt, ju u varrosët me të në pagëzimin e tij,+ e ngaqë jeni në unitet me të, u ngritët+ së bashku nëpërmjet besimit në veprat e fuqishme të Perëndisë, i cili e ngriti atë nga të vdekurit.+ 13  Për më tepër, edhe pse ishit të vdekur për shkak të shkeljeve* e të parrethprerjes suaj, Perëndia ju dha jetë bashkë me të.+ Me zemërmirësi, ai na i fali të gjitha shkeljet+ 14  dhe e fshiu dokumentin e shkruar me dorë,+ i cili përbëhej nga dekrete+ dhe ishte kundër nesh;+ këtë Ai e hoqi duke e gozhduar në shtyllën e torturës.*+ 15  E me anë të shtyllës së torturës,* i zhveshi qeveritë e autoritetet dhe i paraqiti botërisht si të mposhtura+ në një marshim triumfues. 16  Prandaj, askush të mos ju gjykojë për atë që hani e që pini,+ për kremtimin e ndonjë feste, të hënës së re+ a të sabateve.+ 17  Këto gjëra janë një hije e gjërave që do të vijnë,+ kurse realiteti i përket Krishtit.+ 18  Mos lejoni askënd që gjen kënaqësi te përulësia e shtirur, tek adhurimi i engjëjve* e që ngul këmbë* në gjërat që ka parë, t’ju privojë nga çmimi.+ Njerëz të tillë krekosen më kot, për shkak të prirjes mëkatare të mendjes së tyre, 19  dhe nuk mbahen fort te kreu,+ falë të cilit i gjithë trupi ushqehet, lidhet në mënyrë të harmonishme me anë të nyjave* e të ligamenteve dhe vazhdon të rritet sipas rritjes që vjen nga Perëndia.+ 20  E nëse vdiqët bashkë me Krishtin për sa u përket gjërave elementare të botës,+ pse jetoni atëherë sikur të ishit ende në botë? Pse vazhdoni t’u nënshtroheni urdhërimeve+ 21  «mos merr, mos shijo, mos prek» 22  për gjëra që marrin fund nga përdorimi, kur janë veçse urdhërime e mësime njerëzish?+ 23  Edhe pse duken si të mençura, ato janë thjesht një formë e vetimponuar adhurimi, një përulësi e shtirur, një trajtim i ashpër i trupit,+ por nuk kanë kurrfarë vlere në luftën kundër dëshirave të trupit mëkatar.*

Shënimet

Ose «nuk e kanë parë fytyrën time».
Fjalë për fjalë «në frymë». Shih Fjalorthin.
Ose «ju bën prenë e vet».
Fjalë për fjalë «banojnë trupërisht».
Ose «edhe ju jeni të plotë».
Fjalë për fjalë «mishi». Shih Fjalorthin.
Ose «të fajeve».
Një mundësi tjetër «Me anë të tij».
Ose «te mënyra si adhurojnë engjëjt».
Ose «vë këmbë; hyn». Kjo shprehje citohet në rite pagane misterioze (gjatë ceremonisë së pranimit).
Ose «të kyçeve».
Fjalë për fjalë «të mishit». Shih Fjalorthin.