Ligji i përtërirë 15:1-23
15 Në fund të çdo shtatë vjetëve do të falni borxhet.+
2 Falja do të bëhet në këtë mënyrë: çdo huadhënës do t’ia falë borxhin të afërmit.* Nuk do t’i kërkojë të afërmit ose të vëllait të paguajë borxhin, sepse do të shpallet falja në lavdi të Jehovait.+
3 Të huajit mund t’i kërkoni t’jua paguajë borxhin,+ kurse vëllait tuaj mos ia kërkoni borxhin që ju takon.
4 Sido që të jetë, askush nuk do të varfërohet mes jush, se me siguri Jehovai do t’ju bekojë+ në vendin që Jehovai, Perëndia juaj, po ju jep si trashëgimi,
5 me kusht që t’i bindeni pikë për pikë zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj, e të zbatoni me kujdes gjithë këto urdhërime që po ju jap sot,+
6 sepse Jehovai, Perëndia juaj, do t’ju bekojë ashtu si ju ka premtuar. Ju do t’u jepni borxh* shumë kombeve, ndërsa vetë nuk do të keni nevojë të merrni borxh.+ Ju do të keni pushtet mbi shumë kombe, ndërsa ata nuk do të kenë pushtet mbi ju.+
7 Nëse ndonjë nga vëllezërit e tu varfërohet, në një nga qytetet e tua, në tokën që po të jep Jehovai, Perëndia yt, mos ji zemërgur a dorështrënguar me vëllanë tënd të varfër.+
8 Por ji dorëhapur e bujar dhe jepi patjetër borxh*+ atë që i nevojitet ose që i mungon.
9 Ki kujdes se mos ushqen në zemër këtë mendim të lig: ‘Viti i shtatë, viti i faljes së borxheve, po afron’,+ dhe pastaj tregohesh zemërngushtë me vëllanë tënd të varfër e nuk i jep asgjë. Nëse atij i duhet të ankohet te Jehovai për ty, ky do të llogaritet si mëkati yt.+
10 Duhet t’i japësh bujarisht+ dhe jo me pahir,* sepse për këtë arsye Jehovai, Perëndia yt, do të bekojë çdo gjë që do të bësh dhe frytin e punës sate.+
11 Faktikisht do të ketë gjithmonë të varfër në vend,+ ja pse të urdhëroj: ‘Ji dorëhapur e bujar me vëllanë tënd të munduar e të varfër.’+
12 Nëse një nga vëllezërit e tu, një hebre a hebreje, shitet si skllav e të shërben për gjashtë vjet, vitin e shtatë duhet ta lësh të lirë.+
13 E nëse e lë të lirë, mos e nis duarbosh.
14 Jepi bujarisht ndonjë gjë nga kopeja, nga lëmi,* nga shtypësja e ullinjve dhe e rrushit. Jepi njësoj si të ka bekuar Jehovai, Perëndia yt.
15 Mos harro se ti u bëre skllav në Egjipt dhe se Jehovai, Perëndia yt të shpengoi.* Prandaj po të urdhëroj këtë gjë sot.
16 Por nëse skllavi të thotë: ‘Nuk do të largohem nga ti!’ sepse të do ty dhe ata të shtëpisë sate, ngaqë ia kalon mirë te ti,+
17 atëherë merr një fëndyell,* shpoji veshin te dera, dhe ai do të bëhet skllavi yt përgjithnjë; të njëjtën gjë duhet të bësh edhe me skllaven tënde.
18 Mos e konsidero humbje kur ta lësh të lirë dhe ai të largohet, sepse për gjashtë vjet të shërbeu sa dyfishi i një të punësuari dhe Jehovai, Perëndia yt, të ka bekuar në çdo gjë.
19 Çdo të parëlindur mashkull të bagëtisë së trashë e të imët, duhet t’ia shenjtërosh* Jehovait, Perëndisë tënd;+ mos e vër në punë pjellën e parë të bagëtisë së trashë,* as mos e qeth pjellën e parë të bagëtisë së imët.
20 Atë duhet ta hash vit për vit bashkë me ata të shtëpisë sate para Jehovait, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Jehovai.+
21 Ama, nëse ka ndonjë të metë—është i çalë, i verbër a me ndonjë të metë tjetër të rëndë—mos ia flijo Jehovait, Perëndisë tënd,+
22 por haje brenda qytetit* tënd. Mund ta hajë si i pastri, edhe i papastri, siç do të hahej mishi i gazelës dhe i drerit.+
23 Mirëpo nuk duhet ta hash gjakun;+ gjakun duhet ta derdhësh përtokë si ujë.+
Shënimet
^ Ose «tjetrit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «hua me peng».
^ Ose «jepja hua me peng».
^ Ose «zemra jote të mos jetë koprace».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
^ Ose «bizë». Një mjet që përdorej për të bërë vrima të vogla.
^ Fjalë për fjalë «të demit».
^ Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
^ Fjalë për fjalë «portave».