Ligji i përtërirë 16:1-22

  • Festa e Kalimit; Festa e Bukëve Pa Maja (1-8)

  • Festa e Javëve (9-12)

  • Festa e Kasolleve (13-17)

  • Emërohen gjykatës (18-20)

  • Objekte adhurimi të ndaluara (21, 22)

16  Mbaj muajin e abibit* dhe kremto Festën e Kalimit të Jehovait,* Perëndisë tënd,+ sepse në muajin e abibit, Jehovai, Perëndia yt, të nxori natën nga Egjipti.+  Paraqiti Jehovait, Perëndisë tënd, flijimin e Festës së Kalimit+ nga bagëtitë e tua të trasha dhe të imëta,+ në vendin që do të zgjedhë Jehovai për emrin e tij.+  Mos e ha flijimin me asgjë me majá.+ Për shtatë ditë duhet të hash bukë pa maja, bukën e mundimit, sepse dole me nxitim nga Egjipti.+ Bëje këtë për sa kohë të jetosh, që të kujtosh ditën kur dole nga Egjipti.+  Për shtatë ditë nuk do të gjendet fare brumë i thartuar në gjithë territorin tënd.+ Veç kësaj, mishi që do të flijosh mbrëmjen e ditës së parë, të mos rrijë gjithë natën deri në mëngjes.+  S’mund ta bësh flijimin e Festës së Kalimit në çfarëdo qyteti që po të jep Jehovai, Perëndia yt.  Përkundrazi, flijimin e Festës së Kalimit duhet ta bësh në vendin që do të zgjedhë Jehovai, Perëndia yt, për emrin e tij, në mbrëmje, me të perënduar dielli,+ pikërisht në kohën që dole nga Egjipti.  Gatuaje dhe haje+ në vendin që do të zgjedhë Jehovai,+ Perëndia yt, dhe në mëngjes mund të kthehesh në tendat e tua.  Duhet të hash bukë pa maja për gjashtë ditë, kurse ditën e shtatë do të mbahet një asamble solemne për Jehovain, Perëndinë tënd. Mos bëj asnjë punë.+  Duhet të numërosh shtatë javë; do të fillosh të numërosh shtatë javë nga koha kur i vë draprin për herë të parë drithit të pakorrur.+ 10  Pastaj kremto për Jehovain, Perëndinë tënd, Festën e Javëve+ dhe sill blatimin vullnetar që do të japë dora jote, aq sa të të bekojë Jehovai, Perëndia yt.+ 11  Gëzohu para Jehovait, Perëndisë tënd, ti bashkë me birin e bijën tënde, skllavin e skllaven tënde, me levitin që është brenda qytetit* tënd, të ardhurin, jetimin* dhe vejushën, që janë mes jush, në vendin që Jehovai, Perëndia yt, do të zgjedhë për emrin e tij.+ 12  Mos harro se ti u bëre skllav në Egjipt,+ ndaj bindu e zbatoji këto rregulla. 13  Pasi të kesh mbledhur prodhimin e lëmit dhe të shtypëses së ullinjve e të rrushit, duhet të kremtosh për shtatë ditë Festën e Kasolleve.*+ 14  Gjatë festës gëzohu+ bashkë me birin e bijën tënde, skllavin e skllaven tënde, levitin, të ardhurin, jetimin dhe vejushën, që janë brenda qytetit tënd. 15  Do ta kremtosh këtë festë+ për Jehovain, Perëndinë tënd, për shtatë ditë me radhë në vendin që do të zgjedhë Jehovai, sepse Jehovai, Perëndia yt, do të bekojë gjithë prodhimin tënd dhe çdo gjë që do të bësh,+ e ti do të jesh veçse i gëzuar.+ 16  Çdo mashkull duhet të paraqitet tri herë në vit para Jehovait, Perëndisë tënd, në vendin që Ai do të zgjedhë: për Festën e Bukëve Pa Maja,+ për Festën e Javëve+ e për Festën e Kasolleve.*+ Askush të mos vijë duarbosh para Jehovait. 17  Dhurata që do të japë gjithsecili duhet të jetë sipas bekimit që i ka dhënë Jehovai, Perëndia i tij.+ 18  Në tërë qytetet* që po të jep Jehovai, Perëndia yt, duhet të caktosh gjykatës+ dhe të parë për çdo fis, të cilët duhet ta gjykojnë popullin me drejtësi. 19  Mos e shtrembëro drejtësinë.+ Mos ji i anshëm+ dhe mos merr ryshfet, sepse ryshfeti i verbon sytë e të mençurve+ dhe i shtrembëron fjalët e të drejtëve. 20  Drejtësinë, dhe vetëm drejtësinë, duhet të kërkosh me ngulm,+ që të jetosh gjatë e të shtiesh në dorë vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt. 21  Mos mbill asnjë lloj peme si shtyllë të shenjtë*+ pranë altarit që do të bësh për Jehovain, Perëndinë tënd. 22  Mos ngri asnjë kolonë të shenjtë,+ sepse Jehovai, Perëndia yt, i urren.

Shënimet

Ose «kremto Pashkën e Jehovait». Shih Fjalorthin.
Ose «fëmijën pa baba».
Fjalë për fjalë «portave».
Ose «Festën e Strehëve të Përkohshme».
Ose «Festën e Strehëve të Përkohshme».
Fjalë për fjalë «Brenda tërë portave të tua».