Ligji i përtërirë 21:1-23
21 Nëse në vendin që po të jep si pronë Jehovai, Perëndia yt, gjendet në fushë një i vrarë dhe nuk dihet kush e ka vrarë,
2 pleqtë dhe gjykatësit e tu+ do të dalin e do të matin largësinë nga kufoma deri në qytetet përreth.
3 Pastaj pleqtë e qytetit më të afërt me kufomën do të marrin nga tufa një mëshqerrë që nuk është vënë kurrë në punë a në zgjedhë
4 dhe do ta zbresin në një luginë* ku rrjedh ujë e ku toka nuk është punuar e nuk është mbjellë, dhe atje do t’i thyejnë qafën mëshqerrës.+
5 Pastaj do të afrohen priftërinjtë levitë, sepse Jehovai, Perëndia yt, i zgjodhi që t’i shërbejnë atij+ e që të bekojnë në emër të Jehovait.+ Sipas fjalës së tyre do të zgjidhet çdo mosmarrëveshje që përfshin dhunë.+
6 Më pas, të gjithë pleqtë e qytetit që është më afër kufomës, duhet të lajnë duart+ sipër mëshqerrës që ia thyen qafën në luginë
7 dhe do të thonë: ‘Duart tona nuk e derdhën këtë gjak, as sytë tanë nuk e panë kush e derdhi.
8 O Jehova, mos e fajëso popullin tënd, Izraelin, që ti e shpengove,*+ dhe mos lejo që faji i gjakut të pafajshëm të mbetet te populli yt, Izraeli.’+ Atëherë ata nuk do të mbajnë faj gjaku.
9 Në këtë mënyrë, ti do të heqësh fajin e gjakut të pafajshëm nga mesi yt duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Jehovait.
10 Nëse shkon të luftosh kundër armiqve të tu, dhe Jehovai, Perëndia yt, t’i jep në dorë e ti i zë rob,+
11 dhe mes tyre sheh një vajzë të bukur që të bën për vete dhe do që të martohesh me të,
12 mund ta marrësh vajzën në shtëpi. Ajo do të rruajë kokën, do të presë thonjtë,
13 do të heqë rrobat e robërisë dhe do të banojë në shtëpinë tënde. Për një muaj të tërë do të qajë të atin e të ëmën,+ dhe pastaj mund të kryesh marrëdhënie me të; ti do të jesh burri i saj dhe ajo gruaja jote.
14 Por nëse nuk të pëlqen, lëre të ikë+ ku të dojë. Mos e shit për pará e mos ji i pashpirt, sepse e ke çnderuar.
15 Nëse një burrë ka dy gra dhe njërën e dashuron më shumë se tjetrën,* dhe që të dyja i kanë lindur djem, por i parëlinduri është djali i asaj që do më pak,+
16 ditën që u jep trashëgiminë djemve, atij nuk i lejohet ta trajtojë si të parëlindur djalin e asaj që dashuron në kurriz të djalit të asaj që do më pak, që faktikisht është i parëlinduri.
17 Ai duhet të njohë si të parëlindur djalin e asaj që do më pak, duke i dhënë atij dy pjesë të gjithçkaje, pasi ai është fillimi i fuqisë së tij.* E drejta e të parëlindurit i takon atij.+
18 Nëse një njeri ka një djalë kokëfortë dhe rebel, që nuk dëgjon as të atin, as të ëmën,+ të cilët janë përpjekur ta ndreqin, por ai prapë nuk pranon t’i dëgjojë,+
19 i ati dhe e ëma do ta marrin, do ta çojnë te pleqtë në portën e qytetit
20 dhe do t’u thonë pleqve të qytetit: ‘Ky, djali ynë, është kokëfortë dhe rebel; nuk pranon të na bindet; është grykës+ dhe pijanec.’+
21 Atëherë të gjithë burrat e qytetit do ta godasin me gurë derisa të vdesë. Kështu do të heqësh të keqen nga mesi yt, dhe gjithë Izraeli do ta marrë vesh e do të frikësohet.+
22 Nëse një njeri bën një mëkat që meriton dënimin me vdekje+ dhe ai ekzekutohet e varet në shtyllë,+
23 kufoma e tij nuk duhet të rrijë gjithë natën në shtyllë.+ Përkundrazi, sigurohu që të varroset po atë ditë, sepse ai që varet në shtyllë është i mallkuar nga Perëndia,+ dhe ti nuk duhet ta ndotësh vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt, si trashëgimi.+
Shënimet
^ Ose «vad». Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
^ Fjalë për fjalë «ka dy gra, njërën e dashuron, tjetrën e urren».
^ Ose «i fuqisë së tij riprodhuese».