Ligji i përtërirë 22:1-30
22 Nëse sheh demin e vëllait tënd ose delen e tij që ka humbur rrugën, mos bëj sikur nuk sheh.+ Duhet patjetër ta kthesh te vëllai yt.
2 Por nëse ai jeton larg teje ose ti nuk e di kush është pronari, merre me vete kafshën në shtëpi e mbaje aty derisa vëllai ta kërkojë, dhe atëherë ktheja.+
3 Po kështu do të bësh edhe me gomarin, me rrobat a me çdo gjë që i ka humbur vëllait tënd dhe që ti e ke gjetur. Mos bëj sikur nuk sheh.
4 Nëse sheh gomarin e vëllait tënd ose demin e tij që rrëzohet në rrugë, mos bëj sikur nuk sheh. Duhet patjetër ta ndihmosh që ta ngrejë kafshën.+
5 Gratë të mos veshin rroba burrash, as burrat të mos veshin rroba grash, sepse kushdo që i bën këto, është i neveritshëm për Jehovain, Perëndinë tënd.
6 Nëse gjatë rrugës të rastis të gjesh një fole zogu me të vegjlit ose me vezët në të, në një pemë ose përtokë, dhe nëna është ulur mbi të vegjlit ose po ngroh vezët, mos e merr nënën bashkë me zogthat.+
7 Lëre nënën të ikë, kurse zogthat mund t’i marrësh. Kështu do të të shkojë mbarë dhe do të jetosh gjatë.
8 Nëse ndërton një shtëpi të re, bëj edhe një parmak për tarracën,+ që të mos e bësh shtëpinë tënde me faj gjaku nëse dikush bie prej saj.
9 Mos mbill dy lloje farash në të njëjtin vresht,+ përndryshe si prodhimi i farës që do të mbjellësh, edhe prodhimi i vreshtit do të konfiskohen për shenjtëroren.
10 Mos e lëro tokën me një dem e një gomar në të njëjtën zgjedhë.+
11 Mos vish rroba të endura me fill leshi dhe liri bashkë.+
12 Duhet të bësh xhufka thekësh në të katër cepat e rrobës që vesh.+
13 Nëse një burrë martohet me një grua, kryen marrëdhënie me të, por pastaj e urren,*
14 e akuzon për gjëra të turpshme, i nxjerr nam të keq dhe thotë: ‘U martova me këtë grua, por kur kreva marrëdhënie me të, nuk gjeta tek ajo shenjë virgjërie’,
15 atëherë i ati dhe e ëma e vajzës t’u çojnë pleqve te porta e qytetit shenjën e virgjërisë së vajzës.
16 Pastaj i ati i vajzës t’u thotë pleqve: “I dhashë vajzën për grua këtij njeriu, por ai e urren,*
17 dhe tani e akuzon për gjëra të turpshme dhe thotë: ‘Nuk gjeta shenjë virgjërie te jot bijë.’ Por ja tek është shenja e virgjërisë së vajzës sime.” Pastaj ata do ta hapin rrobën me shenjën e virgjërisë përpara pleqve të qytetit
18 dhe pleqtë e qytetit+ do ta marrin atë njeri e do ta ndëshkojnë.+
19 Meqë i nxori nam të keq një virgjëreshe të Izraelit, do ta gjobitin me 100 sikla* argjendi, të cilat do t’i jepen të atit të vajzës.+ Kurse ajo do të mbetet gruaja e tij dhe atij nuk do t’i lejohet ta divorcojë sa të jetë gjallë.
20 Por nëse akuza është e vërtetë dhe nuk ka prova se vajza ishte e virgjër,
21 pleqtë do ta nxjerrin vajzën te pragu i shtëpisë së të atit dhe burrat e qytetit të saj do ta godasin me gurë derisa të vdesë, sepse ka kryer një veprim të turpshëm+ në Izrael, duke kryer imoralitet seksual* në shtëpinë e të atit.+ Kështu do ta heqësh të keqen nga mesi yt.+
22 Nëse një burrë kapet duke fjetur me gruan e një tjetri, duhet të vdesin që të dy, si burri që fjeti me gruan, edhe gruaja.+ Kështu do ta heqësh të keqen nga Izraeli.
23 Nëse një vajzë e virgjër është e fejuar, por një burrë rastësisht e takon në qytet dhe fle me të,
24 nxirri që të dy te porta e atij qyteti dhe goditi me gurë derisa të vdesin: vajzën ngaqë nuk bërtiti për ndihmë në qytet, ndërsa burrin ngaqë çnderoi gruan e një tjetri.+ Kështu do ta heqësh ligësinë nga mesi yt.
25 Por nëse burri e takon rastësisht vajzën e fejuar jashtë qytetit, e zë me forcë dhe fle me të, atëherë do të vdesë vetëm burri që fjeti me të,
26 kurse vajzës nuk duhet t’i bësh gjë. Ajo nuk ka kryer ndonjë mëkat që meriton vdekjen. Ky rast është njësoj si rasti kur një burrë i sulet një tjetri dhe e vret.*+
27 Ai e takoi rastësisht vajzën e fejuar jashtë qytetit dhe ajo bërtiti për ndihmë, por nuk kishte kush ta shpëtonte.
28 Nëse një burrë rastësisht takon një vajzë, një virgjëreshë të pafejuar, e kap me zor e fle me të, dhe i zbulojnë,+
29 atëherë burri që fjeti me të, do t’i japë të atit të vajzës 50 sikla argjendi, ndërsa ajo do të bëhet gruaja e tij.+ Ngaqë e çnderoi, nuk do t’i lejohet ta divorcojë sa të jetë gjallë.
30 Asnjeri të mos marrë gruan e të atit, që të mos e çnderojë të atin.*+