Ligji i përtërirë 24:1-22
24 Nëse një burrë martohet me një grua, por nuk është i kënaqur me të ngaqë gjen tek ajo ndonjë gjë të pahijshme, atëherë t’i shkruajë një certifikatë divorci,+ t’ia japë në dorë dhe ta përzërë nga shtëpia.+
2 Pasi të largohet nga shtëpia e tij, ajo mund të bëhet bashkëshortja e një tjetri.+
3 Nëse burri i dytë e urren,* i shkruan një certifikatë divorci, ia jep në dorë dhe e përzë nga shtëpia ose nëse ai vdes,
4 atëherë burrit të parë që e përzuri, nuk i lejohet ta marrë përsëri për grua pasi ajo është ndotur, sepse kjo është e neveritshme për Jehovain. Nuk duhet ta njollosësh me mëkat vendin që po të jep si trashëgimi Jehovai, Perëndia yt.
5 Një burrë i sapomartuar të mos shkojë në ushtri, as të mos i jepet ndonjë detyrë tjetër. Ai duhet të jetë i lirë për një vit, të qëndrojë në shtëpinë e vet dhe ta bëjë të lumtur gruan.+
6 Askush të mos marrë mokrën* ose gurin e sipërm të saj si garanci për një hua,*+ sepse është sikur të merrje peng jetën.*
7 Nëse zbulohet se dikush ka rrëmbyer një* nga vëllezërit e vet izraelitë, e ka keqtrajtuar dhe e ka shitur,+ rrëmbyesi duhet të vdesë.+ Hiqe të keqen nga mesi yt.+
8 Kur të shpërthejë ndonjë plagë lebre,* ki shumë kujdes të bësh gjithë sa do të të udhëzojnë priftërinjtë levitë;+ bëj kujdes të zbatosh fill e për pe gjithë udhëzimet që u kam dhënë.
9 Mos harro çfarë i bëri Jehovai, Perëndia yt, Miriamit rrugës kur po dilje nga Egjipti.+
10 Nëse i jep tjetrit* një hua të çfarëdo lloji,+ mos hyr në shtëpinë e tij për t’i marrë atë që ka lënë si garanci.
11 Qëndro jashtë, dhe ai që mori huanë, le të ta sjellë atë që po të jep si garanci.
12 Nëse ai njeri është në hall, mos shko të flesh pa ia kthyer rrobën që të la si garanci.+
13 Duhet t’ia kthesh patjetër atë që të dha si garanci sapo të perëndojë dielli, që ai të shkojë të flejë me rrobën e vet+ e të të bekojë. Kështu do të jesh i drejtë në sytë e Jehovait, Perëndisë tënd.
14 Mos ia ha hakun mëditësit që është në hall dhe i varfër brenda qyteteve* të tua, qoftë vëllai yt, qoftë i ardhur.+
15 Duhet t’ia japësh pagën po atë ditë,+ para se të perëndojë dielli, sepse ai është në hall dhe mban shpirtin me të. Përndryshe ai do të ankohet te Jehovai për ty, dhe ti do të jesh fajtor, ngaqë ke mëkatuar.+
16 Baballarët nuk duhet të vdesin për mëkatin e fëmijëve, dhe fëmijët nuk duhet të vdesin për mëkatin e baballarëve.+ Gjithsekush duhet të ekzekutohet për mëkatin e vet.+
17 Mos e shtrembëro drejtësinë për të ardhurin a për jetimin*+ dhe mos e merr rrobën e vejushës si garanci për një hua.*+
18 Mos harro se ti u bëre skllav në Egjipt, dhe Jehovai, Perëndia yt, të shpengoi* që andej.+ Prandaj po të urdhëroj ta bësh këtë.
19 Kur të mbledhësh të korrat në arën tënde dhe të harrosh ndonjë nga duajt në arë, mos u kthe ta marrësh. Lëre për të ardhurin, për jetimin dhe për vejushën,+ që Jehovai, Perëndia yt, të bekojë çdo gjë që do të bësh.+
20 Kur të shkundësh ullirin, mos u kthe që ta shkundësh për së dyti. Atë që mbetet, lëre për të ardhurin, për jetimin dhe për vejushën.+
21 Kur të vjelësh rrushin e vreshtit tënd, mos u kthe të mbledhësh atë që mbetet. Lëre për të ardhurin, për jetimin dhe për vejushën.
22 Mos harro se ti u bëre skllav në Egjipt. Prandaj po të urdhëroj ta bësh këtë.
Shënimet
^ Ose «nuk e pranon më si grua».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «si peng».
^ Ose «shpirtin; mjetet e jetesës».
^ Ose «një shpirt».
^ Fjala hebraike e përkthyer «lebër» ka kuptim të gjerë dhe mund të përfshijë sëmundje të ndryshme ngjitëse të lëkurës. Mund të përfshijë edhe disa infeksione që gjenden në rroba dhe në shtëpi.
^ Ose «të afërmit tënd». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «portave».
^ Ose «si peng».
^ Ose «fëmijën pa baba».
^ Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».