Ligji i përtërirë 25:1-19

  • Numri i përcaktuar i të goditurave (1-3)

  • Mos i vër gojëz demit kur shin grurin (4)

  • Martesa me kunatin (5-10)

  • Ndëshkimi kur kapen pjesët intime (11, 12)

  • Peshat dhe masat e sakta (13-16)

  • Të shkatërrohen amalekitët (17-19)

25  Kur lind një mosmarrëveshje mes dy vetash, le të paraqiten te gjykatësit+ dhe ata do t’i gjykojnë. Të drejtin do ta shpallin të pafajshëm, kurse të ligun fajtor.+  Nëse i ligu meriton të rrihet,+ gjykatësi do të urdhërojë që ta shtrijnë përtokë dhe do ta rrahin në prani të tij. Numri i të goditurave do të përkojë me të keqen që ka bërë.  Ai mund të rrihet deri në 40 të goditura,+ por jo më shumë. Po të rrihet më shumë se kaq, vëllai yt do të poshtërohet në sytë e tu.  Mos i vër gojëz demit kur shin* grurin.+  Nëse disa vëllezër banojnë pranë njëri-tjetrit, dhe njëri prej tyre vdes pa pasur djalë, vejusha e atij që vdes, të mos martohet jashtë familjes. Kunati i saj duhet të shkojë tek ajo, ta marrë për grua dhe të bëjë detyrën që i takon kunatit.+  I parëlinduri që do të lindë ajo, do të marrë emrin e vëllait të vdekur,+ që emri i tij të mos shuhet në Izrael.+  Tani, nëse ai nuk do që të martohet me vejushën e të vëllait, atëherë ajo të shkojë te pleqtë në portën e qytetit e t’u thotë: ‘Vëllai i tim shoqi nuk pranon të ruajë emrin e të vëllait në Izrael. Ai nuk pranon të martohet me mua dhe të bëjë detyrën që i takon kunatit.’  Pleqtë e qytetit do ta thërrasin e do t’i flasin. Nëse ai ngul këmbë e thotë: ‘Nuk dua të martohem me të’,  atëherë vejusha e të vëllait t’i afrohet para syve të pleqve, t’ia heqë sandalen nga këmba,+ ta pështyjë në fytyrë e t’i thotë: ‘Kështu le t’i bëhet atij njeriu që nuk do të ngrejë familjen e të vëllait.’ 10  Pas kësaj, emri i familjes së tij* në Izrael do të jetë: ‘Shtëpia e atij që iu hoq sandalja.’ 11  Nëse dy burra përleshen me njëri-tjetrin dhe gruaja e njërit prej tyre ndërhyn për të mbrojtur të shoqin, por, kur zgjat dorën, e kap tjetrin nga pjesët intime, 12  pritja asaj dorën. Syrit tënd të mos i vijë keq. 13  Mos mbaj në torbë dy lloje gurësh peshash,+ një më të rëndë e një më të lehtë. 14  Mos mbaj në shtëpi dy lloje enësh matëse,*+ një që mban më shumë e një që mban më pak. 15  Duhet të mbash pesha dhe enë matëse të sakta e të drejta, që të jetosh gjatë në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt,+ 16  sepse çdo njeri i pandershëm që bën këto gjëra, është i neveritshëm për Jehovain, Perëndinë tënd.+ 17  Mos e harro atë që të bëri Amaleku kur po dilje nga Egjipti,+ 18  se si të priti rrugës dhe i goditi pas shpine tërë ata që hiqeshin zvarrë me mundim pas teje, ndërkohë që ti ishe i sfilitur dhe i lodhur. Ai nuk pati frikë nga Perëndia. 19  Kur Jehovai, Perëndia yt, të të ketë dhënë prehje nga tërë armiqtë përreth vendit që po të jep si trashëgimi Jehovai, Perëndia yt,+ shuaje kujtimin e Amalekut nën qiell.+ Mos e harro këtë!

Shënimet

Shih Fjalorthin, «Lëmi; Shirja».
Ose «emri i shtëpisë së tij». Fjalë për fjalë «emri i tij».
Fjalë për fjalë «në shtëpi një efë dhe një efë». Shih Shtojcën B14.