Ligji i përtërirë 28:1-68

  • Bekimet e bindjes (1-14)

  • Mallkimet e mosbindjes (15-68)

28  Po ta dëgjosh me vëmendje zërin e Jehovait, Perëndisë tënd, duke zbatuar me kujdes të gjitha urdhërimet e tij që po të jap sot, Jehovai, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e tokës.+  Po ta dëgjosh vazhdimisht zërin e Jehovait, Perëndisë tënd, mbi ty do të vijnë me bollëk këto bekime:+  I bekuar do të jesh në qytet dhe i bekuar do të jesh në arë.+  Të bekuar do të jenë fëmijët e tu,*+ fryti i tokës sate dhe pjellat e bagëtisë sate të trashë e të imët.+  E bekuar do të jetë shporta+ dhe magjja* jote.+  I bekuar do të jesh në çdo gjë që do të bësh.*  Jehovai do t’i mundë para syve të tu armiqtë që do të të sulen;+ do të të sulmojnë nga një drejtim, por do t’ia mbathin nga shtatë drejtime të tjera.+  Me urdhër të Jehovait, depot e tua+ dhe fryti i punës sate do të bekohen. Jehovai, Perëndia yt, do të të bekojë pa diskutim në vendin që po të jep.  Po të zbatosh vazhdimisht urdhërimet e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe të ecësh në udhët e tij, Jehovai do të të bëjë një popull të shenjtë për veten,+ sikurse t’u betua.+ 10  Të gjithë popujt e tokës do të shohin se ti mban emrin e Jehovait+ dhe do të kenë frikë prej teje.+ 11  Jehovai do të të bekojë plot e përplot me fëmijë e bagëti dhe me tokë pjellore+ në vendin që Jehovai iu betua paraardhësve të tu që të ta jepte ty.+ 12  Jehovai do të hapë për ty qiellin, depon e tij të mbushur plot, që t’i japë vendit tënd shi në stinën e vet+ dhe që të të bekojë në çdo gjë. Ti do t’u japësh hua shumë kombeve, ndërsa vetë nuk do të kesh nevojë të marrësh hua.+ 13  Jehovai do të të vërë në krye e jo në bisht. Do të jesh në majë+ e jo në fund, nëse u bindesh, i respekton dhe i zbaton vazhdimisht urdhërimet e Jehovait, Perëndisë tënd, që po të jap sot. 14  Nga të gjitha fjalët që po të urdhëroj sot, mos u shmang as djathtas, as majtas,+ që të shkosh pas perëndive të tjera e t’u shërbesh.+ 15  Por nëse nuk e dëgjon zërin e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe nuk i zbaton me kujdes të gjitha urdhërimet dhe ligjet e tij që po të jap sot, do të të zënë të gjitha këto mallkime:+ 16  I mallkuar do të jesh në qytet dhe i mallkuar do të jesh në arë.+ 17  E mallkuar do të jetë shporta+ dhe magjja jote.+ 18  Të mallkuar do të jenë fëmijët e tu,*+ fryti i tokës sate dhe pjellat e bagëtisë sate të trashë e të imët.+ 19  I mallkuar do të jesh në çdo gjë që do të bësh.* 20  Jehovai do të dërgojë mallkime, rrëmujë dhe ndëshkime kundër teje, në çdo gjë që do të bësh, derisa të shfarosesh e të marrësh fund shpejt, për shkak të zakoneve të tua të këqija dhe ngaqë e ke braktisur.*+ 21  Jehovai do të bëjë që të të ngjiten sëmundje derisa të të shfarosë nga vendi që po shkon të shtiesh në dorë.+ 22  Jehovai do të të ndëshkojë me tuberkuloz, me ethe të forta,+ me inflamacion, me temperaturë tejet të lartë, me shpatë,+ me erë zhuritëse e me vrug,*+ të cilat do të të ndjekin derisa të marrësh fund. 23  Qielli që ke mbi kokë, do të jetë prej bakri, dhe toka që ke nën këmbë, prej hekuri.+ 24  Në vend të shiut, Jehovai do të hedhë nga qielli pluhur e hi mbi vendin tënd derisa të shfarosesh. 25  Jehovai do të bëjë që të mundesh para armiqve të tu;+ ti do t’i sulmosh nga një drejtim, por do t’ia mbathësh nga shtatë drejtime të tjera. Tërë mbretëritë e tokës do të llahtarisen kur të shohin ç’të ka ndodhur.+ 26  Kufoma jote do të bëhet ushqim për gjithë zogjtë e qiellit dhe për kafshët e tokës, të cilat do të hanë e nuk do t’i përzërë kush.+ 27  Jehovai do të të godasë me çibanët e Egjiptit, hemorroide, ekzema e plagë në lëkurë, nga të cilat nuk do të shërohesh dot. 28  Jehovai do të të godasë me çmenduri, verbëri+ dhe hutim. 29  Në mes të ditës do ta kërkosh rrugën me të prekur si kërkon i verbri në terr+ dhe nuk do të kesh sukses në asgjë. Gjithmonë do të ta hanë hakun, do të të grabitin dhe askush nuk do të të vijë në ndihmë.+ 30  Do të fejohesh me një vajzë, por një burrë tjetër do ta përdhunojë. Do të ndërtosh një shtëpi, por s’do të banosh në të.+ Do të mbjellësh një vresht, por s’do t’ia shijosh frytin.+ 31  Demin do të ta therin para syve, por ti s’do të hash fare prej tij. Gomarin do të ta grabitin para teje dhe nuk do të ta kthejnë. Delen do të ta marrin armiqtë dhe askush nuk do të të vijë në ndihmë. 32  Bijtë dhe bijat e tua do të t’i marrë rob para syve një popull tjetër,+ dhe do të digjesh gjithnjë nga malli për ta, por ti s’do të mund të bësh asgjë. 33  Frytin e tokës sate dhe tërë prodhimin do ta shijojë një popull që ti nuk e njeh;+ gjithmonë do të ta hanë hakun e do të të dërrmojnë. 34  Do të luash mendsh nga ajo që do të të shohin sytë. 35  Jehovai do të të godasë me çibanë të dhembshëm e të pashërueshëm në gjunjë e në kofshë, nga shputa e këmbës deri në majë të kokës. 36  Jehovai do të të dëbojë ty dhe mbretin që do të vësh në krye, në një komb që nuk e ke njohur as ti, as paraardhësit e tu,+ dhe atje do t’u shërbesh perëndive të tjera, perëndive prej druri e guri.+ 37  Tërë popujt ku do të të dëbojë Jehovai, do të llahtarisen kur të shohin ç’të ka ndodhur, dhe ti do të bëhesh objekt përbuzjeje* e gazi i botës.+ 38  Do të mbjellësh shumë farë në arë, por do të mbledhësh pak,+ sepse do të ta përpijnë karkalecat. 39  Do të mbjellësh e do të kultivosh vreshta, por nuk do të pish verë e nuk do të mbledhësh asnjë fryt prej tyre,+ sepse do të t’i përpijnë krimbat. 40  Do të kesh ullinj në gjithë territorin tënd, por nuk do të lyhesh me vaj, sepse ullinjtë nuk do t’i mbajnë kokrrat. 41  Do të sjellësh në jetë bij e bija, por nuk do t’i gëzosh, sepse do të shkojnë në robëri.+ 42  Mizëri insektesh* do të përpijnë tërë pemët e tua dhe frytin e tokës sate. 43  I ardhuri që është mes teje do të ngrihet lart e më lart, kurse ti do të biesh poshtë e më poshtë. 44  Ai do të të japë hua, kurse ti nuk do t’i japësh hua atij.+ Ai do të bëhet kreu, kurse ti bishti.+ 45  Gjithë këto mallkime+ do të të ndjekin e do të të zënë derisa të shfarosesh,+ po nuk e dëgjove zërin e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe po nuk i zbatove urdhërimet e ligjet që të dha.+ 46  Ato do të jenë gjithnjë si shenjë e si paralajmërim për ty dhe pasardhësit e tu+ 47  nëse nuk i shërben Jehovait, Perëndisë tënd, me gëzim e hare në zemër kur të mos të mungojë asgjë.+ 48  Do t’u shërbesh+ i uritur,+ i etur, i zhveshur dhe në skamje të plotë armiqve që do të dërgojë Jehovai kundër teje. Ai do të të vërë në qafë një zgjedhë të hekurt derisa të të shfarosë. 49  Jehovai do të ngrejë kundër teje një komb të largët,+ nga skaji tjetër i tokës, që do të të vërsulet porsi shqiponjë,+ një komb të cilit nuk do t’ia kuptosh gjuhën,+ 50  një komb të egër që nuk do të dojë t’ia dijë as për të moshuarin, as për të riun.+ 51  Ata do të hanë pjellat e bagëtisë sate dhe frytin e tokës sate derisa të shfarosesh. Nuk do të të lënë as drithë, as verë të re, as vaj, as pjellat e bagëtisë sate të trashë e të imët derisa të të shkatërrojnë.+ 52  Ata do të të rrethojnë, do të të mbyllin brenda tërë qyteteve* të tua në mbarë vendin derisa muret e larta e të fortifikuara, te të cilat ke besim, të shemben. Po, me siguri do të të rrethojnë në tërë qytetet e tua në mbarë vendin që të ka dhënë Jehovai, Perëndia yt.+ 53  Atëherë, nga rrethimi i tmerrshëm dhe gjendja e mjerueshme që do të të shkaktojë armiku, do të detyrohesh të hash fëmijët e tu,* mishin e djemve e të vajzave+ që të ka dhënë Jehovai, Perëndia yt. 54  Edhe burri më i butë e më sqimatar mes teje, nuk do të ketë mëshirë për të vëllanë, bashkëshorten e shtrenjtë dhe fëmijët që do t’i mbesin gjallë, 55  dhe nuk do t’i japë asnjërit prej tyre nga mishi i fëmijëve që do të hajë, sepse nuk do t’i ketë mbetur asgjë për shkak të rrethimit të tmerrshëm dhe gjendjes së mjerueshme që do t’u shkaktojë armiku qyteteve të tua.+ 56  Edhe gruaja më e butë e më sqimatare mes teje, aq sqimatare saqë as i shkon ndër mend të vërë tabanin e këmbës përdhe,+ nuk do të ketë mëshirë për bashkëshortin e shtrenjtë, për bijtë e bijat, 57  madje edhe për mbeturinat e paslindjes që i dalin mes këmbëve dhe për fëmijët që lind, pasi do t’i hajë fshehurazi për shkak të rrethimit të tmerrshëm dhe gjendjes së mjerueshme që do t’u shkaktojë armiku qyteteve të tua. 58  Nëse nuk zbaton me kujdes të gjitha fjalët e këtij Ligji të shkruara në këtë libër,+ dhe nëse nuk respekton thellësisht* këtë emër të lavdishëm e që ngjall nderim,+ po, emrin e Perëndisë tënd, Jehovait,+ 59  vetë Jehovai do të sjellë mbi ty dhe pasardhësit e tu plagë tejet të rënda, epidemi+ dhe sëmundje të këqija që zor se shërohen. 60  Ai do të sjellë mbi ty të gjitha sëmundjet e Egjiptit, prej të cilave kishe frikë, dhe pa dyshim ato do të të ngjiten. 61  Për më tepër, Jehovai do të sjellë mbi ty gjithfarëlloj sëmundjesh e plagësh që nuk janë shkruar në librin e këtij Ligji derisa të shfarosesh. 62  Ndonëse je bërë i shumtë si yjet e qiellit,+ ti do të mbetesh veçse një grusht+ nëse nuk e dëgjon zërin e Jehovait, Perëndisë tënd. 63  Ashtu siç kënaqej dikur Jehovai kur të begatonte e të shumonte, po njësoj Jehovai do të kënaqet kur të të shkatërrojë e të të shfarosë. Kanë për të të shkulur me rrënjë nga vendi që së shpejti do të shtiesh në dorë. 64  Jehovai do të të shpërndajë mes tërë kombeve, nga njëri skaj i tokës në tjetrin,+ dhe atje do të të duhet t’u shërbesh perëndive prej druri e guri, që nuk i ke njohur as ti, as paraardhësit e tu.+ 65  Nuk do të gjesh rehat mes atyre kombeve+ dhe as vend ku të të çlodhen këmbët. Madje Jehovai do të bëjë që zemrën të ta pushtojë ankthi,+ që sytë të të lënë dhe që të biesh në dëshpërim.+ 66  Do ta kesh kokën në rrezik, do të kesh tmerr natë e ditë, dhe jeta jote do të varet në fije të perit. 67  Në mëngjes do të thuash: ‘Ah, sikur të ishte mbrëmje!’, kurse në mbrëmje do të thuash: ‘Ah, sikur të ishte mëngjes!’ nga tmerri që do të pushtojë zemrën tënde dhe nga ajo që do të të shohin sytë. 68  Me siguri, Jehovai do të të kthejë me anije në Egjipt, nëpër rrugën për të cilën të tha: ‘S’do ta shohësh më kurrë’, dhe atje do të detyrohesh të shesësh veten tek armiqtë si skllav e skllave, por askush nuk do të të blejë.»

Shënimet

Fjalë për fjalë «fryti i barkut tënd».
Ose «brumëtorja».
Fjalë për fjalë «I bekuar do të jesh kur të dalësh dhe i bekuar do të jesh kur të hysh».
Fjalë për fjalë «fryti i barkut tënd».
Fjalë për fjalë «I mallkuar do të jesh kur të dalësh dhe i mallkuar do të jesh kur të hysh».
Fjalë për fjalë «më ke braktisur».
Ose «shprehje proverbiale».
Ose «Insekte zukatëse».
Fjalë për fjalë «portave».
Fjalë për fjalë «frytin e barkut tënd».
Fjalë për fjalë «nuk i frikësohesh».