Ligji i përtërirë 3:1-29
3 Pastaj u kthyem dhe shkuam Rrugës së Bashanit. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me tërë popullin e tij, doli kundër nesh në betejë në Edrei.+
2 Por Jehovai më tha: ‘Mos ki frikë nga ai, sepse atë, mbarë popullin dhe vendin e tij do të ta jap në dorë. Do të bësh me të siç bëre me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon.’
3 Kështu Jehovai, Perëndia ynë, na e dha në dorë edhe Ogun, mbretin e Bashanit, dhe mbarë popullin e tij. Ne e sulmuam atë pa pushim derisa nuk mbeti gjallë asnjë.
4 Më pas pushtuam gjithë qytetet e tij. Nuk mbeti pa marrë asnjë qytet; gjithsej 60 qytete në rajonin e Argobit, pra në mbretërinë e Ogut në Bashan.+
5 Që të gjitha ishin qytete të fortifikuara me mure të larta, porta e shula, përveç shumë e shumë qytezave të parrethuara me mure.
6 Megjithatë ne i shkatërruam,*+ siç bëmë me Sihonin, mbretin e Heshbonit; po, shkatërruam të gjitha qytetet dhe shfarosëm burrat, gratë dhe fëmijët.+
7 Morëm për vete tërë bagëtinë dhe prenë e atyre qyteteve.
8 Në atë kohë pushtuam tokën e dy mbretërve të amoritëve,+ që ishin në rajonin e Jordanit, nga lugina e Arnonit* deri në malin e Hermonit+
9 (malin që sidonitët e quanin Sirion, kurse amoritët e quanin Senir),
10 tërë qytetet e rrafshnaltës,* mbarë Galadin dhe mbarë Bashanin deri në Salekah dhe në Edrei,+ qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan.
11 Vetëm Ogu, mbreti i Bashanit, kishte mbetur nga refaimët. Vigu* ku u vendos kufoma e tij ishte prej hekuri* dhe ndodhet ende në Rabahun e amonitëve. Vigu ishte nëntë kute* i gjatë dhe katër kute i gjerë, sipas kutit standard.
12 Në atë kohë shtimë në dorë këto vende: nga Aroeri,+ pranë luginës së Arnonit, deri në gjysmën e rajonit malor të Galadit. Qytetet e tyre ua dhashë rubenitëve dhe gaditëve.+
13 Pjesën tjetër të Galadit dhe tërë Bashanin e mbretërisë së Ogut ia dhashë gjysmës së fisit të Manaseut.+ Tërë rajoni i Argobit në Bashan njihej si vendi i refaimëve.
14 Jairi,+ biri i Manaseut, mori gjithë rajonin e Argobit+ deri në kufi me geshuritët dhe makathitët.+ Atyre fshatrave të Bashanit u vuri emrin e tij Havot-Jair,*+ dhe kështu quhen edhe sot.
15 Makirit i dhashë Galadin.+
16 Rubenitëve dhe gaditëve+ u dhashë nga Galadi deri në luginën e Arnonit, me mesin e luginës si kufi, e deri në luginën e Jabokut,* që është kufiri i amonitëve,
17 dhe Arabahun e Jordanin me brigjet e tij, nga Kinereti deri në detin e Arabahut, Detin e Kripur,* rrëzë shpateve të Pisgahut, nga lindja.+
18 Pastaj ju dhashë këtë urdhër: ‘Jehovai, Perëndia juaj, jua ka dhënë këtë vend që ta shtini në dorë. Të gjithë burrat trima mes jush do ta kalojnë të armatosur Jordanin para vëllezërve tuaj, izraelitëve.+
19 Vetëm gratë, fëmijët dhe bagëtia juaj (se e di që keni shumë bagëti) do të vazhdojnë të qëndrojnë në qytetet që ju dhashë,
20 derisa Jehovai t’u japë prehje vëllezërve tuaj, ashtu siç bëri për ju, dhe derisa ata të shtien në dorë tokën që do t’u japë matanë Jordanit Jehovai, Perëndia juaj. Pas kësaj, secili të kthehet në vendin që i dhashë.’+
21 Në këtë kohë i dhashë Josiut+ këtë urdhër: ‘Ti e pe me sytë e tu çfarë u bëri këtyre dy mbretërve Jehovai, Perëndia ynë. Jehovai do t’u bëjë të njëjtën gjë të gjitha mbretërive që do të pushtosh në anën tjetër.+
22 Mos kini frikë prej tyre, sepse Jehovai, Perëndia juaj, lufton për ju.’+
23 Në atë kohë iu përgjërova Jehovait:
24 ‘O Zotëri Sovran Jehova, ti ke filluar t’i tregosh shërbëtorit tënd sa madhështor je dhe ç’krah të fortë ke,+ sepse ku ka perëndi në qiej a në tokë që të bëjë vepra kaq të fuqishme si ti?!+
25 Të lutem, më lër të kaloj e të shoh vendin e mirë që është matanë Jordanit, ato vise të mira malore dhe Libanin.’+
26 Por Jehovai ishte ende tejet i zemëruar me mua për shkakun tuaj,+ dhe nuk më dëgjoi. Përkundrazi, Jehovai më tha: ‘Mjaft më! Mos më fol më kurrë për këtë gjë.
27 Ngjitu në majë të Pisgahut+ dhe hidhi sytë nga perëndimi, veriu, jugu dhe lindja. Shihe tërë vendin me sytë e tu, sepse ti s’ke për ta kaluar Jordanin.+
28 Lërja detyrën Josiut,+ jepi zemër e forcoje, sepse ai do t’i prijë popullit matanë Jordanit+ që ta marrë si trashëgimi vendin që do të shohësh.’
29 Gjithë kjo ndodhi kur banonim në luginën përballë Beth-Peorit.+
Shënimet
^ Ose «i caktuam për shkatërrim». Shih Fjalorthin.
^ Ose «vadi i Arnonit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «e pllajës».
^ Ose «arkivoli; sarkofagu».
^ Një mundësi tjetër «prej bazalti të zi».
^ Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
^ Do të thotë «fshatrat me tenda të Jairit».
^ Këtu i referohet kufirit lindor. Shih Shtojcën B4 dhe B6.
^ Domethënë, Detin e Vdekur.