Ligji i përtërirë 31:1-30

  • Moisiu në prag të vdekjes (1-8)

  • Leximi publik i Ligjit (9-13)

  • Emërohet Josiu (14, 15)

  • Parathuhet rebelimi i Izraelit (16-30)

    • Një këngë për të mësuar Izraelin (19, 22, 30)

31  Pastaj Moisiu qëndroi para tërë Izraelit dhe i tha këto fjalë:  «Sot jam 120 vjeç+ e nuk mund të jem më prijësi juaj,* pasi Jehovai më ka thënë: ‘Ti nuk do ta kalosh Jordanin.’+  Jehovai, Perëndia juaj, do të kalojë vetë përpara jush. Ai do t’i shfarosë para syve tuaj këto kombe, dhe ju do t’i dëboni.+ Matanë Jordanit do t’ju prijë Josiu,+ siç ka thënë Jehovai.  Jehovai do të bëjë me ta siç bëri me Sihonin+ e Ogun,+ mbretërit e amoritëve, dhe me vendin e tyre, kur i shfarosi.+  Jehovai do t’i mposhtë këto kombe për ju, kurse ju duhet të veproni në përputhje me gjithë urdhërimet që ju kam dhënë për ta.+  Jini të fortë dhe guximtarë.+ Mos kini frikë e mos u tmerroni prej tyre,+ sepse Jehovai, Perëndia juaj, marshon përkrah jush. Ai nuk do t’ju lërë e nuk do t’ju braktisë.»+  Moisiu thirri pastaj Josiun dhe para syve të tërë Izraelit i tha: «Ji i fortë dhe guximtar,+ sepse do ta çosh ti këtë popull në vendin që Jehovai u betua t’ua jepte paraardhësve të tij dhe ti do t’ia japësh si trashëgimi.+  Jehovai do të marshojë përkrah teje dhe do të jetë vazhdimisht me ty.+ Ai nuk do të të lërë, as nuk do të të braktisë. Mos ki frikë e mos u tmerro.»+  Kështu Moisiu e shkroi këtë Ligj+ dhe ua dha priftërinjve, levitëve, të cilët mbartnin arkën e besëlidhjes së Jehovait, si edhe tërë pleqve të Izraelit. 10  Moisiu i urdhëroi ata: «Në fund të çdo shtatë vjetëve, në kohën e caktuar të vitit të faljes së borxheve,+ gjatë Festës së Kasolleve,*+ 11  kur tërë Izraeli të paraqitet para Jehovait,+ Perëndisë tuaj, në vendin që ai do të zgjedhë, do ta lexoni këtë Ligj që ta dëgjojë tërë Izraeli.+ 12  Mblidhni popullin,+ burrat, gratë, fëmijët* dhe të ardhurit që gjenden brenda qyteteve* tuaja, që të dëgjojnë, të mësojnë e të kenë nderim të thellë për Jehovain,* Perëndinë tuaj, dhe të zbatojnë me kujdes të gjitha fjalët e këtij Ligji. 13  Atëherë bijtë e tyre, të cilët nuk e kanë njohur këtë Ligj, do të dëgjojnë+ e do të mësojnë të kenë nderim të thellë për Jehovain, Perëndinë tuaj, për sa kohë të jetoni në vendin që do të shtini në dorë pasi të kaloni Jordanin.»+ 14  Pas kësaj Jehovai i tha Moisiut: «Ja, dita e vdekjes sate është shumë afër.+ Thirr Josiun dhe paraqituni* në tendën e takimit* që t’ia ngarkoj detyrën atij.»+ Kështu Moisiu me Josiun vajtën dhe u paraqitën në tendën e takimit. 15  Ndërkaq Jehovai u shfaq pranë tendës në një shtyllë reje, e cila qëndroi në hyrje të tendës.+ 16  Jehovai tani i tha Moisiut: «Ti je në prag të vdekjes* dhe shpejt ky popull do ta shesë veten si prostitutë te perënditë e huaja që gjenden në tërë vendin ku ai po shkon.+ Ata do të më braktisin+ dhe do ta prishin besëlidhjen që bëra me ta.+ 17  Atëherë do të më ndizet zemërimi kundër tyre,+ do t’i braktis+ e nuk do t’i hedh më sytë mbi ta+ derisa të marrin fund. Pas shumë të zezash e vuajtjesh+ do të thonë: ‘A nuk na kanë rënë këto të zeza ngaqë Perëndia ynë nuk është mes nesh?’+ 18  Megjithatë unë do t’i mbaj sytë larg tyre atë ditë, për shkak të gjithë ligësisë që kanë bërë duke shkuar pas perëndive të tjera.+ 19  Prandaj shkruajeni këtë këngë+ e mësojuani izraelitëve.+ Mësojuani që ta dinë përmendsh,* që kjo këngë të shërbejë si dëshmia ime kundër popullit të Izraelit.+ 20  Kur t’i çoj në vendin që iu betova paraardhësve të tyre+—një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë+—dhe të hanë derisa të ngopen e të begatohen,*+ ata do të shkojnë pas perëndive të tjera e do t’u shërbejnë, kurse mua do të më përbuzin dhe besëlidhjen time do ta prishin.+ 21  E kur t’u kenë rënë shumë të zeza e vuajtje,+ kjo këngë do t’u shërbejë si dëshmi (që pasardhësit e tyre të mos e harrojnë atë), sepse unë e di mirë ç’prirje kanë+ që para se t’i çoj në vendin që u jam betuar.» 22  Kështu, atë ditë Moisiu e shkroi këngën dhe ua mësoi izraelitëve. 23  Pastaj Ai* ia ngarkoi detyrën Josiut,+ birit të Nunit, dhe i tha: «Ji i fortë dhe guximtar,+ sepse ti do t’i çosh izraelitët në vendin që u jam betuar,+ dhe unë do të jem vazhdimisht me ty.» 24  Sapo mbaroi së shkruari të gjitha fjalët e këtij Ligji në një libër,+ 25  Moisiu i urdhëroi levitët që mbartnin arkën e besëlidhjes së Jehovait: 26  «Merreni këtë libër të Ligjit,+ vëreni anash arkës+ së besëlidhjes së Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe atje ai do të shërbejë si dëshmi kundër popullit. 27  Se unë e njoh mirë natyrën e tyre rebele+ dhe kokëfortësinë e tyre.*+ Nëse janë rebeluar sa e sa herë kundër Jehovait kur isha ende gjallë e mes jush, aq më shumë do të rebelohen pas vdekjes sime! 28  Mblidhni pranë meje gjithë pleqtë e fiseve dhe të parët, që t’i them këto fjalë në prani të tyre e të marr si dëshmitarë kundër tyre qiellin dhe tokën,+ 29  se unë e di fare mirë që pas vdekjes sime populli do të veprojë me ligësi+ dhe do të largohet nga udha që i kam urdhëruar. Në të ardhmen, pa dyshim do t’i bien të zeza,+ sepse do të bëjë atë që është e keqe në sytë e Jehovait dhe do ta fyejë me veprat e duarve të tij.» 30  Pastaj, ndërsa gjithë kongregacioni i Izraelit e dëgjonte, Moisiu tha nga fillimi në fund fjalët e kësaj kënge:+

Shënimet

Fjalë për fjalë «nuk mund të hyj e nuk mund të dal».
Ose «Festës së Strehëve të Përkohshme».
Fjalë për fjalë «të vegjlit».
Fjalë për fjalë «portave».
Fjalë për fjalë «t’i frikësohen Jehovait». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «zini vend».
Fjalë për fjalë «po shtrihesh me etërit e tu».
Fjalë për fjalë «Vëruani në gojë».
Fjalë për fjalë «majmen».
Ka të ngjarë t’i referohet Perëndisë.
Fjalë për fjalë «qafën e tyre të fortë».