Ligji i përtërirë 8:1-20

  • Sillen sërish ndër mend bekimet e Jehovait (1-9)

    • «Njeriu s’jeton vetëm me bukë» (3)

  • Mos e harro Jehovain (10-20)

8  Ki kujdes që të zbatosh çdo urdhërim që po të jap sot, që të jetosh gjatë,+ të shumohesh dhe të hysh e të shtiesh në dorë vendin për të cilin Jehovai iu betua paraardhësve të tu.+  Mos harro udhën e gjatë ku Jehovai, Perëndia yt, të vuri të ecje gjatë këtyre 40 viteve në shkretëtirë,+ që të të mësonte të bëheshe i përulur e të të vinte në provë+ për të parë ç’kishe në zemër,+ nëse do t’i zbatoje apo jo urdhërimet e tij.  Kështu të mësoi të ishe i përulur, të la të kishe uri+ e të ushqeu me manën+ të cilën s’e kishe njohur as ti, as etërit e tu, që ta dish se njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.+  Rrobat që vishje nuk t’u vjetruan, as këmbët nuk t’u ënjtën gjatë këtyre 40 viteve.+  Thellë-thellë, ti e di mirë se Jehovai, Perëndia yt, të ndreqte si një baba ndreq të birin.+  Prandaj zbatoji urdhërimet e Jehovait, Perëndisë tënd, duke ecur në udhët e tij dhe duke e nderuar thellësisht,*  sepse Jehovai, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë,+ në një vend me përrenj* plot ujë, me kroje e me burime të thella që vërshojnë nëpër lugina* e male;  në një vend me grurë, elb, hardhi, fiq dhe shegë;+ në një vend me vaj ulliri e mjaltë;+  në një vend me ushqim të bollshëm, ku nuk do të të mungojë asgjë; në një vend ku gurët kanë hekur dhe nga malet do të nxjerrësh bakër. 10  Si të kesh ngrënë e të jesh ngopur, lëvdo Jehovain, Perëndinë tënd, për vendin e mirë që të dha.+ 11  Ki kujdes se mos e harron Jehovain, Perëndinë tënd, dhe nuk i zbaton urdhërimet, vendimet gjyqësore dhe ligjet e tij, që po të jap sot. 12  Kur të hash e të ngopesh, kur të ndërtosh shtëpi të bukura e të banosh në to,+ 13  kur të të shtohen bagëtitë e imëta dhe të trasha, argjendi e ari dhe të kesh gjithçka me bollëk, 14  mos lejo të të krenohet zemra+ e pastaj të harrosh Jehovain, Perëndinë tënd, që të nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.+ 15  Ai të vuri të ecje nëpër një shkretëtirë të madhe e të frikshme,+ me gjarpërinj helmues e akrepa, nëpër një tokë të etur për ujë; nxori ujë për ty nga shkëmbi*+ 16  dhe të ushqeu në shkretëtirë me manën,+ të cilën etërit e tu nuk e kishin njohur, që të të mësonte të bëheshe i përulur+ e të të vinte në provë, që të nxirrje dobi në të ardhmen.+ 17  Në rast se mendon: ‘E kam fituar këtë pasuri me fuqinë time e me forcën e duarve të mia’,+ 18  mos harro se fuqinë që të pasurohesh ta jep Jehovai, Perëndia yt,+ dhe këtë e bën që të plotësojë besëlidhjen për të cilën iu betua paraardhësve të tu, siç po bën edhe sot.+ 19  Nëse e harron Jehovain, Perëndinë tënd e shkon pas perëndive të tjera, u shërben dhe përkulesh para tyre, po të paralajmëroj sot se ke për të marrë fund.+ 20  Ke për të marrë fund njësoj si kombet që Jehovai po shkatërron përpara syve të tu, ngaqë nuk deshe ta dëgjoje zërin e Jehovait, Perëndisë tënd.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «duke iu frikësuar». Shih Fjalorthin.
Ose «vade». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «rrafshina lugine».
Ose «shkëmbi prej stralli».