Ligji i përtërirë 9:1-29
9 Dëgjo, o Izrael, ti sot po kalon Jordanin+ që të hysh e të marrësh pronat e kombeve më të mëdha e më të fuqishme se ti,+ të qyteteve të mëdha e të fortifikuara deri në qiell*+
2 dhe të një populli të madh e shtatlartë, të anakimëve,+ që ti i njeh e për të cilët ke dëgjuar të thuhet: ‘Kush mund t’u bëjë ballë bijve të Anakut?’
3 Dije mirë, pra, se Jehovai, Perëndia yt, do të shkojë përpara teje.+ Ai është një zjarr që përpin+ dhe do t’i shfarosë ata. Ai do t’i mposhtë para syve të tu, që ti t’i dëbosh* dhe t’i shkatërrosh menjëherë, siç të premtoi Jehovai.+
4 Kur Jehovai, Perëndia yt, t’i dëbojë para syve të tu, mos mendo: ‘Jehovai më solli në këtë vend që ta shtie në dorë,+ ngaqë jam i drejtë.’ Përkundrazi, Jehovai po i dëbon këto kombe për ty, sepse janë të ligj.+
5 Jo, nuk po hyn që të marrësh vendin e tyre as nga drejtësia jote, as nga ndershmëria e zemrës sate. Jehovai, Perëndia yt, po i dëbon këto kombe për shkak të ligësisë së tyre+ dhe për të përmbushur fjalën që Jehovai iu betua paraardhësve të tu, Abrahamit,+ Isakut+ dhe Jakobit.+
6 Dije pra, se Jehovai, Perëndia yt, nuk po ta jep këtë vend të mirë nga drejtësia jote, pasi ti je një popull kryeneç.*+
7 Kujto si e provokove Jehovain, Perëndinë tënd, në shkretëtirë, dhe mos e harro kurrë këtë.+ Ti u rebelove kundër Jehovait që nga dita kur dole nga Egjipti e derisa mbërrite në këtë vend.+
8 Madje edhe në Horeb e provokove Jehovain, dhe Jehovai u zemërua aq shumë me ty, sa gati-gati të shfarosi.+
9 Kur u ngjita në mal për të marrë pllakat e gurit,+ pllakat e besëlidhjes që bëri Jehovai me ty,+ qëndrova atje 40 ditë e 40 net+ pa ngrënë e pa pirë.
10 Jehovai më dha dy pllaka guri, të shkruara me gishtin e vet. Në to ishin të gjitha fjalët që Jehovai të kishte thënë në mal nga zjarri, ditën kur u mblodh asambleja.*+
11 Pas 40 ditëve e 40 netëve, Jehovai më dha dy pllakat e gurit, pra pllakat e besëlidhjes.
12 Jehovai më tha: ‘Ngrihu e zbrit shpejt, sepse populli yt, që ti nxore nga Egjipti, ka vepruar me ligësi.+ Sa shpejt dolën nga udha në të cilën i urdhërova të ecnin dhe kanë bërë një shëmbëlltyrë prej metali!’*+
13 Pastaj Jehovai më tha: ‘E kam parë këtë popull, dhe ja, është një popull kryeneç.*+
14 Më lër ta shfaros e t’ia shuaj emrin nën qiell dhe të bëj prej teje një komb më të fuqishëm e më të madh se ai.’+
15 Kështu, ndërsa mali ishte në flakë,+ u ktheva e zbrita prej tij me dy pllakat e besëlidhjes në duar.+
16 Pastaj pashë dhe ja, ti kishe mëkatuar kundër Jehovait, Perëndisë tënd. Kishe bërë një viç prej metali.* Sa shpejt ishe larguar nga udha që Jehovai të urdhëroi të ndiqje!+
17 Kështu i mora të dy pllakat, i flaka përtokë dhe i copëtova para syve të tu.+
18 U përkula me fytyrë përtokë para Jehovait, si më parë, 40 ditë e 40 net. As hëngra e as piva,+ për shkak të të gjitha mëkateve që kishe kryer, sepse veprove me ligësi në sytë e Jehovait dhe e fyeve.
19 Faktikisht isha i tmerruar ngaqë Jehovai ishte zemëruar aq shumë me ty,+ sa gati-gati të shfarosi. Megjithatë Jehovai më dëgjoi edhe atë herë.+
20 Po ashtu, Jehovai ishte aq i zemëruar me Aronin, sa ishte gati ta shfaroste,+ kështu që në atë rast iu përgjërova edhe për Aronin.
21 Pastaj mora viçin me të cilin mëkatove,+ e dogja në zjarr, e thërrmova dhe e bluajta krejt derisa u bë pluhur. Më pas pluhurin e hodha në përroin që zbriste nga mali.+
22 Veç kësaj, ti e provokove Jehovain dhe ia ndeze zemërimin edhe në Taberah,+ Masah+ dhe Kibrot-Hatavah.+
23 Kur Jehovai të nisi nga Kadesh-Barnea+ e të tha: ‘Ngjitu dhe shtije në dorë vendin që me siguri do të të jap’, prapë u rebelove kundër urdhrit të Jehovait, Perëndisë tënd,+ nuk tregove besim+ tek ai dhe nuk iu binde.
24 Ti je rebeluar kundër Jehovait që nga dita që të kam njohur.
25 Prandaj, ngaqë Jehovai kishte thënë se do të të shfaroste, u përkula me fytyrë përtokë para Jehovait për 40 ditë e 40 net.+
26 Nisa t’i përgjërohesha Jehovait e t’i thosha: “O Zotëri Sovran Jehova, mos e zhduk popullin tënd nga faqja e dheut. Ai është trashëgimia jote*+ që ti e shpengove* me forcën tënde të madhe dhe e nxore nga Egjipti me dorë të fortë.+
27 Kujto shërbëtorët e tu, Abrahamin, Isakun dhe Jakobin.+ Mos ia vër re këtij populli kokëfortësinë, ligësinë dhe mëkatin.+
28 Përndryshe, populli i vendit nga na nxore, do të thotë: ‘Jehovai nuk mundi ta çonte këtë popull në vendin që u kishte premtuar dhe, ngaqë i urrente, i nxori në shkretëtirë për t’i vrarë.’+
29 Sidoqoftë, ata janë populli yt dhe trashëgimia jote,*+ që ti i nxore me forcën tënde të madhe dhe me krahun tënd të fuqishëm.”*+
Shënimet
^ Domethënë, me mure shumë të larta.
^ Ose «shpronësosh».
^ Fjalë për fjalë «me qafë të fortë».
^ Ose «kongregacioni».
^ Ose «shtatore të derdhur».
^ Fjalë për fjalë «me qafë të fortë».
^ Ose «prej metali të derdhur».
^ Ose «zotërimi yt».
^ Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
^ Ose «zotërimi yt».
^ Fjalë për fjalë «të shtrirë».