Danieli 1:1-21

  • Jerusalemin e rrethojnë babilonasit (1, 2)

  • Stërvitje e veçantë për të rinjtë me prejardhje mbretërore që ishin robër (3-5)

  • Besnikëria e katër hebrenjve vihet në provë (6-21)

1  Vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit,+ mbretit të Judës, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi në Jerusalem dhe e rrethoi.+  Me kohë, Jehovai i dha në dorë Jehojakimin, mbretin e Judës,+ si edhe disa nga pajisjet e shtëpisë* së Perëndisë së vërtetë, të cilat i çoi në vendin e Shinarit,*+ në shtëpinë* e perëndisë së tij, dhe i vuri në thesarin e perëndisë së tij.+  Pastaj mbreti urdhëroi Ashpenazin, kreun e zyrtarëve të oborrit, që të sillte disa izraelitë,* ku përfshiheshin edhe ata me prejardhje mbretërore e fisnike.+  Ata duhej të ishin të rinj* pa asnjë të metë, të pashëm, plot mençuri, njohuri, aftësi dalluese+ dhe të aftë për të shërbyer në pallatin e mbretit. Ashpenazi duhej t’u mësonte shkrimin dhe gjuhën e kaldeasve.  Për më tepër, mbreti u caktoi një racion të përditshëm nga ushqimet e tij të zgjedhura dhe nga vera që pinte vetë. Ata duheshin stërvitur* për tre vjet dhe, në fund të kësaj kohe, do të hynin në shërbim të mbretit.  Mes tyre ishin disa nga fisi* i Judës: Danieli,*+ Hananiahu,* Mishaeli* dhe Azariahu.*+  Kreu i zyrtarëve të oborrit u vuri atyre emra të tjerë:* Danielin e quajti Belteshazar;+ Hananiahun, Shadrak; Mishaelin, Meshak dhe Azariahun, Abednego.+  Megjithatë Danieli vendosi në zemër të mos ndotej me ushqimet e zgjedhura të mbretit dhe me verën që pinte ai. Prandaj i kërkoi leje kreut të zyrtarëve të oborrit që të mos i hante dhe të mos i pinte gjërat që do ta ndotnin.  E Perëndia i vërtetë bëri që kreu i zyrtarëve të oborrit ta shihte me sy të mirë* Danielin dhe të ishte i mëshirshëm me të.+ 10  Por ai i tha Danielit: «Kam frikë nga imzot, mbreti, sepse ai vetë ka caktuar ç’duhet të hani e të pini. Po sikur t’i bjerë në sy që dukeni më të hequr se të rinjtë* e tjerë në të njëjtën moshë me ju? Atëherë do të më bënit fajtor në sytë e mbretit.»* 11  Mirëpo Danieli i tha rojtarit që kreu i zyrtarëve të oborrit e kishte caktuar për Danielin, Hananiahun, Mishaelin dhe Azariahun: 12  «Të lutem, vëri në provë shërbëtorët e tu për dhjetë ditë, e le të na japin perime për të ngrënë dhe ujë për të pirë. 13  Pastaj shih si do të dukemi në krahasim me të rinjtë* që hanë ushqimet e zgjedhura të mbretit, dhe bëj me shërbëtorët e tu sipas asaj që do të shohësh.» 14  Kështu ai ra dakord me këtë sugjerim dhe i vuri në provë për dhjetë ditë. 15  Në fund të dhjetë ditëve ata dukeshin më mirë e më të shëndetshëm* se gjithë të rinjtë* e tjerë që hanin ushqimet e zgjedhura të mbretit. 16  Prandaj rojtari ua hiqte ushqimet e zgjedhura dhe verën, e u jepte perime. 17  E Perëndia i vërtetë u dha këtyre katër të rinjve mençuri, njohuri dhe gjykim të thellë për çdo lloj vepre të shkruar; Danielit i dha aftësi për të kuptuar lloj-lloj vegimesh* dhe ëndrrash.+ 18  Në fund të kohës që mbreti kishte caktuar t’i sillnin para tij,+ kreu i zyrtarëve të oborrit i çoi përpara Nabukodonosorit. 19  Kur mbreti foli me ta, në të gjithë grupin s’kishte asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu,+ dhe ata vazhduan në shërbim të mbretit. 20  Për çdo pyetje që u bënte mbreti dhe që kërkonte mençuri e aftësi për të kuptuar, ai pa se në mbarë mbretërinë e tij ata ishin dhjetë herë më mirë se gjithë priftërinjtë që merreshin me magji dhe ndjellësit e frymërave.+ 21  Danieli qëndroi atje deri në vitin e parë të mbretërimit të mbretit Kir.+

Shënimet

Ose «e tempullit».
Domethënë, në Babiloni.
Ose «tempullin».
Fjalë për fjalë «bij të Izraelit».
Fjalë për fjalë «fëmijë».
Një mundësi tjetër «Duheshin ushqyer».
Do të thotë «Jehovai ka ndihmuar».
Mund të ketë kuptimin «Kush është si Perëndia?»
Do të thotë «Jehovai ka treguar miratim».
Fjalë për fjalë «bijtë».
Do të thotë «Perëndia është gjykatësi im».
Domethënë, emra babilonas.
Ose «të tregohej zemërmirë me».
Ose «do të ma vinit kokën në rrezik para mbretit».
Fjalë për fjalë «fëmijët».
Fjalë për fjalë «fëmijët».
Fjalë për fjalë «të mbushur».
Fjalë për fjalë «fëmijët».