Danieli 10:1-21

  • Një lajmëtar nga Perëndia viziton Danielin (1-21)

    • Mikaeli ndihmon engjëllin (13)

10  Vitin e tretë të Kirit,+ mbretit të Persisë, Danielit, që e quanin Belteshazar,+ iu dha një zbulesë hyjnore. Mesazhi ishte i vërtetë e kishte të bënte me një luftë të madhe, dhe Danieli e kuptoi mesazhin e atë që kishte parë.  Në ato ditë, unë, Danieli, kisha mbajtur zi+ plot tri javë.  Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk vura në gojë as mish, as verë dhe nuk u leva fare me vaj për tri javë plot.  Ditën e 24-t të muajit të parë, kur gjendesha buzë lumit të madh, Tigrit,*+  ngrita sytë dhe pashë një burrë me veshje linoje,+ që në mes kishte një rrip ari nga Ufazi.  Trupin e kishte si krizolit,+ fytyrën si vetëtimë, sytë si pishtarë të zjarrtë, krahët e këmbët si bakër i lustruar,+ kurse tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme.  Vetëm unë, Danieli, e pashë vegimin;* njerëzit që ishin me mua, nuk e panë.+ Prapëseprapë i zuri një frikë aq e madhe, sa ia mbathën për t’u fshehur.  Kështu mbeta vetëm unë dhe, kur pashë këtë vegim madhështor, s’më mbeti pikë fuqie, u preva në fytyrë e fuqitë m’u shterën krejt.+  Më pas dëgjova zërin e atij që fliste, por, kur e dëgjova të fliste, rashë në gjumë të thellë me fytyrë përtokë.+ 10  Pastaj ai më preku me dorë+ e më tundi, që të ngrihesha mbi duar e mbi gjunjë. 11  Atëherë ai më tha: «O Daniel, njeri shumë i vyer,*+ kushtoju vëmendje fjalëve që do të të them. Tani ngrihu në këmbë aty ku je, sepse më kanë dërguar te ti.» Kur më tha këto fjalë, u çova ndërsa dridhesha i tëri. 12  Atëherë më tha: «Mos ki frikë,+ Daniel! Fjalët e tua u dëgjuan që ditën e parë që kërkove me gjithë zemër t’i kuptoje këto gjëra e të përuleshe para Perëndisë, prandaj erdha për shkak të fjalëve të tua.+ 13  Mirëpo princi+ i mbretërisë së Persisë m’u kundërvu për 21 ditë. Por, pas kësaj, Mikaeli,*+ një nga princat më të rëndësishëm,* erdhi të më ndihmonte; unë mbeta atje, pranë mbretërve të Persisë. 14  Kam ardhur që të të ndihmoj të kuptosh ç’do të ndodhë me popullin tënd në ditët e fundit,+ sepse ka ende një vegim për ditët që do të vijnë.»+ 15  Kur më tha këto, ula kokën dhe mbeta pa fjalë. 16  Pastaj dikush që ngjante me një njeri, më preku buzët,+ dhe unë hapa gojën e i thashë atij që qëndronte përballë meje: «Imzot, po dridhem nga vegimi që pashë e s’kam pikë fuqie.+ 17  Prandaj, imzot, si mund të flasë shërbëtori yt me ty?+ Se nuk kam pikë fuqie dhe po më merret fryma.»+ 18  Ai që ngjante me një njeri, më preku përsëri e më dha forcë.+ 19  Pastaj tha: «Mos ki frikë,+ o njeri shumë i vyer!*+ Paqja qoftë me ty!+ Ji i fortë, po, ji i fortë!» Ndërsa më fliste, mora forcë dhe i thashë: «Le të flasë zotëria im, sepse më ke dhënë forcë.» 20  Atëherë më tha: «E di pse erdha te ti? Tani do të kthehem të luftoj me princin e Persisë.+ Kur të largohem, do të vijë princi i Greqisë. 21  Megjithatë do të të tregoj gjërat e dokumentuara në librin e së vërtetës. Nuk ka asnjë që të më mbështetë fortësisht në këto gjëra, përveç Mikaelit,+ princit tuaj.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «Hidekelit».
Ose «tejet i çmuar; shumë i vlerësuar».
Ose «një princ i rangut të lartë».
Do të thotë «Kush është si Perëndia?»
Ose «tejet i çmuar; shumë i vlerësuar».