Danieli 3:1-30

  • Shëmbëlltyra prej ari e mbretit Nabukodonosor (1-7)

    • Urdhëron të adhurojnë shëmbëlltyrën (4-6)

  • Tre hebrenjtë akuzohen për mosbindje (8-18)

    • «Ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua» (18)

  • I hedhin në furrën e zjarrtë (19-23)

  • Shpëtojnë nga zjarri në mënyrë të mrekullueshme (24-27)

  • Mbreti lëvdon Perëndinë e hebrenjve (28-30)

3  Mbreti Nabukodonosor bëri një shëmbëlltyrë* prej ari, 60 kute* të lartë dhe 6 kute* të gjerë. Ai e ngriti në rrafshinën e Durës, në provincën e Babilonisë.  Pastaj mbreti Nabukodonosor dërgoi fjalë që të mblidhnin satrapët,* prefektët, guvernatorët, këshilltarët, nëpunësit e thesarit, gjykatësit, magjistratët* dhe gjithë administratorët e provincave, që të vinin në përurimin e shëmbëlltyrës që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor.  Kështu, satrapët, prefektët, guvernatorët, këshilltarët, nëpunësit e thesarit, gjykatësit, magjistratët dhe gjithë administratorët e provincave u mblodhën për përurimin e shëmbëlltyrës që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor dhe qëndruan në këmbë përballë saj.  Kasneci* shpalli me zë të lartë: «O popuj, kombe dhe gjuhë,  kur të dëgjoni tingullin e bririt, të pipëzës, të qestes, të harpës trekëndëshe, të instrumentit me tela, të gajdes dhe të të gjitha instrumenteve të tjera muzikore, me urdhër të mbretit Nabukodonosor, duhet të përkuleni me fytyrë përtokë dhe të adhuroni shëmbëlltyrën prej ari që ka ngritur mbreti!  Kushdo që nuk përkulet me fytyrë përtokë dhe nuk e adhuron, do të hidhet në çast në furrën me zjarr përvëlues.»+  Prandaj, kur dëgjuan tingullin e bririt, të pipëzës, të qestes, të harpës trekëndëshe, të instrumentit me tela e të të gjitha instrumenteve të tjera muzikore, gjithë popujt, kombet e gjuhët u përkulën me fytyrë përtokë dhe adhuruan shëmbëlltyrën prej ari që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor.  Në atë kohë, disa kaldeas dolën dhe i akuzuan* judenjtë.  Ata i thanë mbretit Nabukodonosor: «Jetofsh përjetë, o mbret! 10  Ti, o mbret, dhe urdhër që çdo njeri, me të dëgjuar tingullin e bririt, të pipëzës, të qestes, të harpës trekëndëshe, të instrumentit me tela, të gajdes e të çdo instrumenti tjetër muzikor, të përkulet me fytyrë përtokë e të adhurojë shëmbëlltyrën prej ari, 11  dhe se kushdo që nuk përkulet me fytyrë përtokë dhe nuk e adhuron atë, duhet të hidhet në furrën me zjarr përvëlues.+ 12  Por janë ca judenj që ti i emërove të administronin provincën e Babilonisë: Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja.+ Ata nuk të kanë përfillur, o mbret, nuk po u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk pranojnë të adhurojnë shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur.» 13  Atëherë, i tërbuar, Nabukodonosori urdhëroi t’i sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon. Prandaj i sollën para mbretit. 14  Nabukodonosori u tha: «A është e vërtetë, o Shadrak, Meshak dhe Abednego, se nuk po u shërbeni perëndive të mia+ dhe nuk pranoni të adhuroni shëmbëlltyrën prej ari që kam ngritur unë? 15  Tani, kur të dëgjoni tingullin e bririt, të pipëzës, të qestes, të harpës trekëndëshe, të instrumentit me tela, të gajdes dhe të çdo instrumenti tjetër muzikor, në rast se jeni gati të përkuleni me fytyrë përtokë e të adhuroni shëmbëlltyrën që kam bërë, në rregull. Por, nëse nuk pranoni ta adhuroni, do të hidheni në çast në furrën me zjarr përvëlues. E, cili është ai perëndi që mund t’ju çlirojë nga duart e mia?!»+ 16  Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja iu përgjigjën mbretit: «O Nabukodonosor, ne nuk kemi nevojë të të përgjigjemi për këtë çështje. 17  Nëse na hidhni në furrë, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra me zjarr përvëlues dhe nga dora jote, o mbret.+ 18  Mirëpo, edhe sikur të mos e bëjë, ta dish, o mbret, se ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do ta adhurojmë shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur.»+ 19  Atëherë Nabukodonosori u tërbua kaq shumë me Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon, saqë ndryshoi krejt në fytyrë;* ai dha urdhra ta nxehnin furrën shtatë herë më shumë se zakonisht. 20  Urdhëroi disa burra të fuqishëm të ushtrisë së tij, që të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon e t’i hidhnin në furrën me zjarr përvëlues. 21  Kështu, i lidhën këta të tre, ashtu siç ishin, të veshur me mantele, me rroba, me kësula e me gjithë veshjet e tjera, dhe i hodhën në furrën me zjarr përvëlues. 22  Ngaqë urdhri i mbretit ishte shumë i ashpër dhe furra ishte jashtëzakonisht e nxehtë, flakët e zjarrit përpinë pikërisht ata që morën Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon. 23  Kurse këta të tre, Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja, ranë të lidhur në furrën me zjarr përvëlues. 24  Atëherë mbreti Nabukodonosor u tremb, u çua me nxitim dhe u tha zyrtarëve të tij të lartë: «A nuk lidhëm tre burra dhe i hodhëm në zjarr?» Ata iu përgjigjën: «Po, o mbret.» 25  Ai u tha: «Ja, unë shoh katër burra që ecin lirisht mes zjarrit e janë shëndoshë e mirë, dhe i katërti ngjan si bir perëndish.» 26  Nabukodonosori iu afrua derës së furrës me zjarr përvëlues dhe tha: «Shadrak, Meshak, Abednego, o ju shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë,+ dilni dhe ejani këtu!» Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja dolën nga zjarri. 27  Satrapët, prefektët, guvernatorët dhe zyrtarët e lartë të mbretit që ishin mbledhur atje,+ panë se zjarri s’u kishte bërë gjë trupave të tyre,+ asnjë fije floku nuk u ishte përcëlluar, mantelet nuk u ishin prekur e madje as nuk mbanin erë të djegur. 28  Atëherë Nabukodonosori shpalli: «Lëvduar qoftë Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abednegos,+ i cili dërgoi engjëllin e vet dhe i çliroi shërbëtorët e tij! Ata patën besim tek ai dhe dolën kundër urdhrit të mbretit e ishin gati të vdisnin,* në vend që t’i shërbenin a të adhuronin ndonjë perëndi tjetër, përveç Perëndisë së tyre.+ 29  Prandaj po nxjerr një urdhër: nga çdo popull, komb ose gjuhë, kushdo që thotë ndonjë gjë kundër Perëndisë së Shadrakut, të Meshakut e të Abednegos, do të gjymtohet dhe shtëpia e tij do të kthehet në nevojtore publike,* sepse nuk ka asnjë perëndi tjetër që është në gjendje të çlirojë si ky!»+ 30  Pastaj mbreti i ngriti në detyrë* Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon në provincën e Babilonisë.+

Shënimet

Ose «statujë».
Rreth 27 m. Shih Shtojcën B14.
Rreth 2,7 m. Shih Shtojcën B14.
Një zyrtar i oborrit që kishte si detyrë të shpallte publikisht urdhra dhe dekrete mbretërore.
Ose «shpifën për».
Ose «ndryshoi krejt qëndrim».
Ose «dhe i dorëzuan trupat e tyre».
Një mundësi tjetër «vend plehrash; pirg bajgash».
Fjalë për fjalë «bëri të kishin mbarësi».