Danieli 4:1-37

  • Mbreti Nabukodonosor pranon mbretërimin e Perëndisë (1-3)

  • Mbreti sheh në ëndërr një pemë (4-18)

    • Kalojnë shtatë kohë që nga prerja e pemës (16)

    • Perëndia është Sovran mbi njerëzimin (17)

  • Danieli interpreton ëndrrën (19-27)

  • Përmbushja e parë e ëndrrës te mbreti (28-36)

    • Mbreti çmendet për shtatë kohë (32, 33)

  • Mbreti lëvdon Perëndinë e qiejve (37)

4  «Nga mbreti Nabukodonosor, gjithë popujve, kombeve dhe grupeve gjuhësore që banojnë në mbarë tokën: E madhe qoftë paqja juaj!  Kam kënaqësinë t’ju bëj të njohura shenjat dhe veprat e mrekullueshme që Perëndia Më i Lartë ka kryer ndaj meje.  Sa madhështore janë shenjat e tij! Sa të fuqishme janë veprat e tij të mrekullueshme! Mbretëria e tij është e përjetshme dhe sovraniteti i tij vazhdon brez pas brezi!+  Unë, Nabukodonosori, isha i qetë në shtëpinë time dhe kisha mbarësi në pallatin tim.  Por pashë një ëndërr që më frikësoi; pamjet dhe vegimet* që pashë ndërsa isha në gjumë,* më trembën.+  Kështu nxora një urdhër që të sillnin para meje gjithë të mençurit e Babilonisë për të më interpretuar ëndrrën.+  Atëherë priftërinjtë që merren me magji, ndjellësit e frymërave, kaldeasit* dhe astrologët+ erdhën, e kur u tregova ëndrrën, ata nuk e interpretuan dot.+  Në fund, përpara meje erdhi Danieli, që quhet Belteshazar+ sipas emrit të perëndisë tim+ e tek i cili është fryma e perëndive të shenjta,+ dhe i tregova ëndrrën:  “O Belteshazar, kreu i priftërinjve që merren me magji,+ unë e di mirë se fryma e perëndive të shenjta është te ti+ dhe se nuk ka asnjë të fshehtë që të jetë tepër e vështirë për ty.+ Prandaj më shpjego kuptimin e vegimeve që pashë në ëndërr. 10  Në vegimet e mia, ndërsa isha në gjumë, pashë në mes të tokës një pemë+ me lartësi marramendëse.+ 11  Pema u rrit dhe u bë e fortë; maja i arriti qiejt dhe shihej deri në skajet e tokës. 12  Gjethnaja ishte e bukur, fryti ishte i bollshëm dhe në të kishte ushqim për të gjithë. Nën të kërkonin hije kafshët e fushës, në degë banonin zogjtë e qiellit dhe prej saj ushqehej çdo krijesë.* 13  Kur isha në gjumë, në vegim pashë një vrojtues, një të shenjtë, që zbriste nga qiejt.+ 14  Ai thërriste me zë të lartë: ‘Priteni pemën+ dhe këputjani degët, shkundjani gjethet dhe shpërndajani frytin! Le të ikin kafshët që rrinë nën hijen e saj dhe zogjtë nga degët e saj! 15  Por kërcurin lëreni në tokë, mes barit të fushës, të lidhur me rrathë hekuri e bakri. Le ta lagë vesa e qiejve e të rrijë me kafshët mes bimësisë së tokës.+ 16  T’i ndryshohet zemra e t’i jepet një zemër kafshe në vend të zemrës së njeriut, e le të kalojnë shtatë kohë.+ 17  Ky është dekreti nga vrojtuesit,+ vendimi i shpallur nga të shenjtët, që të gjallët ta dinë se Më i Larti është Sovran në mbretërinë e njerëzve,+ se ia jep atë kujt të dojë dhe se vë në krye të saj edhe më të përvuajturin e njerëzve.’ 18  Kjo ishte ëndrra që pashë unë, mbreti Nabukodonosor. Tani, o Belteshazar, më thuaj interpretimin, sepse të gjithë të mençurit e tjerë të mbretërisë sime s’janë në gjendje të ma interpretojnë.+ Por ti je i zoti, sepse fryma e perëndive të shenjta është te ti.” 19  Atëherë Danieli, emri i të cilit është Belteshazar,+ u alarmua për një moment dhe mendimet nisën ta trembnin. Mbreti i tha: ‘Belteshazar, mos u tremb nga ëndrra dhe as nga interpretimi i saj!’ Belteshazari ia ktheu: “Imzot, kjo ëndërr daltë e vërtetë për ata që të urrejnë dhe interpretimi i saj për armiqtë e tu! 20  Pema që pe, e cila u rrit shumë dhe u bë e fortë, maja e së cilës arriti qiejt dhe u bë e dukshme në mbarë tokën,+ 21  me gjethnajë të bukur e me fryt të bollshëm, ku kishte ushqim për të gjithë, nën të cilën banonin kafshët e fushës e në degët e së cilës banonin zogjtë e qiellit,+ 22  je ti, o mbret, sepse ti je bërë i madh dhe i fortë, madhështia jote ka arritur qiejt,+ kurse sundimi yt, skajet e tokës.+ 23  Mbreti pa një vrojtues, një të shenjtë,+ që zbriste nga qiejt dhe thoshte: ‘Priteni pemën dhe copëtojeni! Megjithatë, kërcurin lëreni në tokë, mes barit të fushës, të lidhur me rrathë hekuri e bakri. Le ta lagë vesa e qiejve e të rrijë me kafshët e fushës derisa të kalojnë shtatë kohë.’+ 24  Ky është interpretimi, o mbret, dhe dekreti i Më të Lartit që do të zbatohet për zotërinë tim, mbretin. 25  Ty do të të përzënë nga njerëzit dhe do të banosh me kafshët e fushës, do të të japin të hash bar si demat dhe vesa e qiejve do të të lagë.+ Shtatë kohë+ do të kalojnë,+ derisa të kuptosh se Më i Larti është Sovran në mbretërinë e njerëzve dhe se ia jep atë kujt të dojë.+ 26  Por, meqë thanë të linin kërcurin e pemës,+ mbretëria do të bëhet përsëri jotja, pasi të kuptosh se ka vetëm një Sovran në qiell. 27  Prandaj, o mbret, qoftë e pranueshme këshilla ime në sytë e tu. Hiq dorë nga mëkatet e tua dhe bëj atë që është e drejtë, hiq dorë nga ligësia jote dhe trego mëshirë për të varfrit! Ndoshta mbarësia jote do të zgjatë.”»+ 28  E gjithë kjo i ndodhi mbretit Nabukodonosor. 29  Dymbëdhjetë muaj më vonë, ai po ecte në tarracën e pallatit mbretëror të Babilonisë 30  e po thoshte: «A s’është kjo Babilonia e Madhe, që unë vetë e kam ndërtuar si shtëpi mbretërore me forcën e fuqinë time dhe për lavdinë e madhështisë sime?!» 31  Ndërsa këto fjalë ishin ende në gojën e mbretit, nga qiejt erdhi një zë: «Ty po të thuhet, o mbret Nabukodonosor: ‘Mbretëria është larguar prej teje,+ 32  dhe ty do të të përzënë nga njerëzit. Do të banosh me kafshët e fushës dhe do të të japin të hash bar si demave, e do të kalojnë shtatë kohë, derisa të kuptosh se Më i Larti është Sovran në mbretërinë e njerëzve dhe se ia jep atë kujt të dojë.’»+ 33  Fjala për Nabukodonosorin u përmbush në çast; atë e përzunë nga njerëzit, dhe ai nisi të hante bar si demat, trupin ia lagte vesa e qiejve, derisa flokët iu zgjatën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë si kthetrat e zogjve.+ 34  «Në fund të asaj kohe,+ unë, Nabukodonosori, i ngrita sytë drejt qiejve dhe m’u kthye arsyeja; lëvdova Më të Lartin, i dhashë lavdi e nderim Atij që rron në jetë të jetëve, sepse sovraniteti i tij është i përjetshëm dhe mbretëria e tij vazhdon brez pas brezi.+ 35  Gjithë banorët e tokës s’janë asgjë para tij, dhe ai bën si të dojë me ushtrinë e qiejve e me banorët e tokës. E nuk ka njeri që ta pengojë*+ a t’i thotë: ‘Ç’ke bërë?’+ 36  Në po atë kohë m’u kthye arsyeja, lavdia e mbretërisë sime, madhështia dhe shkëlqimi.+ Zyrtarët e lartë dhe fisnikët më kërkuan me ngulm, dhe unë u rivendosa në mbretërinë time, e madhështia ime u shtua edhe më shumë. 37  Tani, unë, Nabukodonosori, lëvdoj, nderoj dhe i jap lavdi Mbretit të qiejve,+ sepse gjithë veprat e tij janë në përputhje me të vërtetën dhe udhët e tij janë të drejta,+ e ngaqë ai është në gjendje t’i poshtërojë ata që ecin me krenari.»+

Shënimet

Fjalë për fjalë «në shtrat».
Domethënë, një grup i zotë për astrologjinë dhe hedhjen e fallit.
Fjalë për fjalë «çdo mish».
Ose «t’ia ndalë dorën».