Danieli 7:1-28
7 Vitin e parë të Belshazarit,+ mbretit të Babilonisë, Danieli pa një ëndërr dhe vegime,* ndërsa ishte në gjumë.*+ Atëherë ai e shkroi ëndrrën+ dhe dokumentoi në mënyrë të plotë atë që pa e dëgjoi.
2 Danieli tha:
«Në vegimet e natës po shihja erën që frynte nga të katër drejtimet* e që trazonte detin e paanë.+
3 Katër bisha të stërmëdha+ dolën nga deti dhe secila ndryshonte nga tjetra.
4 E para ishte si luan+ dhe kishte krahë shqiponje.+ Pashë derisa krahët e saj u këputën; atë e ngritën nga toka dhe e vunë të rrinte mbi dy këmbë, si njeri, dhe iu dha zemër njeriu.
5 Kur ja, një bishë tjetër, një e dytë, që ishte si ari.+ Ajo ishte ngritur mbi një anë dhe në gojë kishte tri brinjë midis dhëmbëve; i thoshin: ‘Ngrihu dhe ha shumë mish.’+
6 Pas kësaj vazhdova të shihja dhe ja, një bishë tjetër, si leopard,+ por që në kurriz kishte katër krahë si ata të një shpendi. Bisha kishte katër koka+ dhe asaj iu dha autoritet për të sunduar.
7 Pas kësaj vazhdova të shihja në vegimet e natës, dhe pashë një bishë të katërt, të frikshme, të tmerrshme e jashtëzakonisht të fortë; ajo kishte dhëmbë të mëdhenj hekuri. Përpinte, thërrmonte dhe atë që mbetej, e shtypte me këmbë.+ Ajo ndryshonte nga të gjitha bishat e tjera para saj dhe kishte dhjetë brirë.
8 Ndërsa vështroja brirët, ja, një bri tjetër i vogël+ doli midis tyre, dhe tre nga brirët e parë u këputën përpara tij. Në këtë bri kishte sy, si sytë e njeriut, dhe një gojë që fliste gjithë arrogancë.*+
9 Vazhdova të shihja derisa u vunë frone dhe i Lashti i Ditëve+ u ul.+ Rrobat i kishte të bardha si bora+ dhe flokët si lesh i pastër. Froni i tij ishte si flakë zjarri dhe rrotat si zjarr përvëlues.+
10 Një rrëke zjarri rridhte dhe dilte nga prania e tij.+ Një mijë mijëra i shërbenin dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin përpara tij.+ Trupi Gjykues+ zuri vend dhe u hapën librat.
11 Në atë kohë, vazhdova të shihja për shkak të tingullit të fjalëve arrogante* që thoshte briri;+ pashë derisa bisha u vra dhe trupi i saj u shkatërrua e ajo u hodh në zjarr që të digjej.
12 Kurse bishave të tjera+ iu hoq autoriteti për të sunduar, dhe atyre iu zgjat jeta për një kohë e një stinë.
13 Vazhdova të shihja në vegimet e natës dhe ja, me retë e qiejve, po vinte dikush si një bir njeriu.+ Atij iu lejua të hynte tek i Lashti i Ditëve+ dhe e afruan përpara Tij.
14 Atij iu dha autoritet për të mbretëruar,+ nderim+ dhe një mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët.+ Mbretërimi i tij është i përjetshëm e nuk do të marrë fund, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.+
15 Mua, Danielit, m’u zu fryma, sepse vegimet që pashë, më trembën.+
16 Iu afrova njërit prej atyre që rrinin në këmbë, që ta pyesja për kuptimin e vërtetë të asaj që pashë. Kështu, ai m’u përgjigj dhe më tregoi interpretimin e këtyre gjërave:
17 ‘Këto katër bisha të stërmëdha+ përfaqësojnë katër mbretër që do të ngrihen nga toka.+
18 Por të shenjtët* e Tejet të Lartit+ do të marrin mbretërinë+ dhe do ta zotërojnë atë+ përjetë, po, në jetë të jetëve.’
19 Pastaj doja të dija më tepër për bishën e katërt, që ndryshonte nga gjithë të tjerat. Ajo ishte jashtëzakonisht e frikshme, me dhëmbë hekuri, me kthetra bakri, përpinte e thërrmonte dhe shtypte me këmbë atë që mbetej.+
20 Doja të dija edhe për dhjetë brirët+ në kokën e saj, për bririn tjetër që doli, përpara të cilit ranë tre,+ po, për atë bri që kishte sy dhe një gojë që fliste gjithë arrogancë,* e që dukej më i madh se të tjerët.
21 Vazhdova të shihja teksa ai bri bëri luftë kundër të shenjtëve dhe po fitonte mbi ta,+
22 derisa erdhi i Lashti i Ditëve,+ Tejet i Larti, e dha gjykimin në favor të të shenjtëve të tij,+ dhe erdhi koha e caktuar që të shenjtët të merrnin në zotërim mbretërinë.+
23 Ja çfarë tha ai: ‘Bisha e katërt është një mbretëri e katërt që do të vijë në tokë dhe do të jetë e ndryshme nga të gjitha mbretëritë e tjera. Ajo do të përpijë gjithë tokën, do ta shkelë e do ta thërrmojë.+
24 Dhjetë brirët tregojnë se nga ajo mbretëri do të dalin dhjetë mbretër. Pas tyre do të dalë edhe një tjetër, që do të jetë i ndryshëm nga të parët dhe do të poshtërojë tre mbretër.+
25 Ai do të thotë fjalë kundër Më të Lartit+ dhe do t’u bjerë vazhdimisht në qafë të shenjtëve të Tejet të Lartit. Do të ketë ndër mend të ndryshojë kohët dhe ligjin, dhe ata do të lihen në dorë të tij për një kohë, dy kohë dhe gjysmë kohe.*+
26 Por Trupi Gjykues u ul dhe ia hoqi atij autoritetin për të sunduar, që ta shfaroste e ta shkatërronte krejtësisht.+
27 Mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt iu dhanë të shenjtëve të Tejet të Lartit.+ Mbretëria e tyre është e përjetshme+ dhe gjithë sundimet do t’u shërbejnë e do t’u binden atyre.’
28 Ky është fundi i asaj që pashë e dëgjova. Mua, Danielit, më trembën aq shumë mendimet e mia, sa u preva në fytyrë.* Megjithatë, këtë çështje e ruajta në zemër.»