Danieli 8:1-27
8 Vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Belshazar,+ mua, Danielit, m’u shfaq një vegim* pas atij që më ishte shfaqur më parë.+
2 Ndërsa po shihja, u gjenda në kështjellën e Shushanit,*+ në provincën e Elamit;+ vegimin e pashë pranë rrjedhës së ujit të Ulait.
3 Teksa ngrita sytë, pashë një dash+ me dy brirë+ që qëndronte para rrjedhës së ujit. Dy brirët ishin të lartë, por njëri ishte më i lartë se tjetri, dhe më i larti doli më pas.+
4 E pashë dashin të godiste me brirë drejt perëndimit, drejt veriut e drejt jugut; asnjë bishë e egër nuk qëndronte dot para tij dhe askush nuk mund t’i çlironte nga dora e tij.+ Ai bëri si i pëlqeu dhe veproi me arrogancë.
5 Tek po shihja, ja, pashë një cjap+ që vinte nga perëndimi duke përshkuar gjithë sipërfaqen e tokës, por pa prekur përtokë. Cjapi kishte midis syve një bri që spikaste.+
6 Ai po vinte në drejtim të dashit me dy brirë, të cilin e kisha parë të qëndronte para rrjedhës së ujit; po vraponte drejt tij gjithë tërbim.
7 E pashë cjapin t’i afrohej dashit, i mbushur gjithë vrer kundër tij. Ai e sulmoi dhe ia theu dy brirët, e dashi s’pati fuqi t’i bënte ballë. Atëherë cjapi e hodhi përtokë dhe e shtypi me këmbë, e askush s’mund ta shpëtonte dot nga dora e tij.
8 Pastaj cjapi veproi me shumë arrogancë, por, sapo u bë i fuqishëm, briri i madh iu thye. Atëherë, në vend të tij, në të katër drejtimet,* dolën katër brirë të tjerë që spikatnin.+
9 Nga njëri prej tyre doli një bri tjetër, një i vogël; ai u rrit tej mase drejt jugut, drejt lindjes e drejt Stolisë.*+
10 Ai u rrit aq shumë, sa arriti deri tek ushtria e qiejve, dhe bëri që disa nga ushtria e disa nga yjet të binin në tokë, e i shtypi me këmbë.
11 Veproi me arrogancë edhe ndaj Princit të ushtrisë, nga i cili u hoq flijimi i vazhdueshëm, dhe vendi me themele të forta i shenjtërores së tij u hodh poshtë.+
12 E një ushtri iu la në dorë, bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes;* briri vazhdoi ta hidhte përtokë të vërtetën, veproi dhe pati sukses.
13 Dëgjova një të shenjtë të fliste, dhe një tjetër i shenjtë e pyeti atë që po fliste: «Deri kur do të vazhdojë vegimi për flijimin e vazhdueshëm, për shkeljen që shkakton shkretim+ dhe për shtypjen me këmbë të vendit të shenjtë e të ushtrisë?»
14 Atëherë ai më tha: «Derisa të kalojnë 2.300 mbrëmje e mëngjese; dhe vendi i shenjtë do të rikthehet patjetër në gjendjen e duhur.»
15 Ndërsa unë, Danieli, po shihja vegimin dhe kërkoja ta kuptoja, papritur pashë se përballë meje po qëndronte dikush që nga pamja ngjante me një burrë.
16 Pastaj dëgjova zërin e një njeriu në mes të Ulait+ që thërriste: «Gabriel,+ bëje atë njeri të kuptojë atë që pa.»+
17 Kështu, ai erdhi pranë vendit ku po rrija, por u tmerrova kaq shumë kur erdhi, sa u përkula me fytyrë përtokë. Ai më tha: «Kuptoje, o bir njeriu, se vegimi është për kohën e fundit.»+
18 Por ndërsa po më fliste, më zuri një gjumë i rëndë me fytyrën përtokë. Prandaj, ai më preku dhe më bëri të qëndroja në këmbë aty ku kisha qenë.+
19 Atëherë më tha: «Ja, po të tregoj çfarë do të ndodhë në kohën e fundit të indinjatës së Perëndisë, sepse vegimi është për kohën e caktuar të fundit.+
20 Dashi me dy brirë përfaqëson mbretin e Medisë e të Persisë.+
21 Cjapi leshtor përfaqëson mbretin e Greqisë+ dhe briri i madh midis syve përfaqëson mbretin e parë.+
22 Katër brirët që dolën në vend të bririt që u thye,+ janë katër mbretëri që do të dalin nga kombi i tij, por që nuk do të kenë fuqi si ai.
23 Në fund të mbretërisë së tyre, kur shkelësit ta kenë mbushur kupën,* do të dalë një mbret me fytyrë të egër, që i kupton thëniet e paqarta.*
24 Ai do të bëhet shumë i fuqishëm, por jo falë fuqisë së tij. Do të sjellë rrënim në mënyrë të jashtëzakonshme,* do të ketë sukses e do të veprojë me efektshmëri. Do t’i rrënojë të fuqishmit dhe popullin e përbërë nga të shenjtët.+
25 Me dinakërinë e tij, do të përdorë mashtrimin që të ketë sukses, do të lartësohet në zemrën e vet dhe, gjatë një kohe kur njerëzit do të ndihen të sigurt,* do të rrënojë shumë veta. Ai do të ngrihet edhe kundër Princit të princave, por do të thyhet pa vënë dorë njeriu.
26 Ajo që u tha në vegim për mbrëmjet dhe për mëngjeset, është e vërtetë, por ti duhet ta mbash të fshehtë vegimin, sepse i takon një kohe shumë të largët.»*+
27 Atëherë, unë, Danieli, u ndjeva i sfilitur dhe u sëmura për disa ditë.+ Pastaj u ngrita dhe bëra punët që më kishte ngarkuar mbreti.+ Megjithatë isha i mpirë nga ajo që kisha parë, e askush nuk mund ta kuptonte vegimin.+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «pallatin mbretëror të Suzës; citadelën e Suzës».
^ Fjalë për fjalë «katër erërat e qiejve».
^ Ose «Bukurisë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «që është i zoti për intriga».
^ Ose «të kenë arritur kulmin».
^ Ose «Do të sjellë shkatërrim të tmerrshëm».
^ Një mundësi tjetër «dhe pa paralajmërim».
^ Ose «së ardhmes së largët».