Danieli 9:1-27
9 Vitin e parë të Darit,+ birit të Asuerit—pasardhës i medëve, që ishte bërë mbret në mbretërinë e kaldeasve+—
2 vitin e parë të mbretërimit të tij, unë, Danieli, dallova me anë të librave* se, sipas fjalës së Jehovait që iu drejtua profetit Jeremia, numri i viteve që Jerusalemi+ do të mbetej i shkretuar, ishte 70 vjet.+
3 Prandaj iu drejtova* Jehovait, Perëndisë së vërtetë, dhe iu përgjërova në lutje, bashkë me agjërime,+ i mbuluar me copë thesi* e me hi.
4 Iu luta Jehovait, Perëndisë tim, e iu rrëfeva:
«O Jehova, Perëndi i vërtetë, Perëndi i Madh që të ngjall frikë e nderim, që e respekton besëlidhjen dhe u tregon dashuri besnike+ atyre që të duan e që zbatojnë urdhërimet e tua!+
5 Ne kemi mëkatuar, kemi gabuar, kemi vepruar me ligësi, jemi rebeluar,+ jemi shmangur nga urdhërimet e nga ligjet e tua.
6 Nuk i kemi dëgjuar shërbëtorët e tu, profetët,+ që u folën në emrin tënd mbretërve, princave, paraardhësve tanë dhe gjithë popullit të vendit.
7 Ty, o Jehova, të përket drejtësia, kurse sot turpi* na përket neve, burrave të Judës, banorëve të Jerusalemit dhe gjithë Izraelit, atyre që janë afër e larg, në të gjitha vendet ku i shpërndave, sepse vepruan me pabesi ndaj teje.+
8 O Jehova, turpi* na përket neve, mbretërve, princave dhe paraardhësve tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.
9 Ty, o Jehova, Perëndia ynë, të përkasin mëshira dhe falja,+ sepse ne jemi rebeluar kundër teje.+
10 Nuk i jemi bindur zërit tënd, o Jehova, Perëndia ynë, që të zbatonim ligjet që na dhe me anë të shërbëtorëve të tu, profetëve.+
11 I gjithë Izraeli ka shkelur Ligjin tënd dhe është larguar, duke mos iu bindur zërit tënd, prandaj ti derdhe mbi ne mallkimin dhe betimin solemn, për të cilët është shkruar në Ligjin e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë së vërtetë,+ sepse kemi mëkatuar kundër teje.
12 Ti i ke përmbushur fjalët që the kundër nesh+ dhe kundër gjykatësve që na gjykuan,* duke sjellë mbi ne një të keqe të madhe; nën tërë qiellin nuk kishte rënë kurrë një e keqe e tillë si ajo që ra në Jerusalem.+
13 Ashtu siç është shkruar në Ligjin e Moisiut, gjithë kjo e keqe ra mbi ne,+ prapëseprapë ne nuk u përgjëruam për miratimin tënd,* o Jehova, Perëndia ynë, pasi nuk hoqëm dorë nga faji ynë+ dhe as treguam gjykim të thellë për të vërtetën* tënde.
14 Kështu ti, o Jehova, rrije syçelë dhe solle mbi ne të keqen, sepse ti, o Jehova, Perëndia ynë, je i drejtë në të gjitha veprat e tua; prapëseprapë ne nuk iu bindëm zërit tënd.+
15 O Jehova, Perëndia ynë, ti që e nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me dorë të fortë+ dhe që i bëre vetes një emër që njihet sot e kësaj dite,+ ne kemi mëkatuar dhe kemi vepruar me ligësi.
16 O Jehova, në përputhje me gjithë veprat e tua të drejta,+ të lutem, largoje zemërimin dhe tërbimin tënd nga qyteti yt, Jerusalemi, mali yt i shenjtë, sepse për shkak të mëkateve tona dhe të fajeve të paraardhësve tanë, Jerusalemi dhe populli yt janë poshtëruar në sy të të gjithë atyre përreth nesh.+
17 Dëgjoje tani, o Perëndia ynë, lutjen e shërbëtorit tënd dhe përgjërimet e tij, dhe shihe shenjtëroren tënde të shkretuar+ me buzëqeshjen tënde miratuese,+ për hir të emrit tënd, o Jehova!
18 Ktheje veshin, o Perëndia im, dhe dëgjo! Hapi sytë dhe shihe gjendjen tonë të mjerë dhe qytetin që mban emrin tënd, se po të përgjërohemi, jo falë veprave tona të drejta, por falë mëshirës sate të madhe.+
19 O Jehova, na dëgjo! O Jehova, na fal!+ O Jehova, na kushto vëmendje dhe vepro! Mos vono, për hir të emrit tënd, o Perëndia im, sepse qyteti yt dhe populli yt mbajnë emrin tënd.»+
20 Ndërsa po flisja, po lutesha, po rrëfeja mëkatin tim e të popullit tim, Izraelit, e ndërsa po i përgjërohesha Jehovait, Perëndisë tim, për malin e tij të shenjtë,+
21 po, ndërsa po lutesha dhe isha tejet i rraskapitur, njeriu Gabriel,+ të cilin e kisha parë më përpara në vegim,*+ erdhi tek unë rreth kohës së blatimit të mbrëmjes
22 dhe më ndihmoi të kuptoja me këto fjalë:
«O Daniel, erdha të të jap gjykim të thellë dhe aftësi për të kuptuar.
23 Kur fillove të përgjëroheshe, mora një mesazh dhe erdha të ta raportoj, sepse ti je shumë i vyer.*+ Prandaj, kushtoji vëmendje kësaj çështjeje dhe kuptoje vegimin.
24 Janë caktuar 70 javë* për popullin dhe për qytetin tënd të shenjtë,+ për t’i dhënë fund shkeljes,* për të zhdukur fare mëkatin,+ për të shlyer fajin,+ për të sjellë drejtësi të përhershme,+ për të vulosur vegimin dhe profecinë*+ e për të mirosur* të Shenjtën e të Shenjtave.*
25 Ti duhet ta dish e të kuptosh se, nga dalja e fjalës për restaurimin dhe rindërtimin e Jerusalemit+ deri te Mesia,*+ Kreu,+ do të kalojnë 7 javë, si edhe 62 javë.+ Ai do të restaurohet dhe do të rindërtohet, me një shesh dhe me një hendek, por në kohë të vështira.
26 Pas 62 javësh Mesia do të vritet,*+ pa lënë asgjë pas.+
Populli i një udhëheqësi që do të vijë, do ta shkatërrojë qytetin dhe vendin e shenjtë,+ fundi i të cilit do të jetë me anë të përmbytjes. Deri në fund do të ketë luftë dhe është vendosur të ketë shkretim.+
27 Ai do ta mbajë në fuqi për një javë besëlidhjen për shumë veta dhe në mes të javës, do të bëjë që flijimi dhe blatimi të pushojnë.+
Ai që shkakton shkretim, do të vijë mbi krahun e gjërave të neveritshme,+ dhe shkretimi që është vendosur, do të zbrazet mbi atë që dergjet i shkretë, derisa të marrë fund.»
Shënimet
^ Domethënë, librave të shenjtë.
^ Fjalë për fjalë «ktheva fytyrën nga».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «turpi i fytyrës».
^ Fjalë për fjalë «turpi i fytyrës».
^ Ose «sundimtarëve që sunduan mbi ne».
^ Fjalë për fjalë «nuk e zbutëm fytyrën tënde».
^ Ose «besnikërinë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «tejet i çmuar; shumë i vlerësuar».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «Më të Shenjtën».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «profetin».
^ Domethënë, javë vjetore.
^ Ose «deri tek i Mirosuri».
^ Ose «jeta e Mesisë do të pritet».