Eksodi 1:1-22

  • Izraelitët shtohen në Egjipt (1-7)

  • Faraoni i shtyp izraelitët (8-14)

  • Mamitë që kishin nderim të thellë për Perëndinë shpëtojnë jetë (15-22)

1  Tani, këta janë emrat e djemve të Izraelit që shkuan në Egjipt me Jakobin, secili me familjen e vet:+  Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda;+  Isahari, Zabuloni dhe Beniamini;  Dani dhe Neftali; Gadi dhe Asheri;+  kurse Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt. Prandaj Jakobi pati gjithsej 70 pasardhës.*+  Me kohë Jozefi vdiq,+ si edhe gjithë vëllezërit e tij dhe tërë ai brez.  Ndërkohë izraelitët* u bënë me shumë fëmijë; me një shpejtësi marramendëse, ata u shtuan dhe u bënë gjithnjë e më të fuqishëm, aq sa mbushën vendin.+  Me kalimin e kohës, në Egjipt doli një mbret i ri, i cili nuk e njihte Jozefin  dhe i thoshte popullit të vet: «Ja, populli i Izraelit është më i madh dhe më i fuqishëm se ne.+ 10  Ndaj të tregohemi mendjemprehtë, përndryshe ata do të vazhdojnë të shumohen dhe, nëse shpërthen ndonjë luftë, do të bashkohen me armiqtë tanë, do të luftojnë kundër nesh dhe pastaj do të largohen nga vendi.» 11  Prandaj caktuan mbi ta krerë për punë të detyruar,* që t’i shtypnin e t’i vinin në punë të rënda.+ Kështu izraelitët ndërtuan për faraonin qytete-depo, Pitomin dhe Ramsesin.+ 12  Por, sa më shumë i shtypnin, aq më shumë shtoheshin e përhapeshin, prandaj egjiptianëve u kishte hyrë frika në palcë nga izraelitët.+ 13  Si pasojë, egjiptianët i skllavëruan pa mëshirë izraelitët+ 14  dhe ua nxinë jetën me punë të rënda: i detyruan të punonin në llaç, në tulla e në çdo lloj pune nëpër ara. Po, i keqtrajtuan dhe i munduan me çdo formë skllavërie.+ 15  Më vonë mbreti i Egjiptit foli me dy mami hebreje që quheshin Shifra dhe Puaha 16  dhe u tha: «Kur t’i ndihmoni gratë hebreje të lindin+ e të shihni se fëmija është djalë, vriteni, por në qoftë vajzë, lëreni të jetojë.» 17  Mirëpo mamitë kishin nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë,* prandaj nuk bënin siç u kishte thënë mbreti i Egjiptit, por i linin gjallë djemtë.+ 18  Pas ca kohësh mbreti i Egjiptit i thirri mamitë dhe i pyeti: «Pse i keni lënë gjallë djemtë?» 19  Mamitë iu përgjigjën faraonit: «Gratë hebreje nuk janë si gratë egjiptiane. Ato janë gra të forta dhe lindin para se të shkojnë mamitë.» 20  Prandaj Perëndia i bekoi mamitë; dhe populli shtohej e bëhej gjithnjë e më i fuqishëm. 21  E ngaqë mamitë patën nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë,* më vonë ai e bekoi secilën me fëmijë. 22  Në fund faraoni e urdhëroi gjithë popullin: «Çdo djalë të sapolindur të hebrenjve hidheni në lumin Nil, kurse vajzat lërini gjallë.»+

Shënimet

Fjalë për fjalë «nga kofsha e Jakobit dolën gjithsej 70 shpirt».
Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit».
Ose «mbikëqyrës të rreptë».
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia i vërtetë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «frikë nga Perëndia i vërtetë». Shih Fjalorthin.