Eksodi 10:1-29

  • Plaga 8: karkalecat (1-20)

  • Plaga 9: errësira (21-29)

10  Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Shko te faraoni, sepse unë kam lejuar që zemra e tij dhe zemrat e shërbëtorëve të tij të bëhen të pandjeshme,+ që faraoni t’i shohë me sytë e tij mrekullitë* e mia,+  dhe që t’u tregoni djemve dhe nipërve tuaj sa rreptë u solla me Egjiptin dhe çfarë mrekullish bëra mes tyre.+ Kështu ju keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»  Atëherë Moisiu dhe Aroni shkuan te faraoni e i thanë: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i hebrenjve: ‘Deri kur nuk do të pranosh të më nënshtrohesh?+ Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë.  Por nëse vazhdon të refuzosh, nesër do të sjell karkaleca në territorin tënd,  që do të mbulojnë sipërfaqen e tokës, aq sa dheu nuk do të duket më. Ata do të përpijnë ç’të ketë shpëtuar nga breshri e ç’të ketë mbetur për ju, dhe do të hanë gjithë pemët që po rriten nëpër ara.+  Shtëpitë e tua, shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe shtëpitë e gjithë Egjiptit, do të mbushen me aq shumë karkaleca, sa etërit dhe gjyshërit tuaj s’kanë parë kurrë, që kur kanë qenë në këtë vend e deri më sot.’»+ Pastaj ai u kthye dhe u largua nga faraoni.  Pas kësaj shërbëtorët e faraonit i thanë atij: «Deri kur do të na kërcënojë* ky njeri? Lëri burrat të shkojnë që t’i shërbejnë Jehovait, Perëndisë së tyre. Ende nuk e ke kuptuar se Egjipti ka marrë fund?»  Prandaj i kthyen prapë Moisiun dhe Aronin te faraoni që u tha: «Shkoni t’i shërbeni Jehovait, Perëndisë tuaj. Kush e kush do të shkojë?»  Atëherë Moisiu iu përgjigj: «Do të shkojnë të rinj e të moshuar, djemtë e vajzat tona, me dhen e me gjedhë,+ sepse do të kremtojmë një festë për Jehovain.»+ 10  Ai ua ktheu: «Me gjithë mend e keni?! Unë t’ju lë të shkoni ju dhe fëmijët tuaj?! Po ndodhi kjo, atëherë Jehovai është vërtet me ju!+ Duket sheshit që keni ndër mend të bëni ndonjë gjë të ligë. 11  Jo! As që bëhet fjalë! Të shkojnë dhe t’i shërbejnë Jehovait vetëm burrat, meqë këtë kërkuat.» Pastaj i dëbuan nga prania e faraonit. 12  Tani Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi vendin e Egjiptit që në mbarë vendin të vijnë karkalecat dhe të përpijnë gjithë bimësinë, gjithçka që la breshri.» 13  Menjëherë Moisiu e shtriu bastunin mbi vendin e Egjiptit, dhe Jehovai bëri që një erë lindore të frynte gjithë ditën e gjithë natën në vend. Kur erdhi mëngjesi, era e lindjes solli me vete karkalecat 14  që vërshuan në tërë vendin e Egjiptit dhe u përhapën në të gjithë territorin.+ Plaga ishte tejet e rëndë;+ s’kishin ardhur kurrë më parë kaq shumë karkaleca dhe as do të vijnë kurrë më. 15  Ata mbuluan gjithë sipërfaqen e vendit, aq sa tërë vendi u errësua, dhe përpinë gjithë bimësinë me gjithë frutat e pemëve që kishte lënë breshri. Në mbarë vendin e Egjiptit s’mbeti asgjë e gjelbër në pemë a në arë. 16  Kështu faraoni thirri menjëherë Moisiun dhe Aronin e u tha: «Kam mëkatuar kundër Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. 17  Tani, ju lutem, faleni mëkatin tim këtë herë dhe përgjërojuni Jehovait, Perëndisë tuaj, që të paktën të heqë këtë plagë vdekjeprurëse nga unë.» 18  Prandaj ai* u largua nga faraoni dhe iu përgjërua Jehovait.+ 19  Atëherë Jehovai ia ndryshoi drejtimin erës, dhe ajo filloi të frynte shumë fort nga perëndimi. Era i mori me vete karkalecat e i hodhi në Detin e Kuq. Në gjithë territorin e Egjiptit nuk mbeti asnjë karkalec. 20  Megjithatë Jehovai lejoi që faraonit t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç,+ dhe ai nuk i la izraelitët të iknin. 21  Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit që në vendin e Egjiptit të bjerë errësirë, një errësirë aq e dendur sa mund të preket me dorë.» 22  Menjëherë Moisiu shtriu dorën drejt qiellit, dhe një errësirë e dendur e pllakosi gjithë vendin e Egjiptit për tri ditë.+ 23  Njerëzit s’e shihnin njëri-tjetrin dhe askush nuk u ngrit nga vendi për tri ditë. Kurse gjithë izraelitët kishin dritë në vendbanimet e tyre.+ 24  Pas kësaj faraoni thirri Moisiun dhe i tha: «Shkoni t’i shërbeni Jehovait.+ Lini vetëm dhentë dhe gjedhët. Mund t’i merrni me vete edhe fëmijët.» 25  Por Moisiu iu përgjigj: «Ti vetë do të na i sigurosh* edhe kafshët për flijimet dhe blatimet e djegura, e ne do t’ia paraqitim Jehovait, Perëndisë tonë.+ 26  Gjithashtu do t’i marrim me vete bagëtitë tona e nuk do të lëmë as edhe një,* sepse disa prej tyre do t’i përdorim për të adhuruar Jehovain, Perëndinë tonë. Derisa të mbërrijmë atje, nuk e dimë se ç’flijime do t’i ofrojmë Jehovait.» 27  Mirëpo Jehovai lejoi që faraonit t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç, dhe ai nuk pranoi t’i linte të shkonin.+ 28  Faraoni i tha: «Hiqmu sysh! Dhe hap sytë se mos më del më përpara, sepse po atë ditë ke për të vdekur!» 29  Moisiu iu përgjigj: «Si urdhëron! Nuk do të të dal më përpara.»

Shënimet

Fjalë për fjalë «shenjat».
Fjalë për fjalë «do të na bëhet një lak».
Me sa duket Moisiu.
Ose «do të lejosh që t’i marrim».
Fjalë për fjalë «një thundër».