Eksodi 12:1-51

  • Themelohet Festa e Kalimit (1-28)

    • Korniza e derës spërkatet me gjak (7)

  • Plaga 10: vriten të parëlindurit (29-32)

  • Fillon eksodi (33-42)

    • Fundi i 430 vjetëve (40, 41)

  • Udhëzime për pjesëmarrjen në Festën e Kalimit (43-51)

12  Tani, Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit në vendin e Egjiptit:  «Ky do të jetë për ju muaji i parë, muaji i parë i vitit.+  I thoni mbarë asamblesë së Izraelit: ‘Ditën e dhjetë të këtij muaji, secili të marrë një qengj+ për familjen* e vet, një qengj për çdo shtëpi.  Por, nëse familja është tepër e vogël për të ngrënë një qengj të tërë, të marrë në shtëpi fqinjin më të afërt dhe ta ndajë qengjin me të, në bazë të numrit të njerëzve. Racionet të llogariten në përpjesëtim me atë që do të hajë secili.  Flijimi duhet të jetë i shëndetshëm+ dhe mashkull njëvjeçar;* mund të zgjidhni ose nga qengjat, ose nga kecat.  Kujdesuni për të deri ditën e 14-të të këtij muaji,+ dhe çdo familje e kongregacionit* të Izraelit ta therë në të ngrysur.*+  Të marrë ca gjak e të spërkatë me të kornizën e derës, majtas e djathtas, si edhe pjesën e sipërme të saj në shtëpinë ku do të hanë.+  Ata duhet ta hanë mishin po atë natë.+ Ta hanë të pjekur në zjarr, me bukë pa maja+ dhe me barishte të hidhura.+  Mos e hani të gjallë, as të zier në ujë, por të pjekur në zjarr, nga koka deri te kërcinjtë dhe me të përbrendshmet. 10  Mos ruani asgjë deri në mëngjes, por nëse tepron diçka deri në mëngjes, digjeni në zjarr.+ 11  Ja si do ta hani: me brezin të ngjeshur,* me sandalet në këmbë, me bastunin në dorë; hajeni me nxitim. Është Festa e Kalimit të Jehovait.* 12  Në këtë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur të njerëzve e të kafshëve;+ do t’i gjykoj gjithë perënditë e Egjiptit dhe do t’i ndëshkoj.+ Unë jam Jehovai! 13  Gjaku do të shërbejë si shenjë për shtëpitë ku po qëndroni. Kështu, kur të godas vendin e Egjiptit, unë do ta shoh gjakun e do të kaloj tutje, dhe plaga vdekjeprurëse nuk do t’ju prekë.+ 14  Këtë ditë do ta kujtoni dhe do ta kremtoni si një festë për Jehovain, nga brezi në brez. Ky është një ligj i pandryshueshëm. 15  Shtatë ditë do të hani bukë pa maja.+ Po, ditën e parë do të hiqni brumin e thartuar nga shtëpitë tuaja, sepse kush ha diçka me majá, nga dita e parë deri ditën e shtatë, duhet shfarosur* nga gjiri i Izraelit. 16  Ditën e parë do të mbani një asamble të shenjtë, e po kështu edhe ditën e shtatë. Në këto ditë nuk duhet bërë asnjë punë,+ por mund të përgatitni vetëm atë që i duhet për të ngrënë çdo njeriu. 17  Do të kremtoni Festën e Bukëve Pa Maja,+ sepse pikërisht këtë ditë unë do ta nxjerr gjithë popullin* tuaj nga vendi i Egjiptit. Duhet ta kremtoni këtë ditë nga brezi në brez dhe do të jetë për ju si një ligj i pandryshueshëm. 18  Muajin e parë do të hani bukë pa maja, nga mbrëmja e ditës së 14-të të muajit deri në mbrëmjen e ditës së 21-të të muajit.+ 19  Për shtatë ditë nuk do të gjendet fare brumë i thartuar në shtëpitë tuaja, sepse kush ha diçka me majá, qoftë i huaj a vendës,+ duhet shfarosur nga asambleja e Izraelit.*+ 20  Nuk duhet të hani asgjë me majá; në gjithë shtëpitë tuaja, do të hani bukë pa maja.’» 21  Moisiu i thirri menjëherë gjithë pleqtë e Izraelit+ dhe u tha: «Shkoni e zgjidhni kafshë* njëvjeçare për familjet tuaja dhe therni flinë e Festës së Kalimit. 22  Pastaj ngjyeni një tufë me bimë hisopi në gjakun që është në legen dhe me të spërkatni kornizën e derës, majtas e djathtas, si edhe pjesën e sipërme të saj. Askush të mos dalë nga dera e shtëpisë deri në mëngjes. 23  Kështu, kur Jehovai të kalojë për të goditur me këtë plagë egjiptianët dhe të shohë gjakun në kornizën e derës, majtas e djathtas dhe në pjesën e sipërme të saj, Jehovai me siguri do të kalojë tutje e do ta shmangë hyrjen tuaj dhe nuk do të lejojë që plaga e vdekjes* të hyjë në shtëpitë tuaja.+ 24  Ju dhe bijtë tuaj do ta kremtoni këtë ngjarje dhe do të jetë për ju si një rregull i pandryshueshëm.+ 25  Edhe kur të shkoni në vendin që Jehovai do t’ju japë, ashtu siç ka premtuar, duhet ta kremtoni këtë ngjarje.+ 26  Kur bijtë tuaj t’ju pyesin: ‘Ç’do të thotë për ju ky kremtim?’,+ 27  do t’u përgjigjeni: ‘Është flijimi i Festës së Kalimit të Jehovait, i cili kaloi mbi shtëpitë e izraelitëve në Egjipt, kur i goditi me plagë egjiptianët dhe kurseu familjet tona.’» Atëherë populli u përkul me fytyrë përtokë. 28  Kështu izraelitët shkuan dhe bënë siç i kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe Aronin;+ ata bënë pikërisht ashtu. 29  Pastaj, në mesnatë, Jehovai vrau çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit,+ nga i parëlinduri i faraonit që rrinte në fron deri te të parëlindurit e robërve që ndodheshin në burg,* si edhe çdo pjellë të parë të kafshëve.+ 30  Faraoni u ngrit atë natë bashkë me gjithë shërbëtorët e tij e me egjiptianët e tjerë, dhe mes egjiptianëve dëgjohej një klithmë e madhe, pasi nuk kishte shtëpi pa një të vdekur.+ 31  Menjëherë ai thirri natën Moisiun dhe Aronin+ e u tha: «Ngrihuni, largohuni nga populli im, ju dhe gjithë izraelitët e tjerë. Shkoni dhe shërbejini Jehovait, ashtu siç keni thënë.+ 32  Merrni edhe kopetë e tufat tuaja dhe ikni, ashtu siç keni thënë.+ Veç kësaj, duhet të më bekoni mua.» 33  Egjiptianët filluan ta nxitnin popullin që të largohej menjëherë+ nga vendi, sepse thoshin: «Përndryshe do të vdesim të gjithë!»+ 34  Prandaj populli e mori brumin pa maja, i mbështolli magjet* në rrobat e veta dhe i hodhi në krah. 35  Izraelitët bënë siç u kishte thënë Moisiu dhe u kërkuan egjiptianëve sende argjendi, ari dhe rroba.+ 36  Falë Jehovait, populli fitoi pëlqimin e egjiptianëve, prandaj ata u dhanë gjithçka që u kërkuan; kështu izraelitët i plaçkitën egjiptianët.+ 37  Pastaj izraelitët u nisën nga Ramsesi+ për në Sukot;+ afro 600.000 burra në këmbë, pa numëruar fëmijët.+ 38  Bashkë me ta u nis edhe një numër i madh joizraelitësh,*+ si dhe shumë bagëti, kope e tufa. 39  Kur ishin rrugës, izraelitët filluan të piqnin brumin që kishin marrë nga Egjipti dhe bënë bukë të rrumbullakëta pa maja; brumi ishte pa maja, ngaqë i kishin dëbuar nga Egjipti kaq papritur, saqë nuk kishin bërë dot gati asnjë ushqim.+ 40  Izraelitët kishin banuar në Egjipt+ 430 vjet.+ 41  Në fund të 430 vjetëve, pikërisht atë ditë, gjithë populli* i Jehovait doli nga vendi i Egjiptit. 42  Kjo është një natë që do ta kremtojnë për nder të Jehovait, i cili i nxori nga vendi i Egjiptit. Tërë populli i Izraelit duhet ta kremtojë këtë natë për nder të Jehovait, brez pas brezi.+ 43  Jehovai i tha akoma Moisiut dhe Aronit: «Ky është ligji për Festën e Kalimit: asnjë i huaj nuk do të hajë nga flijimi i festës.+ 44  Por nëse dikush ka një skllav që e ka blerë me pará, ta rrethpresë,+ dhe vetëm atëherë mund të hajë. 45  Një i shpërngulur dhe një i punësuar nuk mund të hanë. 46  Flijimin e festës do ta hani së bashku, brenda shtëpisë, prandaj mos nxirrni nga shtëpia asnjë copë mish dhe mos i thyeni flisë asnjë kockë.+ 47  Gjithë asambleja e Izraelit duhet ta kremtojë këtë festë. 48  Në rast se një i huaj që banon me ju, dëshiron ta kremtojë Festën e Kalimit të Jehovait, çdo mashkull i shtëpisë së tij të rrethpritet. Vetëm atëherë mund të vijë ta kremtojë dhe do të konsiderohet si një vendës. Por asnjë i parrethprerë nuk mund të hajë.+ 49  Si për vendësin, edhe për të huajin që banon mes jush, do të zbatohet një ligj i vetëm.»+ 50  Kështu, gjithë izraelitët bënë siç i kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe Aronin; ata bënë pikërisht ashtu. 51  Tamam atë ditë, Jehovai i nxori gjithë izraelitët* nga vendi i Egjiptit.

Shënimet

Fjalë për fjalë «shtëpinë e etërve».
Ose «motak».
Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
Fjalë për fjalë «me ijët të ngjeshura».
Ose «Pashka e Jehovait». Shih Fjalorthin.
Ose «ai shpirt duhet ekzekutuar».
Fjalë për fjalë «ushtritë».
Ose «duhet ekzekutuar në Izrael».
Domethënë, qengjat ose kecat.
Fjalë për fjalë «shkatërrimi».
Fjalë për fjalë «shtëpinë e sternës».
Ose «brumëtoret».
Ose «një turmë e madhe e përzier njerëzish». Domethënë, një turmë e përzier me joizraelitë, përfshirë edhe egjiptianë.
Fjalë për fjalë «ushtritë».
Fjalë për fjalë «bijtë e Izraelit bashkë me ushtritë e tyre».