Eksodi 13:1-22

  • Çdo mashkull i parëlindur i përket Jehovait (1, 2)

  • Festa e Bukëve Pa Maja (3-10)

  • Çdo mashkull i parëlindur i kushtohet Perëndisë (11-16)

  • Izraelitët i drejtojnë për në Detin e Kuq (17-20)

  • Shtylla e resë dhe e zjarrit (21, 22)

13  Jehovai i foli prapë Moisiut:  «Shenjtëroni* për mua çdo të parëlindur mashkull* mes izraelitëve; mashkulli i parë që vjen në jetë, i njerëzve ose i kafshëve, më përket mua.»+  Atëherë Moisiu i tha popullit: «Kujtojeni këtë ditë kur dolët nga Egjipti,+ nga shtëpia e skllavërisë, sepse Jehovai ju nxori që këtej me dorë të fortë,+ prandaj nuk mund të hahet asgjë me majá.  Ju dolët nga Egjipti në këtë ditë, në muajin abib,*+  dhe kur Jehovai t’ju ketë çuar në vendin e kananitëve, hititëve, amoritëve, hivitëve e të jebusitëve,+ për të cilin iu betua paraardhësve tuaj se do t’jua jepte juve,+ një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë,+ duhet të kremtoni në këtë muaj këtë festë:  shtatë ditë do të hani bukë pa maja+ dhe dita e shtatë do të jetë festë për Jehovain.  Për shtatë ditë do të hani bukë pa maja;+ brenda gjithë territorit* tuaj nuk do të gjendet te ju asgjë me majá+ dhe as brumë i thartuar.  Atë ditë do t’u thoni fëmijëve tuaj: ‘Këtë festë e kremtoj që të kujtoj si më çliroi Jehovai kur dola nga Egjipti.’+  Kjo festë do të jetë si shenjë në dorë dhe si përkujtues* në ballë,*+ që ligji i Jehovait të jetë në gojën tuaj, sepse Jehovai ju nxori nga Egjipti me dorë të fortë. 10  Këtë ligj duhet ta zbatoni në kohën e caktuar, vit pas viti.+ 11  Kur Jehovai t’ju çojë në vendin e kananitëve, siç ju betua juve dhe paraardhësve tuaj se do t’jua jepte këtë vend,+ 12  duhet t’i kushtoni Jehovait çdo mashkull të parëlindur,* si edhe çdo pjellë të parë mashkull të bagëtisë që do të keni; çdo mashkull i përket Jehovait.+ 13  Çdo pjellë të parë të gomarit do ta shpengoni* me një dele, por nëse nuk e shpengoni, thyejini qafën. Gjithashtu do të shpengoni çdo të parëlindur të djemve tuaj.+ 14  Në rast se më vonë fëmijët tuaj ju pyesin: ‘Çfarë do të thotë për ju kjo festë?’, thuajuni: ‘Jehovai na nxori me dorë të fortë nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.+ 15  Kur faraoni me kokëfortësi nuk na la të iknim,+ Jehovai vrau çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, që nga i parëlinduri i njeriut deri te pjella e parë e kafshës.+ Ja pse po i flijojmë Jehovait çdo mashkull të parëlindur* dhe po shpengojmë çdo të parëlindur të djemve tanë.’ 16  Kjo festë do të shërbejë si shenjë në dorë dhe si shirit në ballë,*+ sepse Jehovai na nxori nga Egjipti me dorë të fortë.» 17  Tani, kur faraoni e la popullin të ikte, Perëndia nuk u priu nëpër udhën që kalonte nga vendi i filistinëve, ndonëse ishte më e shkurtër, sepse Perëndia tha: «Ndoshta populli ndërron mendje kur të shohë se i duhet të luftojë, e kështu kthehet në Egjipt.» 18  Prandaj Perëndia u priu nëpër një udhë më të gjatë, përqark shkretëtirës së Detit të Kuq.+ Sidoqoftë, izraelitët dolën nga vendi i Egjiptit në formacion luftimi. 19  Moisiu mori me vete edhe eshtrat e Jozefit, sepse ai i kishte vënë në be solemnisht bijtë e Izraelit: «Me siguri Perëndia nuk ka për t’ju harruar, prandaj nxirrini eshtrat e mia që këtej.»+ 20  Ata u nisën nga Sukoti dhe e ngritën kampin në Etam, buzë shkretëtirës. 21  Ndërkohë Jehovai shkonte përpara tyre: gjatë ditës u printe udhën me një shtyllë reje,+ kurse gjatë natës u siguronte dritë me një shtyllë zjarri. Kështu mund të udhëtonin edhe ditën, edhe natën.+ 22  Shtylla e resë nuk largohej nga populli gjatë ditës dhe as shtylla e zjarrit gjatë natës.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «çdo të parëlindur që çel çdo bark».
Ose «Ndani veç». Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
Fjalë për fjalë «kufijve».
Fjalë për fjalë «mes syve».
Ose «kujtim».
Fjalë për fjalë «këdo që çel barkun».
Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
Fjalë për fjalë «këdo që çel barkun».
Fjalë për fjalë «mes syve».