Eksodi 14:1-31

  • Izraelitët mbërrijnë në det (1-4)

  • Faraoni ndjek izraelitët (5-14)

  • Izraelitët kalojnë Detin e Kuq (15-25)

  • Egjiptianët mbyten në det (26-28)

  • Izraelitët tregojnë besim te Jehovai (29-31)

14  Tani Jehovai i tha Moisiut:  «Thuaju izraelitëve që të kthehen mbrapa e ta ngrenë kampin pranë Pihahirotit, mes Migdolit dhe detit, përballë Baal-Zefonit;+ ngrijeni kampin përballë tij, pranë detit.  Atëherë faraoni do të thotë për izraelitët: ‘Ata po enden të hutuar dhe shkretëtira i ka zënë brenda.’  Unë do të lejoj që faraonit t’i ngurtësohet zemra e të bëhet kryeneç,+ dhe ai do t’i ndjekë ata këmba-këmbës. Mirëpo unë do të marr lavdi kur ta mposht faraonin me gjithë ushtrinë e tij,+ dhe egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»+ Dhe izraelitët bënë kështu.  Më vonë, mbretin e Egjiptit e njoftuan se izraelitët kishin ikur vërtet. Në çast faraoni dhe shërbëtorët e tij u bënë pishman+ dhe thanë: «Ç’bëmë kështu? Pse i liruam skllevërit tanë izraelitë e i lamë të na iknin nga duart?»  Prandaj bëri gati karrocat e luftës dhe mori me vete luftëtarët e tij.+  Mori 600 karrocat më të mira dhe gjithë karrocat e tjera të Egjiptit, me luftëtarë në secilën prej tyre.  Kështu Jehovai lejoi që faraonit, mbretit të Egjiptit, t’i ngurtësohej zemra e të bëhej kryeneç, dhe ai i ndoqi izraelitët këmba-këmbës, ndërkohë që këta largoheshin pa iu dridhur qerpiku.*+  Egjiptianët i ndoqën këmba-këmbës+ dhe gjithë karrocat e faraonit, kalorësia dhe ushtria e tij po u afroheshin, ndërsa ata e kishin kampin pranë detit, pranë Pihahirotit, përballë Baal-Zefonit. 10  Kur faraoni u afrua, izraelitët ngritën sytë dhe panë që egjiptianët po i ndiqnin. Ata u tmerruan e gjithë ankth nisën t’i thërritnin Jehovait+ 11  dhe i thanë Moisiut: «S’kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim këtu në shkretëtirë?!+ Pse na e bëre këtë dhe na nxore nga Egjipti?! 12  A nuk të thamë në Egjipt pikërisht këtë gjë: ‘Na lër rehat që t’u shërbejmë egjiptianëve.’ Më mirë t’u shërbejmë egjiptianëve, se të vdesim në shkretëtirë.»+ 13  Atëherë Moisiu i tha popullit: «Mos kini frikë!+ Qëndroni të patundur dhe shihni si do t’ju shpëtojë sot Jehovai,+ sepse egjiptianët që po shihni sot, nuk do t’i shihni më kurrë!+ 14  Vetë Jehovai do të luftojë për ju,+ kurse ju do të prisni në heshtje.» 15  Tani Jehovai i tha Moisiut: «Pse më thërret akoma i shqetësuar? Thuaju izraelitëve ta mbledhin kampin dhe të nisen. 16  Kurse ti ngrije bastunin, shtrije dorën drejt detit dhe ndaje, që izraelitët të kalojnë përmes detit në tokë të thatë. 17  Ndërsa unë do të lejoj që egjiptianëve t’u ngurtësohet zemra e të bëhen kryeneçë, që t’ju ndjekin këmba-këmbës. E kur ta mposht faraonin me gjithë ushtrinë, karrocat e luftës dhe kalorësinë e tij, unë do të marr lavdi.+ 18  Egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai kur të marr lavdi nëpërmjet faraonit, karrocave të luftës dhe kalorësisë së tij.»+ 19  Atëherë engjëlli i Perëndisë së vërtetë,+ që shkonte përpara kampit të izraelitëve, u zhvendos në fund të kampit; edhe shtylla e resë që ishte përpara tyre, shkoi prapa dhe qëndroi aty.+ 20  Kështu shtylla e resë hyri mes kampit të egjiptianëve dhe kampit të Izraelit.+ Në njërën anë, shtylla e resë ishte pus e zezë, kurse në anën tjetër ndriçonte natën.+ Prandaj egjiptianët nuk iu afruan izraelitëve gjatë gjithë natës. 21  Tani Moisiu e shtriu dorën drejt detit,+ dhe Jehovai e shtyu detin me anë të një ere të fortë lindore që fryu gjatë gjithë natës, dhe ujërat u ndanë;+ kështu e ktheu shtratin e detit në tokë të thatë.+ 22  Prandaj izraelitët kaluan përmes detit në tokë të thatë,+ ndërsa ujërat krijonin një mur, në të djathtë e në të majtë.+ 23  Egjiptianët u vunë pas tyre: gjithë kuajt e faraonit, karrocat e luftës dhe kalorësia e tij u turrën në mes të detit pas tyre.+ 24  Gjatë ndërresës së mëngjesit,* Jehovai e pa kampin e egjiptianëve nga shtylla e zjarrit dhe e resë+ dhe e bëri rrëmujë. 25  Ua hoqi rrotat karrocave dhe egjiptianët me zor i ngitnin, prandaj thoshin: «T’ia mbathim nga izraelitët, sepse Jehovai po lufton për ta kundër nesh.»+ 26  Pastaj Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt detit, që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e luftës dhe mbi kalorësinë.» 27  Moisiu e shtriu menjëherë dorën drejt detit, dhe ndërsa po agonte, deti u kthye në vendin e vet. Ndërkohë që egjiptianët po ia mbathnin, Jehovai i plandosi në mes të detit.+ 28  Ujërat u kthyen derisa mbuluan karrocat e luftës, kalorësinë dhe gjithë ushtrinë e faraonit, të cilët kishin shkuar në det pas tyre.+ Nuk mbeti gjallë asnjë egjiptian.+ 29  Kurse izraelitët ecën në tokë të thatë në mes të shtratit të detit+ me ujërat si mur në të djathtë e në të majtë.+ 30  Atë ditë Jehovai e shpëtoi Izraelin nga dora e egjiptianëve+ dhe Izraeli i pa egjiptianët të vdekur në breg të detit. 31  Izraeli pa edhe dorën e fuqishme me të cilën Jehovai veproi kundër egjiptianëve. Kështu populli nisi të kishte respekt të thellë për Jehovain* e të tregonte besim te Jehovai dhe te Moisiu, shërbëtori i tij.+

Shënimet

Ose «me kokat lart». Fjalë për fjalë «me dorë të lartësuar».
Domethënë, rreth orës 2 deri në 6 të mëngjesit.
Fjalë për fjalë «nisi t’i frikësohej Jehovait». Shih Fjalorthin.