Eksodi 16:1-36

  • Populli murmurit për ushqim (1-3)

  • Jehovai dëgjon murmuritjet (4-12)

  • Sigurohen shkurtat dhe mana (13-21)

  • S’ka manë në Sabat (22-30)

  • Mana mbahet si përkujtues (31-36)

16  Pasi u nis nga Elimi, tërë asambleja e izraelitëve me kohë mbërriti në shkretëtirën e Sinit,+ që ndodhet mes Elimit dhe Sinait; mbërriti atje ditën e 15-të të muajit të dytë, një muaj pasi ishte larguar nga vendi i Egjiptit.  Në shkretëtirë, tërë asambleja e izraelitëve nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aronit.+  Izraelitët u thoshin pa pushim: «Ah, sikur të kishim vdekur nga dora e Jehovait në vendin e Egjiptit, kur rrinim ulur pranë tenxhereve të mëdha me mish,+ kur hanim bukë sa ngopeshim! Tani ju na keni nxjerrë në këtë shkretëtirë, që gjithë kongregacioni të vdesë nga zia e bukës.»+  Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Unë do t’ju sjell bukë nga qielli.+ Secili të dalë e të mbledhë racionin e vet të përditshëm;+ kështu do t’i vë në provë për të parë nëse do t’i binden ose jo ligjit tim.+  Kurse ditën e gjashtë,+ të mbledhin dyfishin e asaj që mbledhin në ditët e tjera dhe ta përgatitin më përpara.»+  Prandaj Moisiu dhe Aroni u thanë gjithë izraelitëve: «Në mbrëmje keni për ta marrë vesh se nga vendi i Egjiptit ju nxori Jehovai+  dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Jehovait, sepse Jehovai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër tij. E cilët jemi ne që murmuritni kundër nesh?!»  Moisiu vazhdoi: «Kur Jehovai t’ju japë në mbrëmje mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë sa të ngopeni, do ta shihni se Jehovai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër tij. E cilët jemi ne, që murmuritni kundër nesh?! Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Jehovait.»+  Pastaj Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë asamblesë së izraelitëve: ‘Afrohuni dhe paraqituni para Jehovait, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja.’»+ 10  Sapo Aroni mbaroi së foluri me tërë asamblenë e izraelitëve, ata u kthyen me fytyrë nga shkretëtira dhe ja, lavdia e Jehovait u shfaq në re.+ 11  Jehovai i tha prapë Moisiut: 12  «I kam dëgjuar murmuritjet e izraelitëve.+ Thuaju: ‘Në të ngrysur* do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë,+ dhe keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, Perëndia juaj.’»+ 13  Kështu atë mbrëmje, shkurtat erdhën dhe e mbuluan kampin,+ kurse në mëngjes rreth e qark kampit kishte një shtresë vese. 14  Kur shtresa e vesës avulloi, në sipërfaqe të shkretëtirës kishte ca si petëza të holla+ e të imëta si bryma mbi tokë. 15  Kur izraelitët e panë, nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Ç’është kjo?», sepse nuk e dinin ç’ishte. Moisiu u tha: «Është buka që Jehovai ju ka dhënë si ushqim.+ 16  Ja çfarë urdhëron Jehovai: ‘Secili të mbledhë aq sa mund të hajë; mblidhni një omer*+ për kokë, për aq veta sa ka secili në tendën e vet.’» 17  Prandaj izraelitët filluan të mblidhnin, kush më shumë e kush më pak, 18  dhe pastaj e peshonin me omerë. Ai që kishte mbledhur shumë, nuk pati më tepër; edhe atij që kishte mbledhur pak, nuk i mungoi gjë.+ Secili mblodhi aq sa mund të hante. 19  Atëherë Moisiu u tha: «Askush të mos lërë asgjë deri në mëngjes.»+ 20  Por ata nuk ia vunë veshin Moisiut dhe, kur disa lanë diçka deri në mëngjes, ajo zuri krimba dhe ra erë të qelbur. Prandaj Moisiu u indinjua me ta. 21  Ata mblidhnin mëngjes për mëngjes, secili aq sa mund të hante dhe, kur dielli ngrohte, ajo shkrihej. 22  Ditën e gjashtë mblodhën dyfishin e bukës,+ dy omerë për njeri, dhe gjithë prijësit e asamblesë erdhën e i raportuan Moisiut për këtë. 23  Pasi i dëgjoi, ai u tha: «Kështu thotë Jehovai: nesër do të jetë pushim i plotë,* një sabat i shenjtë për Jehovain.+ Piqni ç’keni për të pjekur dhe zieni ç’keni për të zier.+ Çfarë t’ju teprojë, ruajeni deri në mëngjes.» 24  Prandaj ata e ruajtën bukën deri në mëngjes, ashtu siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ajo nuk ra erë të qelbur e nuk zuri vemje. 25  Atëherë Moisiu u tha: «Hajeni sot, sepse sot është sabat për Jehovain. Sot nuk do ta gjeni në sipërfaqe të tokës. 26  Do ta mblidhni për gjashtë ditë, por ditën e shtatë, në Sabat,+ nuk do të ketë.» 27  Megjithatë, disa nga populli dolën për të mbledhur ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë. 28  Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Deri kur nuk do të pranoni t’u bindeni urdhërimeve dhe ligjeve të mia?+ 29  Mos harroni se unë, Jehovai, ju kam dhënë Sabatin.+ Ja pse ditën e gjashtë ju jap bukën e dy ditëve. Secili të rrijë në vendin e vet dhe askush të mos largohet nga atje ditën e shtatë.» 30  Kështu populli mbajti Sabatin* ditën e shtatë.+ 31  Populli i Izraelit e quajti bukën «manë»;* ajo ishte e bardhë si fara e koriandrit dhe kishte shijen e kuleçve të hollë me mjaltë.+ 32  Pastaj Moisiu tha: «Kështu ka urdhëruar Jehovai: ‘Mblidhni një omer manë dhe ruajeni, që brezat e mëvonshëm+ të shohin bukën që ju dhashë të hanit në shkretëtirë kur ju nxora nga vendi i Egjiptit.’» 33  Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Merr një qyp të vogël, hidh brenda një omer manë dhe vëre përpara Jehovait që të ruhet brez pas brezi.»+ 34  Aroni bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe e vuri atë përpara Dëshmisë*+ që të ruhej. 35  Izraelitët hëngrën manë për 40 vjet+ derisa vajtën në një vend të banuar;+ ata hëngrën manë derisa mbërritën në kufirin e vendit të Kananit.+ 36  Një omer është një e dhjeta e një efe.*

Shënimet

Fjalë për fjalë «Midis dy mbrëmjeve».
Rreth 2,2 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «do të mbahet sabati».
Ose «populli pushoi».
Ka të ngjarë të vijë nga shprehja hebraike «Ç’është kjo?»
Një efë ishte 22 l. Shih Shtojcën B14.