Eksodi 19:1-25

  • Në malin Sinai (1-25)

    • Izraeli do të bëhet një mbretëri priftërinjsh (5, 6)

    • Populli shenjtërohet për të takuar Perëndinë (14, 15)

19  Muajin e tretë pasi dolën nga vendi i Egjiptit, izraelitët arritën në shkretëtirën e Sinait.  Pikërisht ditën që u larguan nga Refidimi,+ arritën në shkretëtirën e Sinait ku fushuan; atje Izraeli e ngriti kampin përballë malit.+  Atëherë Moisiu u ngjit në mal që të paraqitej para Perëndisë së vërtetë dhe Jehovai e thirri nga mali+ e i tha: «Thuaji shtëpisë së Jakobit, izraelitëve:  ‘Ju e patë vetë ç’u bëra egjiptianëve,+ që t’ju mbaja mbi krahë si shqiponjat dhe t’ju sillja pranë meje.+  Tani, nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe respektoni besëlidhjen time, nga të gjithë popujt, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë,*+ sepse gjithë toka më përket mua.+  Ju do të bëheni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.’+ Këto fjalë do t’ua thuash izraelitëve.»  Kështu Moisiu shkoi, thirri pleqtë e popullit dhe u tha tërë fjalët që i kishte urdhëruar Jehovai.+  Atëherë gjithë populli u përgjigj njëzëri: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai.»+ Menjëherë Moisiu shkoi e i tregoi Jehovait përgjigjen e popullit  dhe, pasi Moisiu i kishte treguar Jehovait si ishte përgjigjur populli, Jehovai i tha: «Ja, po vij te ti në një re të errët, që populli të dëgjojë kur të të flas, e kështu të ketë gjithmonë besim edhe te ti.» 10  Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Shko te populli, shenjtëroji sot e nesër dhe thuaju të lajnë rrobat. 11  Të jenë gati për ditën e tretë, sepse ditën e tretë Jehovai do të zbresë në malin Sinai para syve të të gjithë popullit. 12  Vendos rreth e rrotull malit kufij për popullin dhe thuaju: ‘Ruhuni se ngjiteni në mal dhe mos prekni as rrëzën e tij. Kushdo që prek malin, pa diskutim do të vritet. 13  Do ta vritni ose me gurë, ose do ta shponi tejpërtej,* por asnjë nga ju të mos e prekë me dorë. Kafshë a njeri qoftë, nuk do të jetojë.’+ Vetëm kur të ketë rënë briri i dashit,+ mund t’i afrohen malit.» 14  Atëherë Moisiu zbriti nga mali, vajti te populli e filloi ta shenjtëronte, dhe ata lanë rrobat.+ 15  Pastaj i tha popullit: «Bëhuni gati për ditën e tretë; mos kryeni marrëdhënie.»* 16  Ditën e tretë në mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima. Në mal ishte një re e dendur+ dhe u dëgjua një tingull briri shumë i fortë, aq sa gjithë populli në kamp nisi të dridhej nga frika.+ 17  Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi që të dilte para Perëndisë së vërtetë, dhe ata zunë vend rrëzë malit. 18  Mali Sinai nxirrte tym gjithandej, sepse Jehovai zbriti mbi të në zjarr.+ Tymi ngjitej lart si tymi i një furre tullash dhe tërë mali dridhej shumë fort.+ 19  Ndërsa tingulli i bririt bëhej gjithnjë e më i fortë, Moisiu fliste, kurse Perëndia i vërtetë* i përgjigjej. 20  Kështu Jehovai zbriti në malin Sinai, në majë të malit, dhe Jehovai e thirri Moisiun të shkonte në majë të malit. Atëherë Moisiu u ngjit në mal,+ 21  ku Jehovai i tha: «Zbrit poshtë dhe paralajmëroje popullin të mos provojë t’i kapërcejë kufijtë që të shohë Jehovain, përndryshe shumë kanë për të marrë fund. 22  Gjithashtu, priftërinjtë që i afrohen rregullisht Jehovait, të shenjtërohen, që Jehovai të mos i ndëshkojë.»*+ 23  Atëherë Moisiu i tha Jehovait: «Populli nuk mund të ngjitet në malin Sinai, sepse ti na paralajmërove tashmë: ‘Vendosni kufij rreth e rrotull malit dhe shenjtërojeni.’»+ 24  Megjithatë Jehovai i tha: «Shko, zbrit dhe pastaj ngjitu prapë, bashkë me Aronin. Por as priftërinjtë, as populli të mos provojnë t’i kapërcejnë kufijtë për t’u ngjitur te Jehovai, që të mos i ndëshkojë.»+ 25  Atëherë Moisiu zbriti te populli dhe ua tha këto fjalë.

Shënimet

Ose «zotërimi im i çmuar».
Ndoshta e goditnin me një shigjetë.
Fjalë për fjalë «mos iu afroni një gruaje».
Fjalë për fjalë «zëri i Perëndisë së vërtetë».
Fjalë për fjalë «lëshohet mbi ta».