Eksodi 2:1-25
2 Në këtë kohë, një burrë nga shtëpia e Levit u martua me një grua nga fisi i Levit,+
2 që mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Kur pa sa i bukur ishte, ajo e mbajti të fshehur djalin për tre muaj,+
3 por kur nuk e mbante dot më të fshehur,+ mori një shportë* papirusi, e leu me bitum e katran,* futi fëmijën brenda dhe e vuri mes kallamave buzë lumit Nil.
4 Kurse motra e tij+ qëndroi në njëfarë largësie për të parë ç’do t’i ndodhte.
5 S’kaloi shumë dhe vajza e faraonit shkoi për t’u larë në lumin Nil. Shërbëtoret e saj po ecnin buzë Nilit kur ajo vuri re shportën mes kallamave, dhe menjëherë dërgoi skllaven e saj që ta merrte.+
6 Kur e hapi, pa djalin që po qante. Ndonëse iu dhimbs, ajo tha: «Ky është fëmijë hebre.»
7 Atëherë motra e tij e pyeti vajzën e faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë* nga gratë hebreje që t’i japë gji fëmijës?»
8 Vajza e faraonit i tha: «Shko!» Kështu vajza shkoi menjëherë dhe thirri nënën e fëmijës.+
9 Vajza e faraonit i tha: «Merre me vete këtë fëmijë e jepi gji, dhe unë do të të paguaj.» Prandaj gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi,
10 e pasi fëmija u rrit, e çoi te vajza e faraonit. Ai u bë djali i saj+ dhe ajo ia vuri emrin Moisi,* sepse tha: «E kam nxjerrë nga uji.»+
11 Tani Moisiu ishte rritur e ishte bërë burrë. Kështu një ditë shkoi te vëllezërit e tij për të parë punët e rënda që bënin+ dhe i zuri syri një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij.
12 Atëherë i hodhi sytë rreth e qark dhe, kur pa që s’kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe e fshehu në rërë.+
13 Doli edhe të nesërmen dhe pa dy hebrenj që po ziheshin, prandaj i tha atij që ishte fajtor: «Pse e godet shokun?»+
14 Ai ia ktheu: «Kush të vuri ty princ dhe gjykatës? Mos ke ndër mend të më vrasësh edhe mua siç vrave atë egjiptianin?»+ Kur dëgjoi këtë, Moisiun e zuri frika dhe tha me vete: «Me siguri kjo punë ka marrë dhenë!»
15 Këtë gjë e mori vesh edhe faraoni, i cili u përpoq ta vriste, por Moisiu ia mbathi dhe vajti të banonte në vendin e Midianit;+ kur mbërriti atje, u ul pranë një pusi.
16 Tani, prifti i Midianit+ kishte shtatë vajza, që erdhën për të nxjerrë ujë e për të mbushur lugjet që të pinin kopetë e të atit.
17 Por si përherë, erdhën barinjtë dhe i përzunë. Atëherë Moisiu u ngrit, i ndihmoi* gratë dhe u dha ujë kopeve të tyre.
18 Kur ato vajtën në shtëpi te babai i tyre, Reueli,*+ ai i pyeti i habitur: «Si ka mundësi që sot erdhët kaq shpejt në shtëpi?»
19 Ato ia kthyen: «Një egjiptian+ na shpëtoi nga barinjtë, e madje nxori ujë për ne dhe i dha për të pirë kopesë.»
20 Atëherë ai u tha të bijave: «Po ku është? Pse nuk e morët me vete? Shkoni e thirreni që të vijë e të hamë bashkë.»
21 Kështu Moisiu pranoi të banonte në shtëpinë e Reuelit, dhe ky i dha për grua të bijën, Ziporën.+
22 Më vonë ajo i lindi një djalë, dhe Moisiu ia vuri emrin Gershom,*+ sepse tha: «Jam i ardhur në dhé të huaj.»+
23 Pas shumë kohësh, mbreti i Egjiptit vdiq,+ mirëpo izraelitët ende rënkonin nga skllavëria e thirrnin të pikëlluar, dhe thirrjet e tyre për ndihmë shkonin te Perëndia i vërtetë.+
24 Me kohë Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre+ dhe e kujtoi* besëlidhjen që kishte bërë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin.+
25 Kështu Perëndia e drejtoi vëmendjen nga izraelitët dhe pa sa shumë po vuanin.