Eksodi 20:1-26
20 Pastaj Perëndia tha gjithë këto fjalë:+
2 «Unë jam Jehovai, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.+
3 Mos ki perëndi të tjera përveç meje.*+
4 Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur ose ndonjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat e tokës.+
5 Mos u përkul para tyre dhe mos u tundo t’u shërbesh,+ sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua,+ që për fajin e etërve ndëshkoj bijtë, deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë.
6 Por u tregoj dashuri besnike për mijëra breza atyre që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.+
7 Mos e zër në gojë kot* emrin e Jehovait, Perëndisë tënd,+ sepse Jehovai nuk do ta lërë pa ndëshkuar atë që e zë në gojë kot emrin e Tij.+
8 Kujtoje ditën e Sabatit dhe shenjtëroje.+
9 Do të punosh e do të bësh gjithçka që ke për të bërë për gjashtë ditë.+
10 Ndërsa dita e shtatë është sabat për Jehovain, Perëndinë tënd. Mos bëj asnjë punë, as ti, as biri e as bija jote, as skllavi e as skllavja jote, as kafsha jote shtëpiake dhe as i ardhuri që gjendet brenda vendbanimeve* të tua,+
11 sepse në gjashtë ditë Jehovai bëri qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në ta, dhe ditën e shtatë filloi të pushonte.+ Ja pse Jehovai e bekoi ditën e Sabatit dhe e bëri të shenjtë.
12 Ndero babanë dhe nënën tënde,+ që të jetosh gjatë në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt.+
13 Mos vrit.+
14 Mos kryej kurorëshkelje.*+
15 Mos vidh.+
16 Mos jep dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.*+
17 Mos dëshiro shtëpinë e tjetrit. Mos dëshiro gruan e tjetrit,+ as skllavin e as skllaven e tij, as demin e as gomarin e tij, asgjë të tijën.»+
18 Tani gjithë populli i shihte e i dëgjonte bubullimat, vetëtimat, tingullin e bririt dhe malin që nxirrte tym. E përpara kësaj pamjeje, populli dridhej nga frika dhe qëndronte në njëfarë largësie.+
19 Prandaj i thanë Moisiut: «Fol ti me ne, dhe ne do të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia, se kemi frikë mos vdesim.»+
20 Atëherë Moisiu i tha popullit: «Mos u trembni, sepse Perëndia i vërtetë ka ardhur t’ju vërë në provë,+ me qëllim që të keni gjithnjë nderim të thellë për të* e të mos mëkatoni.»+
21 Kështu populli vazhdoi të qëndronte në njëfarë largësie, kurse Moisiu iu afrua resë së errët ku ishte Perëndia i vërtetë.+
22 Jehovai i tha akoma Moisiut: «Kështu do t’u thuash izraelitëve: ‘Ju e patë vetë se unë ju fola nga qielli.+
23 Mos bëni perëndi prej argjendi, që t’i barazoni me mua, dhe as perëndi prej ari.+
24 Do të më bëni një altar prej dheu e mbi të do të flijoni blatimet tuaja të djegura, flijimet tuaja në bashkësi,* kopetë dhe tufat tuaja. Tek ai vend që do të zgjedh për t’u kujtuar emri im,+ do të vij te ju dhe do t’ju bekoj.
25 Nëse më bëni një altar me gurë, nuk do ta ndërtoni me gurë të gdhendur*+ a të prerë, sepse po përdorët daltën, do ta përdhosni.
26 Në altarin tim nuk do të ngjiteni me shkallë, që të mos zbulohen mbi të pjesët tuaja intime.’*
Shënimet
^ Ose «për të më sfiduar». Fjalë për fjalë «kundër fytyrës sime».
^ Ose «Mos e përdor në mënyrë të papërshtatshme».
^ Fjalë për fjalë «portave».
^ Ose «tradhti bashkëshortore».
^ Ose «tjetrit». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «t’i frikësoheni gjithnjë atij». Shih Fjalorthin.
^ Ose «blatimet tuaja të paqes».
^ Ose «të latuar».
^ Fjalë për fjalë «lakuriqësia juaj».