Eksodi 21:1-36

  • Vendime gjyqësore për izraelitët (1-36)

    • Për skllevërit hebrenj (2-11)

    • Për dhunën ndaj një tjetri (12-27)

    • Për kafshët (28-36)

21  Këto janë ligjet që do t’u japësh atyre:+  “Në rast se blen një skllav hebre,+ ai do të të shërbejë si skllav për gjashtë vjet, por vitin e shtatë do të jetë i lirë të largohet pa paguar asgjë.+  Nëse ka ardhur vetëm, vetëm do të largohet, e nëse ka qenë burrë i një gruaje, edhe gruaja e tij do të largohet bashkë me të.  Nëse zotëria i jep një grua, dhe ajo i lind bij a bija, gruaja dhe fëmijët do të bëhen të zotërisë, kurse skllavi do të largohet vetëm.+  Por nëse këmbëngul: ‘Unë e dua zotërinë tim, gruan dhe fëmijët e mi, prandaj nuk dua që zotëria të më lërë të lirë’,+  atëherë ai do ta nxjerrë para Perëndisë së vërtetë, do ta mbështetë te dera ose te njëra nga shtalkat* dhe do t’i shpojë veshin me fëndyell,* e kështu do të mbetet skllavi i tij për gjithë jetën.  Në rast se një burrë shet të bijën si skllave, ajo nuk do të lihet e lirë njësoj si lihet i lirë një skllav.  Në rast se zotëria nuk e pëlqen dhe nuk e mban si konkubinë,* por vendos që vajzën ta blejë* dikush tjetër, ai nuk ka të drejtë t’ua shesë të huajve, sepse ka vepruar pabesisht me të.  Por nëse e merr nuse për të birin, duhet ta trajtojë si vajzën e vet. 10  Në rast se i biri* merr një grua tjetër, nuk do t’ia pakësojë gruas së parë as ushqimin, as veshjen dhe do të përmbushë me të detyrën martesore.+ 11  Por nëse nuk ia plotëson këto tri gjëra, ajo do të jetë e lirë të shkojë, pa paguar asgjë. 12  Kush godet një njeri dhe i shkakton vdekjen, duhet të vritet.+ 13  Por nëse e bën pa dashje dhe Perëndia i vërtetë e lë këtë gjë të ndodhë, unë do të caktoj një vend ku ai të ketë mundësi t’ia mbathë.+ 14  Në rast se një njeri zemërohet shumë me një tjetër dhe qëllimisht e vret,+ ai duhet të vdesë edhe sikur të kërkojë mbrojtje tek altari im.+ 15  Kush godet babanë ose nënën, duhet të vritet.+ 16  Nëse dikush rrëmben një njeri+ dhe e shet, ose nëse e ka ende peng kur e kapin,+ ai duhet të vritet.+ 17  Kush mallkon babanë ose nënën, duhet të vritet.+ 18  Ja si duhet të veprohet në rast se disa burra zihen dhe njëri e godet tjetrin me gurë ose me grusht* dhe ky nuk vdes, por zë shtratin: 19  nëse është në gjendje të ngrihet e të ecë përjashta i mbështetur në një bastun, ai që e goditi, nuk do të ndëshkohet. Do të japë vetëm një dëmshpërblim për kohën që tjetri ka humbur nga puna derisa të shërohet plotësisht. 20  Në rast se dikush godet skllavin ose skllaven e tij me shkop, e ai ose ajo vdes nga dora e tij, duhet t’i merret haku.+ 21  Megjithatë, nëse mbijeton për një a dy ditë, nuk do t’i merret haku, sepse është blerë me paratë e zotërisë. 22  Në rast se disa burra zihen me njëri-tjetrin dhe godasin një grua shtatzënë, e ajo lind para kohe,*+ por nuk ndodh asnjë aksident vdekjeprurës,* fajtori duhet të paguajë dëmin që do t’i kërkojë burri i saj; ai duhet ta paguajë dëmin sipas vendimit të gjykatësve.+ 23  Por nëse ndodh ndonjë aksident vdekjeprurës, do ta paguajë jetë për jetë,*+ 24  sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,+ 25  djegie për djegie, plagë për plagë, goditje për goditje. 26  Në rast se dikush godet skllavin a skllaven e tij në sy dhe ia dëmton, ai do ta lërë të lirë si dëmshpërblim për syrin.+ 27  Në qoftë se i thyen dhëmbin skllaves a skllavit të tij, do ta lërë të lirë si dëmshpërblim për dhëmbin. 28  Në rast se një dem godet me brirë një burrë a një grua dhe personi vdes, demi duhet të vritet me gurë+ dhe mishi i tij nuk duhet të hahet, kurse i zoti i demit nuk do të ndëshkohet. 29  Por nëse një dem e kishte zakon të godiste me brirë dhe i zoti ishte paralajmëruar për këtë gjë, por nuk e mbante nën kontroll, dhe demi vret një burrë a një grua, ai do të vritet me gurë; edhe i zoti duhet të ekzekutohet. 30  Nëse i kërkohet të paguajë një shpërblesë,* ai duhet të japë si çmim shpengimi* për jetën e vet aq sa t’i kërkohet. 31  Edhe nëse godet një djalë a një vajzë, i zoti i demit do të gjykohet po sipas këtij ligji. 32  Nëse demi godet një skllav a një skllave, i zoti i demit do t’i paguajë pronarit të atij njeriu një çmim prej 30 siklash,* kurse demi do të vritet me gurë. 33  Në rast se dikush zbulon ose hap një gropë e nuk e mbulon dhe një dem a një gomar bie brenda, 34  pronari i gropës duhet të paguajë dëmshpërblimin.+ Çmimin do t’ia paguajë të zotit, kurse kafsha e ngordhur do të bëhet e tija. 35  Në rast se demi i dikujt godet demin e një tjetri dhe ai ngordh, demin e gjallë do ta shesin dhe paratë e paguara për të do t’i ndajnë bashkë; edhe demin e ngordhur do ta ndajnë bashkë. 36  Por nëse dihej që demi e kishte zakon të godiste me brirë dhe i zoti nuk e mbante nën kontroll, ai duhet të dëmshpërblejë dem për dem, kurse demi i ngordhur do të bëhet i tiji.

Shënimet

Domethënë, te korniza e derës, te njëra nga pjesët anësore të saj.
Ose «bizë». Një mjet që përdorej për të bërë vrima të vogla.
Fjalë për fjalë «ta shpengojë».
Një mundësi tjetër «zotëria». Fjalë për fjalë «ai».
Një mundësi tjetër «me ndonjë mjet».
Fjalë për fjalë «dhe asaj i dalin fëmijët jashtë».
Ose «dëmtim serioz».
Ose «shpirt për shpirt».
Ose «dëmshpërblim».
Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.