Eksodi 22:1-31

  • Vendime gjyqësore për izraelitët (1-31)

    • Për vjedhjen (1-4)

    • Për dëmtimin e të korrave (5, 6)

    • Për dëmshpërblimin dhe pronësinë (7-15)

    • Për joshjen (16, 17)

    • Për adhurimin dhe drejtësinë sociale (18-31)

22  Nëse dikush vjedh një dem a një dele dhe e ther ose e shet, do të japë si dëmshpërblim pesë dema për demin dhe katër dele për delen.+  (Nëse një hajdut+ kapet duke hyrë në një shtëpi natën dhe goditet për vdekje, askush nuk është fajtor për gjakun e tij.  Por nëse kjo ndodh pasi ka lindur dielli, ai që e vret, do të jetë fajtor gjaku.) Hajduti duhet të dëmshpërblejë, e nëse nuk ka asgjë me se ta lajë dëmin, duhet të shitet në këmbim të gjërave që ka vjedhur.  Nëse i gjendet ende gjallë kafsha e vjedhur, qoftë dem, gomar a dele, ai duhet të dëmshpërblejë dyfish.  Nëse dikush i nxjerr kafshët të kullotin në një arë a vresht dhe i lë që të kullotin në arën e tjetrit, ai duhet të dëmshpërblejë me pjesën më të mirë të prodhimeve të arës a të vreshtit të vet.  Nëse bie zjarr dhe përhapet nëpër ferra e si pasojë digjen duajt, drithi i pakorrur a një arë, ai që vuri zjarrin duhet të dëmshpërblejë për atë që u dogj.  Kur dikush i jep një tjetri pará a sende që t’ia ruajë dhe këto vidhen në shtëpinë e këtij të fundit, nëse e gjejnë, hajduti duhet të dëmshpërblejë dyfish.+  Nëse hajdutin nuk e gjejnë, atëherë të zotin e shtëpisë do ta nxjerrin para Perëndisë së vërtetë+ që të përcaktohet nëse ka vënë dorë mbi gjërat e tjetrit.  Kur dikush akuzohet për zotërim të paligjshëm, qoftë dem, gomar, dele, rrobë a çdo gjë të humbur, për të cilën një tjetër mund të thotë: ‘Kjo është imja!’, të dyja palët do ta paraqesin çështjen para Perëndisë së vërtetë,+ dhe ai që do të shpallet fajtor nga Perëndia, do ta dëmshpërblejë tjetrin dyfish.+ 10  Nëse dikush i jep tjetrit një gomar, dem, dele a ndonjë kafshë tjetër shtëpiake që t’ia ruajë, por kjo ngordh, gjymtohet ose e rrëmbejnë pa e parë kush, 11  të dy do të betohen para Jehovait që njëri s’ka vënë dorë mbi të mirat e tjetrit; pronari duhet ta pranojë betimin dhe tjetri nuk është i detyruar të dëmshpërblejë.+ 12  Por nëse ia kanë vjedhur,* ai duhet ta dëmshpërblejë pronarin. 13  Nëse e ka shqyer ndonjë kafshë e egër, ai do ta sjellë si provë, sepse nuk është i detyruar të dëmshpërblejë për një kafshë të shqyer nga egërsirat. 14  Nëse dikush i merr hua kafshën shtëpiake tjetrit dhe ajo gjymtohet ose ngordh kur pronari nuk është i pranishëm, ai që e mori hua duhet ta dëmshpërblejë. 15  Por nëse pronari është i pranishëm, tjetri nuk është i detyruar të dëmshpërblejë. E nëse është marrë me qira, paratë e qirasë shërbejnë si dëmshpërblim. 16  Nëse një burrë josh një virgjëreshë të pafejuar dhe fle me të, ai duhet të paguajë çmimin e nuses që ajo të bëhet gruaja e tij.+ 17  Nëse babai i vajzës nuk pranon në asnjë mënyrë që t’ia japë për grua, ai burrë është ende i detyruar të paguajë aq pará sa kërkohen për çmimin e nuses. 18  Mos e lër gjallë një magjistare.+ 19  Kushdo që kryen marrëdhënie seksuale me një kafshë, duhet të vritet pa diskutim.+ 20  Kush u bën flijime perëndive të tjera përveç Jehovait, duhet shfarosur.*+ 21  Mos e keqtrajtoni dhe mos e shtypni të ardhurin,+ sepse edhe ju banuat si të huaj në vendin e Egjiptit.+ 22  Mos e mundoni asnjë vejushë a jetim.*+ 23  Nëse i mundoni sadopak dhe ata më thërrasin mua për ndihmë, pa pikë dyshimi unë do ta dëgjoj klithmën e tyre,+ 24  do të më ndizet zemërimi e do t’ju vras me shpatë, gratë tuaja do të bëhen vejusha dhe fëmijët tuaj do të mbeten pa baba. 25  Nëse i jep pará hua ndonjë të varfri* nga populli im, mos u sill me të si fajdexhi;* mos i kërko kamatë.+ 26  Nëse i merr rrobën një tjetri si garanci për një hua,*+ duhet t’ia kthesh përpara se të perëndojë dielli, 27  sepse është e vetmja rrobë që ka për të mbuluar trupin. Me se do të flejë nëse mbetet pa të?+ E kur të më thërrasë për ndihmë, me siguri do ta dëgjoj, sepse unë jam i dhembshur.*+ 28  Mos e mallko Perëndinë,*+ as mos mallko ndonjë nga prijësit* e popullit tënd.+ 29  Mos ngurro të më japësh blatime nga prodhimi yt i bollshëm dhe nga ajo që vërshon prej shtypëseve të tua.*+ Të parëlindurin e djemve të tu duhet të ma japësh mua.+ 30  Kështu do të veprosh me të parëlindurin e demit dhe të deles:+ shtatë ditë do të rrijë me të ëmën dhe ditën e tetë do të ma japësh mua.+ 31  Ju duhet të jeni populli im i shenjtë+ e nuk duhet ta hani mishin e një kafshe të shqyer nga egërsirat në fushë,+ por duhet t’ua hidhni qenve.

Shënimet

Siç duket, për shkak të neglizhencës ose rrethanave që mund të ishin parandaluar.
Ose «duhet të caktohet për shfarosje». Shih Fjalorthin.
Ose «fëmijë pa baba».
Ose «kreditor».
Ose «nevojtari».
Ose «si peng».
Ose «hirmadh».
Ose «Mos përdor fjalë sharëse kundër Perëndisë; Mos blasfemo kundër Perëndisë».
Ose «sundimtarët».
Domethënë, prej shtypëseve të vajit dhe të rrushit.