Eksodi 23:1-33

  • Vendime gjyqësore për izraelitët (1-19)

    • Për sjelljen e ndershme dhe të drejtë (1-9)

    • Për sabatet dhe festat (10-19)

  • Engjëlli u prin izraelitëve (20-26)

  • Pushtimi i vendit dhe kufijtë (27-33)

23  Mos përhap një lajm të rremë+ dhe mos bashkëpuno me të ligun duke dhënë dëshmi për t’i bërë keq tjetrit.+  As mos shko pas shumicës për të bërë të ligën dhe mos jep një dëshmi që shtrembëron drejtësinë vetëm për t’i bërë qejfin shumicës.*  Duhet të jesh i paanshëm në çështjen ligjore të të varfrit.+  Nëse rastësisht gjen demin ose gomarin e armikut tënd që ka humbur rrugën, duhet t’ia kthesh.+  Nëse e sheh të rrëzuar gomarin e dikujt që të urren dhe ngarkesa e ka zënë nën të, mos bëj sikur nuk sheh e mos u largo; ndihmoje që t’ia heqë barrën kafshës.+  Mos e shtrembëro drejtësinë kur të gjykosh çështjen ligjore të të varfrit.+  Mos u përfshi fare në akuza* të rreme dhe mos e vrit të pafajshmin e të drejtin, sepse unë nuk do ta shpall të ligun të drejtë.*+  Mos merr ryshfet, sepse ryshfeti i verbon ata që shohin qartë dhe mund t’i shtrembërojë fjalët e të drejtëve.+  Mos e shtyp të ardhurin, sepse ti e di ç’do të thotë të jesh i ardhur, meqë i tillë ishe në vendin e Egjiptit.+ 10  Do ta mbjellësh tokën dhe do të mbledhësh prodhimin e saj për gjashtë vjet.+ 11  Por vitin e shtatë mos e mbill, lëre të pushojë, që të varfrit në popull të hanë atë që toka do të prodhojë vetë, e ç’të lënë ata, do ta hanë kafshët e egra të tokës. Kështu do të veprosh edhe me vreshtin, edhe me ullishten tënde. 12  Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do ta ndërpresësh punën, që demi e gomari yt të pushojë, e skllavi yt* dhe i ardhuri të çlodhet.+ 13  Zbato me kujdes gjithçka që të kam thënë.+ Mos i zër me gojë emrat e perëndive të tjerë; të mos dëgjohen nga goja jote.+ 14  Tri herë në vit kremto një festë për mua.+ 15  Do të kremtosh Festën e Bukëve Pa Maja;+ shtatë ditë do të hash bukë pa maja, siç të kam urdhëruar, në kohën e caktuar të muajit abib,*+ sepse në atë kohë dole nga Egjipti. Askush të mos vijë duarbosh para meje.+ 16  Do të kremtosh edhe Festën e Korrjes* së fryteve të para të punës sate, të asaj që ke mbjellë në arë,+ si edhe Festën e Mbledhjes* në fund të vitit, kur të mbledhësh nga ara frytin e punës sate.+ 17  Tri herë në vit, të gjithë burrat* të paraqiten para Zotërisë së vërtetë, Jehovait.+ 18  Mos e paraqit gjakun e flijimit tim me asgjë që ka majá, dhe dhjami i flijimit që ofrohet në festat e mia të mos ruhet deri në mëngjes. 19  Duhet të çosh pjesën më të mirë të fryteve të para të tokës sate në shtëpinë e Jehovait, Perëndisë tënd.+ Mos e ziej kecin në qumështin e nënës së vet.+ 20  Unë po dërgoj një engjëll përpara teje,+ që të të ruajë rrugës dhe të të çojë në vendin që kam përgatitur.+ 21  Vërja veshin dhe bindju zërit të tij. Mos u rebelo kundër tij, sepse ai nuk do t’i falë shkeljet* e tua,+ ngaqë mban emrin tim. 22  Megjithatë, nëse i bindesh pikë për pikë zërit të tij dhe bën gjithçka që të them, unë do të bëhem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu, 23  sepse engjëlli im do të të prijë dhe do të të çojë tek amoritët, hititët, perezitët, kananitët, hivitët e jebusitët, dhe unë do t’i shfaros ata.+ 24  Mos u përkul para perëndive të tyre, mos u tundo t’u shërbesh dhe mos imito zakonet e tyre.+ Përkundrazi, shembi idhujt e tyre e bëji copë-copë kolonat e tyre të shenjta.+ 25  Më shërbe mua, Jehovait, Perëndisë tënd,+ dhe unë do ta bekoj bukën e ujin tënd,+ do t’i largoj sëmundjet nga ti,+ 26  dhe gratë në vendin tënd nuk do të dështojnë e as do të mbeten pa fëmijë.+ Unë do të të jap jetë të gjatë.* 27  Para se të shkosh atje, popujt do të kenë frikë prej meje;+ unë do t’i bëj rrëmujë gjithë popujt që do të të dalin përpara dhe tërë armiqtë e tu do t’ia mbathin të mposhtur* prej meje.+ 28  Do të bëj që t’i lëshojë zemra,*+ prandaj hivitët, kananitët dhe hititët do t’ia mbathin para teje.+ 29  Nuk do t’i dëboj brenda vitit, që toka të mos shkretohet dhe kafshët e egra të tokës të mos shumohen e të përbëjnë rrezik për ty.+ 30  Do t’i dëboj pak nga pak, derisa të bëhesh i frytshëm dhe ta shtiesh vendin në dorë.+ 31  Unë do t’i caktoj kufijtë e tu nga Deti i Kuq deri në detin e filistinëve,* dhe nga shkretëtira deri te Lumi.*+ Do të t’i jap në dorë banorët e vendit, dhe ti do t’i dëbosh.+ 32  Mos bëj besëlidhje me ta ose me perënditë e tyre.+ 33  Ata nuk duhet të banojnë në vendin tënd, që të mos të bëjnë të mëkatosh kundër meje. Po t’u shërbesh perëndive të tyre, me siguri kjo do të bëhet lak për ty.”»+

Shënimet

Ose «vetëm ngaqë ka popullaritet».
Fjalë për fjalë «fjalë».
Ose «nuk do ta shfajësoj të ligun».
Fjalë për fjalë «biri i skllaves sate».
E njohur edhe si Festa e Javëve, ose Festa e Ditës së Pesëdhjetë.
E njohur edhe si Festa e Kasolleve (e Tabernakujve).
Ose «meshkujt».
Ose «do të të ngop me ditë».
Ose «do të sprapsen».
Një mundësi tjetër «Do të përhap panik; tmerr».
Ose «detin Mesdhe».
Domethënë, Eufrati.