Eksodi 24:1-18
24 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: «Ngjituni në mal, ti dhe Aroni, Nadabi dhe Abihu,+ si dhe 70 pleq të Izraelit, dhe përkuluni para meje në njëfarë largësie.
2 Vetëm Moisiu t’i afrohet Jehovait, kurse të tjerët nuk duhet të afrohen dhe as populli nuk duhet të ngjitet në mal me të.»+
3 Kështu Moisiu erdhi, i tregoi popullit gjithë fjalët e ligjet e Jehovait,+ dhe tërë populli u përgjigj njëzëri: «Jemi gati t’i zbatojmë të gjitha fjalët e Jehovait.»+
4 Atëherë Moisiu i hodhi me shkrim të gjitha fjalët e Jehovait.+ Pastaj u çua herët në mëngjes, ndërtoi rrëzë malit një altar dhe 12 shtylla, sipas 12 fiseve të Izraelit.
5 Më pas zgjodhi disa të rinj izraelitë, të cilët paraqitën blatime të djegura dhe flijuan dema si flijime në bashkësi+ për Jehovain.
6 Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në tase, kurse me gjysmën tjetër spërkati altarin.
7 Pastaj mori librin e besëlidhjes, ia lexoi popullit,+ dhe ata thanë: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai dhe do të bindemi.»+
8 Prandaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin+ dhe tha: «Ky është gjaku i besëlidhjes që Jehovai ka bërë me ju në përputhje me gjithë këto fjalë.»+
9 Moisiu dhe Aroni, Nadabi dhe Abihu, si dhe 70 pleq të Izraelit u ngjitën në mal,
10 ku panë Perëndinë e Izraelit;+ nën këmbët e tij ishte diçka që ngjante si dysheme safiri, e pastër si vetë qiejt.+
11 Ai nuk i preku me dorë burrat e shquar të Izraelit,+ e ata panë Perëndinë e vërtetë në një vegim* dhe hëngrën e pinë.
12 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro atje, se do të të jap në pllaka guri ligjin dhe urdhërimet që do të shkruaj për ta mësuar popullin.»+
13 Kështu Moisiu u nis me Josiun, shërbëtorin e vet,+ dhe Moisiu hipi në malin e Perëndisë së vërtetë.+
14 Kurse pleqve u kishte thënë: «Ju na prisni këtu derisa të kthehemi.+ Aroni dhe Huri+ janë me ju. Kush të ketë ndonjë çështje ligjore, le t’u drejtohet atyre.»+
15 Pastaj Moisiu u ngjit në mal teksa reja mbulonte malin.+
16 Lavdia e Jehovait+ qëndroi në malin Sinai,+ dhe reja e mbuloi atë për gjashtë ditë. Ditën e shtatë, ai e thirri Moisiun nga mesi i resë.
17 Izraelitëve që po shikonin, lavdia e Jehovait u dukej si zjarr flakërues në majë të malit.
18 Pastaj Moisiu hyri në re dhe u ngjit në mal;+ Moisiu qëndroi në mal 40 ditë e 40 net.+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.