Eksodi 29:1-46
29 Ja çfarë do të bësh që t’i shenjtërosh për të më shërbyer si priftërinj: merr një dem të ri dhe dy desh të patëmetë,+
2 bukë pa maja, bukë pa maja në formë unaze të zëna me vaj, dhe galeta* pa maja të lyera me vaj.+ Bëji me miell gruri të bluar imët,
3 futi në një shportë dhe paraqiti+ bashkë me demin dhe dy deshtë.
4 Në hyrje të tendës së takimit do të paraqitësh Aronin dhe djemtë e tij,+ dhe do t’i lash me ujë.+
5 Pastaj merr rrobat,+ vishi Aronit veshjen e gjatë, veshjen pa mëngë të efodit, efodin,* pektoralin* dhe shtrëngoji mirë në mes brezin e endur* të efodit.+
6 Vëri në kokë çallmën e veçantë, dhe vendos në të shenjën e shenjtë të kushtimit.*+
7 Merr edhe vajin e mirosjes,+ derdhja mbi kokë dhe mirose.*+
8 Pastaj do të paraqitësh djemtë e tij dhe do t’u veshësh veshjet e gjata,+
9 do t’u mbështjellësh rreth e qark brezat, si Aronit edhe djemve të tij, dhe do t’u vësh në kokë çallmat; priftëria do të bëhet e tyrja, dhe ky është një ligj i përhershëm.+ Në këtë mënyrë do të emërosh Aronin dhe djemtë e tij që të shërbejnë si priftërinj.*+
10 Pastaj paraqite demin para tendës së takimit dhe Aroni e djemtë e tij do të vënë duart mbi* kokën e demit.+
11 There demin para Jehovait, në hyrje të tendës së takimit.+
12 Merr me gisht ca nga gjaku i demit dhe vëre mbi brirët e altarit,+ ndërsa gjithë pjesën tjetër të gjakut derdhe rrëzë altarit.+
13 Pastaj merr gjithë dhjamin+ që vesh zorrët, cipën e dhjamtë të mëlçisë,* dy veshkat bashkë me dhjamin që ndodhet mbi to dhe digji që të nxjerrin tym mbi altar.+
14 Kurse mishin e demit, lëkurën dhe bajgat digji në zjarr jashtë kampit. Është një blatim për mëkatin.
15 Pastaj merr njërin dash dhe Aroni me djemtë e vet të vënë duart mbi kokën e dashit.+
16 There dashin, merri gjakun dhe spërkate altarin në të gjitha anët.+
17 Ndaje dashin në copa, laji zorrët+ e kërcinjtë, dhe copat e mishit bashkë me kokën vëri mbi altar.
18 Digje të gjithë dashin që të nxjerrë tym mbi altar, se është një blatim i djegur për Jehovain, një aromë e këndshme,*+ një blatim i bërë me zjarr për Jehovain.
19 Pastaj merr dashin tjetër dhe Aroni e djemtë e vet të vënë duart mbi kokën e dashit.+
20 There dashin, merr ca nga gjaku i tij e vëre në llapën e veshit të djathtë të Aronit dhe në llapën e veshit të djathtë të djemve të tij, në gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së tyre të djathtë, dhe me gjakun spërkat altarin në të gjitha anët.
21 Pastaj merr ca nga gjaku që është mbi altar e ca nga vaji i mirosjes+ dhe spërkat Aronin dhe rrobat e tij, si edhe djemtë e tij dhe rrobat e tyre, që ai dhe rrobat e tij, dhe djemtë e tij e rrobat e tyre, të jenë të shenjtë.+
22 Pastaj merr nga dashi dhjamin, bishtin e dhjamur, dhjamin që vesh zorrët, cipën e dhjamtë të mëlçisë, dy veshkat bashkë me dhjamin që ndodhet mbi to,+ si dhe këmbën e djathtë, sepse është një dash për emërimin priftëror.+
23 Merr edhe një bukë të rrumbullakët, një bukë në formë unaze të zënë me vaj dhe një galetë nga shporta e bukëve pa maja që ndodhet para Jehovait.
24 Vëri të gjitha në duart e Aronit e në duart e djemve të tij, dhe tundi nga njëra anë në tjetrën, si një blatim të tundur para Jehovait.
25 Pastaj merri nga duart e tyre dhe digji mbi altar, sipër blatimit të djegur, si një aromë të këndshme* para Jehovait. Është një blatim i bërë me zjarr për Jehovain.
26 Pastaj merr gjoksin e dashit për emërimin priftëror,+ që është paraqitur për Aronin, dhe tunde nga njëra anë në tjetrën, si një blatim të tundur para Jehovait; ky do të jetë racioni yt.
27 Nga dashi për emërimin priftëror,+ i cili u paraqit për Aronin dhe djemtë e tij, do të shenjtërosh këto pjesë: gjoksin e blatimit të tundur dhe këmbën e racionit të shenjtë që u paraqit.
28 Meqenëse ky është racion i shenjtë, do të jetë i Aronit dhe i djemve* të tij, si një rregull i përhershëm që do të zbatohet nga izraelitët. Ky do të jetë racioni i shenjtë që do të japin izraelitët.+ Është racioni i tyre i shenjtë për Jehovain nga flijimet e tyre në bashkësi.+
29 Rrobat e shenjta+ të Aronit do t’i përdorin djemtë e tij+ kur të mirosen e të emërohen si priftërinj.
30 Njëri nga djemtë që do të zërë vendin e tij si prift e që do të hyjë në tendën e takimit për të shërbyer në vendin e shenjtë, do t’i veshë ato për shtatë ditë.+
31 Ti do ta marrësh dashin për emërimin priftëror e do t’ia ziesh mishin në një vend të shenjtë,+
32 dhe Aroni me djemtë e tij do të hanë+ në hyrje të tendës së takimit mishin e dashit dhe bukën që ndodhet në shportë.
33 Vetëm ata duhet t’i hanë gjërat që u paraqitën si shlyerje për t’i emëruar si priftërinj* dhe për t’i shenjtëruar, por asnjë njeri i paautorizuar* nuk mund t’i hajë, sepse janë të shenjta.+
34 Nëse nga mishi i flijimit të emërimit priftëror dhe nga buka tepron diçka deri në mëngjes, digje në zjarr;+ ajo nuk duhet ngrënë, sepse është diçka e shenjtë.
35 Në këtë mënyrë do të veprosh me Aronin e me djemtë e tij, në përputhje me të gjitha ato që të urdhërova, dhe do të përdorësh shtatë ditë për t’i emëruar si priftërinj.*+
36 Çdo ditë do të bësh shlyerjen për mëkatet duke flijuar një dem si blatim për mëkatin, e kështu do të pastrosh altarin nga mëkati; gjithashtu do ta mirosësh altarin që ta shenjtërosh.+
37 Do të përdorësh shtatë ditë që të bësh shlyerjen për altarin dhe do ta shenjtërosh, që të bëhet një altar shumë i shenjtë,+ e kushdo që e prek altarin, duhet të jetë i shenjtë.
38 Ja çfarë do të flijosh vazhdimisht mbi altar: dy desh njëvjeçarë,* ditë për ditë.+
39 Një qengj do ta flijosh në mëngjes, kurse tjetrin në të ngrysur.*+
40 Bashkë me qengjin e parë do të japësh edhe një të dhjetën e një efe* mielli të bluar imët, të përzier me një çerek hini* vaj ullinjsh të shtypur dhe një blatim në pije prej një të katërt hini verë.
41 Qengjin e dytë do ta flijosh në të ngrysur* bashkë me të njëjtin blatim në drithë e në pije si të mëngjesit; do ta japësh si një aromë të këndshme,* si një blatim të bërë me zjarr për Jehovain.
42 Brez pas brezi duhet ta paraqitni si një blatim të djegur të rregullt në hyrje të tendës së takimit para Jehovait, ku unë do të shfaqem për të folur me ju.+
43 Atje do t’u shfaqem izraelitëve, dhe ai vend do të shenjtërohet nga lavdia ime.+
44 Unë do të shenjtëroj tendën e takimit me altarin, si edhe Aronin me djemtë e tij+ që të më shërbejnë si priftërinj.
45 Do të banoj mes popullit të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre.+
46 Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, Perëndia i tyre, që i nxori nga vendi i Egjiptit për të banuar mes tyre.+ Unë jam Jehovai, Perëndia i tyre!
Shënimet
^ Ose «pite».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «qemerin».
^ Ose «diademën e shenjtë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «do të mbushësh dorën e Aronit dhe dorën e djemve të tij».
^ Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
^ Ose «rizën e mëlçisë».
^ Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
^ Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».
^ Ose «pasardhësve».
^ Fjalë për fjalë «për t’u mbushur dorën».
^ Fjalë për fjalë «asnjë i huaj», pra, askush që nuk ishte nga familja e Aronit.
^ Fjalë për fjalë «për t’u mbushur dorën».
^ Ose «motakë».
^ Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
^ Një efë ishte 22 l. Shih Shtojcën B14.
^ Një hin ishte 3,67 l. Shih Shtojcën B14.
^ Fjalë për fjalë «midis dy mbrëmjeve».
^ Ose «pajtuese; qetësuese». Fjalë për fjalë «çlodhëse».