Eksodi 32:1-35
32 Ndërkohë, populli pa që Moisiu po vonohej shumë që të zbriste nga mali.+ Prandaj u mblodhën rreth Aronit dhe i thanë: «Ngrihu e na bëj një perëndi që të na prijë,+ sepse nuk e dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit.»
2 Aroni u përgjigj: «Hiqni vathët e artë+ nga veshët e grave, të djemve dhe të vajzave tuaja dhe m’i sillni.»
3 Kështu të gjithë hoqën nga veshët vathët e artë dhe ia çuan Aronit.
4 Pastaj ai e mori arin që i çuan, i dha formë me një vegël për skalitje dhe bëri një statujë* viçi.+ Atëherë populli filloi të thoshte: «Ky është Perëndia yt, o Izrael, që të nxori nga vendi i Egjiptit.»+
5 Kur e pa këtë, Aroni ndërtoi një altar përpara statujës dhe u tha: «Nesër do të ketë një festë për Jehovain.»
6 Prandaj të nesërmen u ngritën herët, filluan të flijonin blatime të djegura dhe të paraqitnin flijime në bashkësi. Pastaj populli u ul të hante e të pinte, e pas kësaj u ngrit të festonte.+
7 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Shko, zbrit, sepse populli yt, që ti e nxore nga vendi i Egjiptit, ka vepruar me ligësi.+
8 Sa shpejt dolën nga udha në të cilën i urdhërova të ecnin!+ Kanë bërë një statujë* viçi, përkulen para saj, i bëjnë flijime dhe thonë: ‘Ky është Perëndia yt, o Izrael, që të nxori nga vendi i Egjiptit.’»
9 Jehovai i tha akoma Moisiut: «Kam parë që ky është popull kryeneç.*+
10 Po vloj nga zemërimi, ndaj më lër t’i shfaros dhe të bëj prej teje një komb të madh.»+
11 Atëherë Moisiu iu përgjërua* Jehovait, Perëndisë së tij,+ dhe i tha: «O Jehova, pse të të vlojë zemërimi kundër popullit tënd pasi e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?+
12 Pse të thonë egjiptianët: ‘Kishte qëllime të këqija kur i nxori nga Egjipti. Donte t’i vriste mes maleve e t’i shfaroste nga faqja e dheut.’+ Të lutem, hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe mendoje edhe një herë vendimin për t’i sjellë* këtë të keqe popullit tënd.
13 Kujto shërbëtorët e tu, Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, të cilëve iu betove për veten tënde dhe u the: ‘Do ta shumoj pasardhësin* tënd si yjet e qiellit+ dhe do t’ia jap pasardhësit* tënd gjithë vendin që kam caktuar, që ta marrë si zotërim të përhershëm.’»+
14 Prandaj Jehovai filloi ta mendonte edhe një herë vendimin e tij* për të keqen që kishte thënë se do t’i sillte popullit.+
15 Pastaj Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e Dëshmisë+ në dorë.+ Pllakat ishin të skalitura në të dyja anët; ato ishin të shkruara para dhe mbrapa.
16 Pllakat ishin punuar nga Perëndia, dhe shkrimi i skalitur në to ishte shkrimi i Perëndisë.+
17 Kur dëgjoi zhurmën e popullit që po bërtiste, Josiu i tha Moisiut: «Nga kampi vjen një zhurmë beteje.»
18 Por Moisiu iu përgjigj:
«Ky nuk është tingulli i një kënge fitoreje,as tingulli i përvajshëm i një disfate.
Po dëgjoj tingullin e një kënge tjetër.»
19 Sapo iu afrua kampit dhe pa viçin+ e vallet, Moisiut iu ndez zemërimi, i flaku pllakat që kishte në duar dhe i copëtoi në rrëzë të malit.+
20 Mori viçin që kishin bërë ata, e dogji në zjarr dhe e thërrmoi derisa u bë pluhur;+ pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe i urdhëroi izraelitët ta pinin.+
21 Dhe Moisiu i tha Aronit: «Ç’të bëri ky popull që arrite të sillje mbi ta një mëkat kaq të madh?!»
22 Aroni iu përgjigj: «Mos u zemëro, zotëria im. Ti e di mirë që ky popull priret nga e liga.+
23 Ata më thanë: ‘Na bëj një perëndi që të na prijë, sepse nuk e dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit.’+
24 Ndaj u thashë: ‘Kush të ketë ar, ta heqë e të ma japë mua.’ Pastaj e hodha në zjarr, dhe doli ky viç.»
25 Moisiu pa që populli ishte shfrenuar, sepse Aroni i kishte lënë pa fre, e kështu u turpëruan në sytë e kundërshtarëve të tyre.
26 Pastaj Moisiu zuri vend në hyrje të kampit dhe tha: «Kush është me Jehovain? Le të vijë tek unë!»+ Gjithë levitët u mblodhën rreth tij,
27 dhe ai u tha: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Secili të ngjeshë shpatën, të kalojë përmes kampit, hyrje më hyrje,* e të vrasë vëllanë, fqinjin dhe shokun e vet të ngushtë.’»+
28 Levitët bënë si u tha Moisiu, prandaj atë ditë u vranë rreth 3.000 burra.
29 Atëherë Moisiu u tha: «Ndahuni veç* për Jehovain sot, sepse secili nga ju doli kundër djalit dhe vëllait të vet,+ e për këtë arsye Perëndia do t’ju bekojë sot.»+
30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: «Ju kryet një mëkat shumë të rëndë, prandaj tani do të ngjitem në mal te Jehovai, se mbase mund të bëj ndonjë gjë që ai t’jua falë mëkatin.»+
31 Kështu Moisiu u kthye te Jehovai dhe i tha: «Ç’mëkat të madh ka kryer ky popull! Me duart e tyre bënë një perëndi prej ari!+
32 Megjithatë, nëse është vullneti yt, falua mëkatin,+ e nëse nuk i fal, të lutem, më fshi nga libri që ke shkruar.»+
33 Por Jehovai i tha Moisiut: «Do të fshij nga libri im këdo që ka mëkatuar kundër meje.
34 Tani shko dhe priji popullit drejt vendit që të kam thënë. Engjëlli im do të shkojë para teje+ dhe, ditën kur t’u kërkoj llogari, do t’i ndëshkoj për mëkatin e tyre.»
35 Atëherë Jehovai filloi ta godiste popullin me plagë për statujën e viçit që Aroni kishte bërë me kërkesën e tyre.
Shënimet
^ Ose «shtatore të derdhur».
^ Ose «shtatore të derdhur».
^ Fjalë për fjalë «me qafë të fortë».
^ Fjalë për fjalë «zbuti fytyrën».
^ Ose «dhe të të vijë keq e mos ia bëj».
^ Fjalë për fjalë «farës».
^ Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Ose «Jehovait i erdhi keq».
^ Fjalë për fjalë «portë më portë».
^ Fjalë për fjalë «Mbushni dorën».