Eksodi 35:1-35
35 Më vonë Moisiu mblodhi tërë asamblenë e izraelitëve dhe u tha: «Këto janë gjërat që Jehovai ka urdhëruar të bëhen:+
2 gjashtë ditë do të punoni, kurse dita e shtatë do të jetë për ju e shenjtë, një sabat, pushim i plotë për Jehovain.+ Kushdo që punon atë ditë, do të ekzekutohet.+
3 Ditën e Sabatit mos ndizni zjarr në asnjë nga vendbanimet tuaja.»
4 Pastaj Moisiu i tha tërë asamblesë së izraelitëve: «Kështu urdhëron Jehovai:
5 ‘Mblidhni një kontribut për Jehovain,+ e kush të ketë një zemër të gatshme,+ le të sjellë këtë kontribut për Jehovain: ar, argjend, bakër,
6 fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt,* fill në të kuqe të ndezur, li të hollë, lesh dhie,+
7 lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe, lëkurë foke, dru akacieje,
8 vaj për llambat, balsam për vajin e mirosjes dhe për temjanin aromatik,+
9 gurë oniksi dhe gurë të tjerë që të mbërthehen tek efodi+ e te pektorali.*+
10 Të gjithë mjeshtërit*+ le të vijnë e të bëjnë gjithçka që ka urdhëruar Jehovai:
11 tabernakullin bashkë me tendën dhe mbulesën e tij, kapëset dhe skeletet prej druri, shufrat, shtyllat dhe bazamentet me fole;
12 Arkën+ bashkë me shufrat,+ kapakun+ dhe perden+ ndarëse;
13 tryezën+ bashkë me shufrat dhe gjithë pajisjet e saj dhe bukët e paraqitjes;+
14 shandanin+ për ndriçim bashkë me pajisjet e tij, llambat dhe vajin për ndriçim;+
15 altarin e temjanit+ bashkë me shufrat; vajin e mirosjes dhe temjanin aromatik;+ perden e trashë për hyrjen e tabernakullit;
16 altarin e blatimit të djegur+ dhe skarën e bakrit, shufrat dhe gjithë pajisjet e tij; legenin bashkë me këmbalecin;+
17 perdet që do të varen në oborr,+ shtyllat dhe bazamentet e tyre me fole; perden e trashë për hyrjen e oborrit;
18 kunjat e tendës së tabernakullit, kunjat e tendës së oborrit dhe litarët;+
19 rrobat e endura hollë+ për shërbimin në shenjtërore, rrobat e shenjta për priftin Aron+ dhe rrobat e djemve të tij që të shërbejnë si priftërinj.’»
20 Kështu tërë asambleja e izraelitëve u largua nga Moisiu.
21 Pastaj, ata që ishin të shtyrë nga zemra+ dhe ata që kishin një frymë* të gatshme, erdhën dhe sollën kontributin për Jehovain, që të përdorej për tendën e takimit, për tërë shërbimet që do të bëheshin atje dhe për rrobat e shenjta.
22 Vinin pareshtur, burra e gra, të gjithë me zemër të gatshme, dhe sillnin karfica, vathë, unaza e stoli të tjera, si edhe çfarëdolloj sendesh ari; të gjithë ata ia paraqitën Jehovait blatimet* prej ari.+
23 Ata që kishin fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt, fill në të kuqe të ndezur, li të hollë, lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe dhe lëkurë foke, i sollën.
24 Të gjithë ata që kontribuan argjend dhe bakër, i sollën si kontribut për Jehovain; edhe ata që kishin dru akacieje, të nevojshëm për projektin, e sollën.
25 Të gjitha gratë e zonja+ torën me duart e tyre dhe sollën atë që kishin tjerrë: fill blu, lesh në ngjyrë të purpurt, fill në të kuqe të ndezur dhe li të hollë.
26 Të gjitha gratë e zonja që ishin të shtyra nga zemra, torën leshin e dhisë.
27 Prijësit sollën gurë oniksi dhe gurë të tjerë që të mbërtheheshin tek efodi dhe te pektorali,+
28 balsam dhe vaj për ndriçim, për vajin e mirosjes+ dhe për temjanin aromatik.+
29 Të gjithë burrat e gratë që ishin të shtyrë nga zemra sollën diçka për punën që Jehovai kishte urdhëruar me anë të Moisiut; izraelitët i sollën si një blatim vullnetar për Jehovain.+
30 Atëherë Moisiu u tha izraelitëve: «Ja, Jehovai ka zgjedhur Bezalelin, birin e Urit, nipin e Hurit, nga fisi i Judës.+
31 Ai e ka mbushur me frymën e tij,* me mençuri, me aftësi për të kuptuar e me njohuri, që të jetë i aftë për çdo lloj zanati:
32 të bëjë punime artistike, të punojë arin, argjendin e bakrin,
33 të presë e të mbërthejë gurë të çmuar dhe të bëjë punime artistike druri të çdo lloji.
34 Atij dhe Oholiabit,+ birit të Ahisamakut, nga fisi i Danit, u ka dhënë edhe aftësi për t’i mësuar të tjerët.
35 Ai i ka aftësuar plotësisht,*+ që të bëjnë tërë punën e një mjeshtri, qëndistari, endësi të fillit blu, të leshit në ngjyrë të purpurt, të fillit në të kuqe të ndezur dhe të lirit të hollë, e të një tezgjahisti. Këta burra do të bëjnë çdo lloj pune dhe do të përgatisin lloj-lloj projektesh.
Shënimet
^ Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «njerëzit e aftë». Fjalë për fjalë «me zemër të mençur».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «blatimet e tundura».
^ Fjalë për fjalë «frymën e Perëndisë».
^ Ose «ua ka mbushur zemrat me mençuri».