Eksodi 36:1-38

  • Kontribute më se të mjaftueshme (1-7)

  • Ndërtohet tabernakulli (8-38)

36  Bezaleli do të punojë bashkë me Oholiabin dhe me gjithë mjeshtërit,* të cilëve Jehovai u ka dhënë mençuri dhe aftësi për të kuptuar, që të dinë si të bëjnë tërë shërbimin e shenjtë për tabernakullin, siç ka urdhëruar Jehovai.»+  Më pas Moisiu thirri Bezalelin, Oholiabin dhe gjithë mjeshtërit, të cilëve Jehovai u kishte dhënë mençuri,*+ këdo që zemra e shtynte t’i futej punës vullnetarisht.+  Pastaj ata morën nga Moisiu gjithë kontributin+ që kishin sjellë izraelitët për shërbimin e shenjtë. Mirëpo izraelitët po vazhdonin t’i sillnin Moisiut blatime vullnetare mëngjes për mëngjes.  Pasi filluan punën e shenjtë, gjithë mjeshtërit shkonin njëri pas tjetrit  dhe i thoshin Moisiut: «Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për punën që Jehovai ka urdhëruar të bëhet.»  Prandaj Moisiu urdhëroi që të njoftohej mbarë kampi: «Burra e gra, mos sillni më gjëra për kontributin e shenjtë.» Kështu nuk e lanë më popullin të sillte kontribute.  Gjërat që kishin sjellë, ishin të mjaftueshme për punën, madje më se të mjaftueshme.  Kështu, të gjithë mjeshtërit+ e bënë tabernakullin+ me dhjetë pëlhura prej liri të dredhur hollë, filli blu, leshi në ngjyrë të purpurt* dhe filli në të kuqe të ndezur; ai* qëndisi në to kerubinë.+  Çdo pëlhurë e tendës ishte 28 kute* e gjatë dhe 4 kute e gjerë; të gjitha pëlhurat e tendës kishin përmasa të njëjta. 10  Atëherë ai qepi me njëra-tjetrën pesë pëlhura të tendës dhe po njësoj qepi edhe pesë pëlhurat e tjera. 11  Pastaj, me fillin blu bëri iliqe* në buzë të njërës pjesë, aty ku do të bashkohej me tjetrën; bëri të njëjtën gjë edhe në buzën e pjesës tjetër, aty ku do të bashkohej me të parën. 12  Bëri 50 iliqe në buzë të njërës pjesë dhe 50 iliqe në buzë të pjesës tjetër, që të ishin përballë me njëri-tjetrin kur të bashkoheshin. 13  Në fund, bëri 50 kapëse ari, dhe me to i bashkoi pjesët e tendës me njëra-tjetrën, që të bëhej një tendë e vetme për të gjithë tabernakullin. 14  Pastaj bëri edhe pëlhura me lesh dhie për tendën sipër tabernakullit; ai bëri 11 pëlhura të tilla.+ 15  Çdo pëlhurë e tendës ishte 30 kute e gjatë dhe 4 kute e gjerë; të 11-të pëlhurat e tendës kishin përmasa të njëjta. 16  Pastaj pesë pëlhura i qepi bashkë dhe gjashtë pëlhurat e tjera i qepi me njëra-tjetrën. 17  Më pas bëri 50 iliqe në buzë të njërës pjesë dhe 50 iliqe në buzë të pjesës tjetër, aty ku do të bashkoheshin me njëra-tjetrën. 18  Bëri edhe 50 kapëse bakri që të bashkonte tendën e të bëhej një e vetme. 19  I bëri tendës një mbulesë me lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe, dhe mbi këtë, një mbulesë me lëkurë foke.+ 20  Pastaj bëri me dru akacieje+ edhe skeletet për tabernakullin dhe i vendosi pingul.+ 21  Çdo skelet ishte dhjetë kute i gjatë dhe një kut e gjysmë i gjerë. 22  Çdo skelet kishte dy pjesë të dala si dhëmbë* paralele me njëra-tjetrën, të cilat do të futeshin në fole; në këtë mënyrë i bëri të gjitha skeletet e tabernakullit. 23  Kështu ai bëri 20 skelete druri për anën jugore të tabernakullit. 24  Bëri edhe 40 bazamente argjendi me fole që t’i vinte poshtë 20 skeleteve: dy bazamente poshtë çdo skeleti me dy pjesë të dala si dhëmbë.+ 25  Edhe për anën tjetër të tabernakullit, për anën veriore, bëri 20 skelete druri 26  dhe 40 bazamente argjendi me fole: dy bazamente poshtë çdo skeleti. 27  Për pjesën e pasme të tabernakullit, në perëndim, bëri gjashtë skelete druri.+ 28  Bëri edhe dy skelete për të mbajtur dy qoshet në pjesën e pasme të tabernakullit. 29  Skeletet kishin dy pjesë druri, nga poshtë deri lart në majë, të cilat bashkoheshin me njëra-tjetrën tek unaza e parë; kështu i bëri të dyja skeletet për të mbajtur dy qoshet. 30  Pra, pjesa e pasme kishte gjithsej 8 skelete druri dhe 16 bazamente argjendi me fole: dy bazamente poshtë çdo skeleti. 31  Pastaj bëri edhe shufra me dru akacieje; pesë shufra për skeletet e njërës anë të tabernakullit,+ 32  pesë për skeletet e anës tjetër të tabernakullit dhe pesë për skeletet e anës së pasme të tabernakullit, në perëndim. 33  Bëri shufrën e mesit, që do të kalonte përgjatë qendrës së skeleteve, nga njëri skaj në tjetrin. 34  Skeletet e drurit i veshi me ar, bëri prej ari edhe unazat e tyre ku do të futeshin shufrat, dhe shufrat i veshi me ar.+ 35  Pastaj bëri edhe një perde+ me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë; në të+ qëndisi kerubinë.+ 36  Perdes i bëri katër shtylla akacieje të veshura me ar, si edhe grremça prej ari; për shtyllat derdhi edhe katër bazamente argjendi me fole. 37  Bëri edhe një perde të trashë për hyrjen e tendës, të endur me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë.+ 38  I bëri perdes pesë shtylla me grremçat e tyre. Majat dhe lidhëset* e tyre i veshi me ar, kurse pesë bazamentet me fole ishin prej bakri.

Shënimet

Ose «njerëzit e aftë».
Fjalë për fjalë «mençuri në zemër».
Ose «vjollcë». Shih Fjalorthin.
Ka të ngjarë t’i referohet Bezalelit.
Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
Ose «sytha».
Një mundësi tjetër «pjesë vertikale».
Ose «unazat; rrathët; fashat» për të lidhur.