Eksodi 7:1-25
7 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Unë të kam bërë si Perëndi* për faraonin, dhe Aroni, yt vëlla, do të bëhet profeti yt.+
2 Thuaji çdo gjë që do të të urdhëroj, ndërsa Aroni, yt vëlla, do t’i flasë faraonit dhe ky do t’i lërë izraelitët të ikin nga vendi i tij.
3 Megjithatë unë do të lejoj që faraonit t’i ngurtësohet zemra e të bëhet kryeneç,+ dhe do t’i shtoj shenjat e mrekullitë e mia në vendin e Egjiptit.+
4 Por faraoni nuk do t’ju dëgjojë, prandaj do të më duhet ta ngre dorën kundër Egjiptit dhe ta nxjerr që andej gjithë popullin tim,* Izraelin, e t’i ndëshkoj* rëndë egjiptianët.+
5 Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai+ kur ta ngre dorën kundër Egjiptit dhe t’i nxjerr izraelitët që andej.»
6 Moisiu dhe Aroni bënë siç i urdhëroi Jehovai; ata bënë pikërisht ashtu.
7 Kur i folën faraonit, Moisiu ishte 80 vjeç dhe Aroni 83 vjeç.+
8 Tani Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit:
9 «Në rast se faraoni ju thotë: ‘Bëni një mrekulli’, thuaji Aronit: ‘Merre bastunin tënd dhe hidhe përtokë para faraonit.’ Bastuni do të shndërrohet në një gjarpër të madh.»+
10 Atëherë, Moisiu dhe Aroni u paraqitën te faraoni dhe bënë pikërisht siç i kishte urdhëruar Jehovai. Aroni e hodhi përtokë bastunin para faraonit e shërbëtorëve të tij, dhe bastuni u shndërrua në një gjarpër të madh.
11 Mirëpo, edhe faraoni thirri të mençurit dhe shtriganët, dhe këta priftërinj të Egjiptit që merreshin me magji,+ bënë të njëjtën gjë me magjitë e tyre.*+
12 Secili hodhi përtokë bastunin e vet, dhe ata u shndërruan në gjarpërinj të mëdhenj. Por bastuni i Aronit i përpiu bastunët e tyre.
13 E megjithatë zemra e faraonit u ngurtësua dhe ai u bë kryeneç+ e nuk ua vuri veshin, tamam siç kishte thënë Jehovai.
14 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Zemra e faraonit është e pandjeshme,+ prandaj ai nuk ka pranuar ta lërë popullin të shkojë.
15 Shko te faraoni në mëngjes dhe, kur ai të shkojë te lumi Nil, dili përpara për ta takuar buzë lumit. Merr me vete në dorë bastunin që u shndërrua në gjarpër+
16 dhe thuaji: “Jehovai, Perëndia i hebrenjve, më ka dërguar te ti+ që të të them: ‘Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë në shkretëtirë.’ Por deri tani ti nuk je bindur.
17 Kështu thotë Jehovai: ‘Nga kjo ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.+ Unë do të godas ujin e lumit Nil me bastun, dhe ai do të kthehet në gjak.
18 Peshqit e lumit Nil do të ngordhin, lumi do të vijë erë të qelbur dhe egjiptianët nuk do ta pinë dot ujin e Nilit.’”»
19 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: «Thuaji Aronit: ‘Merre bastunin dhe shtrije dorën mbi ujërat e Egjiptit,+ mbi lumenjtë, mbi kanalet e tij,* mbi moçalet+ dhe mbi gjithë rezervuarët e tij, që të kthehen në gjak.’ Do të ketë gjak në tërë vendin e Egjiptit, madje edhe në enët prej druri dhe guri.»
20 Menjëherë Moisiu dhe Aroni bënë pikërisht siç i kishte urdhëruar Jehovai. Aroni e ngriti bastunin, goditi ujin e lumit Nil në sy të faraonit e të shërbëtorëve të tij, dhe gjithë uji i lumit u kthye në gjak.+
21 Peshqit në lumin Nil ngordhën,+ dhe Nili nisi të binte erë të qelbur. Egjiptianët nuk mund ta pinin ujin e Nilit,+ dhe në mbarë vendin e Egjiptit kishte gjak.
22 Sidoqoftë, priftërinjtë e Egjiptit që merreshin me magji, bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta.+ Prandaj zemra e faraonit nuk u zbut dhe ai mbeti kryeneç e nuk ua vuri veshin, tamam siç kishte thënë Jehovai.+
23 Kështu faraoni u kthye në shtëpi dhe e shpërfilli edhe këtë shenjë.
24 Prandaj gjithë egjiptianët gërmonin rreth e qark lumit Nil që të gjenin ujë të pijshëm, sepse uji i tij nuk mund të pihej.
25 Kaluan plot shtatë ditë që nga çasti kur Jehovai goditi lumin Nil.